Vetëm pak ditë më parë, mu në zemër të Firences, në një nga restorantet më të mirë të këtij qyteti madhështor  është servirur një menu e gjitha shqiptare. Imagjinoni pak një fiorentin duke ngrënë laknur me kungull dhe djathë apo qumështor me xinxife…Imagjinoni pak një fiorentin i cili ka paguar 80 euro vetëm për ushqim tipik shqiptar, pa përfshirë pijet…

Një spektakël i vërtetë..
Kjo darkë me menu shqiptare e quajtur “Rock the Balkans” u organizua pak ditë më parë në restorantin Gurdulù, ku dy shefat shqiptarë, Entiana Osmënzeza, e cila është shefja e këtij restoranti dhe Bledar Kola, shef i Mullixhiut në Tiranë, u kujdesën të përgatisnin një menu dedikuar tërësisht ushqimeve shqiptare të kombinuar me tartufin toskan.

“Il tartufo secondo noi”
Kështu është etiketuar menuja e mbrëmjes në restorantin Gurdulù e cila përfshinte 5 gatime: Petulla të mbushura me tartuf dhe gjizë, Laknur me kungull, djathë dhe tartuf të zi,  Dromsa elbi dhe thekre me gjalpë dhie dhe tartuf të bardhë, Tavë kosi me mish pëllumbi dhe tartuf të zi dhe Qumështor me tartuf. …dhe tartufi sipas 2 shefave shqiptarë ishte një sukses i jashtëzakonshëm.

Ndërsa Bledari, është kthyer në Tiranë për të vijuar punën në restorantin e tij, ende ka ruajtur emocionet e një nate event në Firence: hapjen e sezonit të tartufit. “Ky ishte viti i parë që u bë një ndërthurje e kuzhinës shqiptare me tartufin italian.
Bëmë të mundur promovimin e kuzhinës shqiptare, ndonëse është e vështirë që në Firence të bindësh njerëzit të provojnë kuzhinën tonë. Kjo për shkak se është e varfër në prezantim, por jo në shije. Klientët pyesnin gjatë gjithë kohës për pjatat dhe mund të them se qumështori ishte më i pëlqyeri, pasi dhe shija e vezës kombinohet perfekt me tartufin. Disa prej pjatave ishin befasi dhe për ne darka ishte e përfunduar me pritshmëritë që patëm”, thotë shef Bledar Kola për Shije.al. Ndërkohë vetë Entiana, shefja e restorantit Gurdulù, ideatorja e “Rock Balkans”, u shpreh për revistën mjaft e entuziazmuar: “Kemi marrë komplimente pa fund për menunë krejtësisht shqiptare të përshtatur me tartufin toskan. Dua të shtoj se shqiptarët në Firence janë të integruar shumë mirë, ndaj dhe kurioziteti i vendasve për kuzhinën tonë është në rritje. Shpresoj të kemi dhe mundësi të tjera të ngjashme në të ardhmen”.