Ende në vend ka tregje kaotike, si në Milot, Fushë- Krujë. Deklarata vjen nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë përurimit të tregut më të ri blegtoral në Laknas. Ai theksoi se edhe pushteti vendor ka përgjegjësi të krijojë modele të tilla, ku garantohet cilësia e mishit.
Sipas ministrit Panariti, krijimi i tregjeve për kafshët e gjalla, është kusht për eksportin e produkteve blegtorale. “Një treg i tillë rrit sigurinë ushqimore, pasi bën të mundur realizimin e të gjithë sistemit të gjurmueshmërisë, "Nga ferma në tavolinë". Me këtë treg, kemi të garantuar sigurinë, mbyllen shtigjet për spekulantët dhe kontrabandistët. Këtu bëhet parandalimi i infeksioneve, cilësia dhe siguria dhe më kryesorja, i garantohet tregut mish i sigurt”, - tha ministri Panariti. Sipas ministrit, ende në vend ka tregje kaotike, si në Milot, Fushë- Krujë, por edhe pushteti vendor ka përgjegjësi që të krijojë modele të tilla.
“Kam komunikuar me pushtetin vendor, kam dhe mbështetjen e kryeministrit për këtë, ndaj s’do të lejojmë tregje të tilla. Nuk duhet të humbim kohë. Kryetarët e bashkive duhet të mos humbin kohë, por të caktojnë mirë vendet dhe të ngrenë infrastrukturën e duhur”, - përfundoi Panariti. Tregu u krijua si projekt pilot nga MBAZHRAU, KASH dhe Këshilli i Qarkut Tiranë.