“Vendoseni një fëmijë në krevat me një lepur dhe një mollë. Nëse ai ha lepurin dhe luan me mollën, do t'ju blej një makinë të re”. Është një shprehje e autorit Harvey Diamond, e cila gjithmonë të lë me një buzëqeshje në fytyrë..dhe me disa mendime.
Në fakt nuk kam menduar ndonjëherë ta kufizoj veten nga ndonjë ushqim që më pëlqen, por në këtë rast me siguri do të zgjidhja mollën për ta ngrënë dhe do të argëtohesha me lepurin. Dhe e sigurtë që pas kësaj nuk do ta haja më asnjëherë lepurin tim.
E vetmja dilemë që kam është: si është më mirë, të hash mish apo jo?! Kush rrojnë më gjatë, vegjetarianët apo mishngrënësit?!
Për një person si unë që punon në një revistë që i dedikohet kryesisht ushqimit, kjo çështje të hedh sa në njërin kamp tek tjetri. Sapo bindem që duhet të vazhdoj të konsumoj mish, lexoj një studim mjaft interesant i cili me detyron ta marr seriozisht në konsideratë të “transformuarit” në vegjetariane.
Ndërsa kërkoj në internet lexoj që shumë personalitete botërorë kanë qenë të një mendimi mbi këtë temë. Platoni, Niçja, Benjamin Franklin, Gandhi si dhe ikona të popit Paul MeCcartney dhe Bob Marley adoptuan një jetesë vegjetariane.
Ndërkohë studimet e njëpasnjëshme flasin për vlerat e jashtëzakonshme të një diete vegjetariane e cila konsiston në; konsum të lartë të fibrave, acidit folik, vitaminës C dhe E, magnesiumit, vajrave esencialë bimorë dhe fitokimikate të panumërta.
Përkthyer më thjeshtë në kolesterol të ulët, peshë trupore ideale, presion gjaku normal, ulje e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve tumorale si dhe kurim i diabetit.

Kam një nxitje të mos kufizohem, ndaj provova të bëhem vegjetariane për 24 orë dhe i vetmi restorant i dedikuar tërësisht ushqimit në Tiranë është Veggies, e ku tjetër veçse në Bllok.
Një restorant me strukturë fast-food-i, por me pjata të mirëfillta restoranti, sigurisht dhe me çmime diku mes tyre.
Kërkoj ndihmën e Inës, pronares së Veggies, e cila më ofron menunë me emra nga më të çuditshmit, ndërsa përbërësit shumë prej tyre i kam hasur, në recetat që postohen në faqet më të pëlqyera për ushqimin.
Kushedi sa herë kam tentuar të gatuaj në shtëpi me humus, quinoa, qiqra, salcën kerri e shumë ingredientë nga kuzhinat më të njohura në botë dhe jam rikthyer sërish tek tradicionalja. Ndoshta sepse aty jam gjithmonë e sigurtë...?!

Nuk e ke ngrënë asnjëherë mishin? Është pyetja e zakonshme që të lind në mendje sa herë që dikush të thotë që është vegjetarian dhe këtij tundimi nuk i shpëtova as unë. “Jo, kam ngrënë mish dhe “kapërcimi” ka qenë i menjëhershëm, brenda 24 orëve. Lexova një libër i cili m’i përmbysi të gjithë mendimet në lidhje me të ushqyerin. Sot mund të them që i vërej ndryshimet drastike. Në mëngjes çohem më energjike, kam fantazi për shije dhe kombinime të reja. Më është zhdukur përgjumja që kisha herë pas here gjatë ditës. Shpesh më ndodh që zgjohem me dëshirë për një perime të caktuar. A e di që mishi i kafshëve mbetet për 72 orë në trupin e njeriut?!”.
Ndërkohë unë vras mendjen se kur e kam ngrënë racionin e fundit të mishit…

Epo sot jam vegjetariane dhe dua të zgjedh diçka për drekë:
Falafel wrap e vendosa! Është e para në listën e menusë, por të gjithë përbërësit “ma bëjnë me sy”, më ngjallin kuriozitet.
Prit… Si është Budha Bowl?
Po orizi i zier në avull me salcë kerri dhe kokos?
Ndërsa Ina nis e më shpjegon, vendos sërish: E dua...

Ka një histori pas çdo pjate, nga një vend larg e afër nesh.
“Kam udhëtuar shumë dhe kam marrë me vete pjatat më të veçanta. Në menu mund të gjesh një ushqim nga Izraeli, Tailanda, Kina apo Meksika. Kurioziteti i klientëve shqiptarë për ushqime dhe përbërës të rinj është gjithmonë në rritje, ndërsa të huajt që jetojnë apo vijnë për punë në Shqipëri janë më besnikët”, tregon Ina.
Hedh sytë rreth e përqark një ambienti të ngrohtë e me ngjyra, shoh shefin e kuzhinës që po përgatit pjatën time dhe ndjej dëshirën për të qenë edhe një ditë tjetër Veggies!

Harvey Diamond, zor se do të shpenzosh ndonjëherë para’ për t’i blerë dikujt një makinë… 
Përgatiti: Blerina Spaho