Sivjet, gushti ka hyrë përvëlues si për të shuar brutalisht pikëpyetjet e njerëzve për freskinë e kësaj vere të pazakontë. Kondicionerët në zyrat e redaksisë rënkojnë nga stërmundimi dhe stafi ynë mezi pret të niset për reportazhin e radhës. Këtë radhë destinacioni është Pogradeci.

Arsyet janë disa, por dy janë më të rëndësishmet: e para sepse jemi në pikun e sezonit turistik, gjë që na ndihmon të zbulojmë më lehtë traditën kulinare dhe e dyta, në fillim të shtatorit, në qytetin piktoresk, zhvillohet festivali i tretë i filmit ballkanik dhe i kulinarisë.

Vetëm dy orë rrugë nga Tirana dhe ne gjendemi mu në zemër të qytetit. Si për habinë e të gjithëve, një puhizë e freskët liqenore na fut të dridhurat, ndërkohë që bregut plazhistë lëkurëdjegur tentojnë hijet e çadrave. Pasi mbledhim veten me një kafe, nuk vonojmë drejt takimit tonë të parë. Na pret 76-vjeçari Risto Çomo, kuzhinieri më i vjetër i qytetit, që ndryshe e thërrasin “baba”. Tjetër nga ç’menduam, Riston e gjejmë në krye të punës duke u sjellë sa andej këndej, tamam si një “djalkë”. Ai na ve re menjëherë, vë buzën në gaz dhe me pjata ngarkuar na uron mirëseardhjen. Në kthim, pastron duart në përparëse, na takon një për një dhe zë vend sikur të ishte në një studio televizive, i gatshëm për t’u intervistuar. “Të flas për veten apo çarë…?, – pyet në dialekt si një fëmijë i nxituar që e presin shokët e lodrave. Ne i shpjegojmë arsyet pse kemi ardhur dhe “baba” na e kthen gjithë humor: “Epo njëlloj është bre. Po fola për ushqimin, zëre se kam folur për vete”.

 

“Baba” rrëfen traditën e gatimit

S’mund të ndodhë ndryshe. Tradita fillon me mbretin e liqenit, koranin, për të cilin thonë që edhe mbretëresha Anglisë, Elisabeta, e kishte për zemër. Të vjetrit ngulin këmbë që ajo porosiste arka të tëra që shkonin drejt e në pallat. Tava e famshme e koranit njihet tashmë në të gjithë Shqipërinë, por jo vetëm. Shumë të huaj që vizitojnë qytetin lëpijnë gishtat me këtë gatim tipik, që zor se e gjen në tjetër vend. “Kujtoj, – thotë Risto, kur njëherë Niko Nikolla (ish-kryeredaktori më jetëgjatë i revistës së humorit dhe satirës “Hosteni”) më solli në Turizmi (ish hotel Turizmi i Pogradecit) disa të huaj. Unë u gatova tavën e koranit dhe atyre u iku mendja e kokës. Meqë ra llafi, 120 turistë në ditë prisja atëherë”. Kaq duhej dhe Risto na devijon për të folur me nostalgji për rininë e tij. “Eeeh, ato kohë! Në ’60-ën mbarova shkollën e kuzhinës. Për herë të parë fillova kuzhinier tek Vilat, pastaj tek Pallati i Kryeministrisë për 15 vjet. Në ’77-ën u hap Turizmi dhe më morën aty si shef kuzhine. Punova 17 vjet. Mbas ’90-ës s’lashë restorant pa punuar. Menutë e para i kam bërë vetë. Se mos ma merrni për mburrje, ore! Atëherë s’kishte tjetër. Ja, pse s’them për sot? Tani ka plot kuzhinierë të talentuar. Çdo gjë me kohë e me vakt”.

S’duam ta ndërpresim, por, ngaqë koha s’na premton, me marifet, e rifusim tek tradita.

Ai na flet për belushkën, krapin, cironkat e deri te ngjalat e shijshme, por “mos i ngatërroni me ato që shiten nëpër rrugë! – na thotë për këto të fundit. Ka disa mënyra që pogradecarët e gatuajnë peshkun. Në skarë, në tigan, në prush për ngjalat, por tava me qepë, me pak speca e domate i jep peshkut një shije krejt të veçantë. Është një lloj patente që ata e kanë shpikur prej kohësh dhe sot e ruajnë me fanatizëm. Megjithatë, Pogradeci s’mund të mburret vetëm me peshkun. Risto fillon e na tregon për tavat e baltës me mish dashi, qengji, derri e viçi. Pjesë e zakoneve të hershme kanë qenë furrat me tjegulla, ku amvisat çonin tepsitë e përgatitura me merak nëpër shtëpi. Mësojmë për teknika gatimi në poç (ose vorbe) të fasuleve apo llojeve të ndryshme të mishit. Ai na thotë se këto enë zëvendësonin në njëfarë mënyre tenxheret e sotme me presion dhe na demonstron me duar mënyrën se si gryka e poçes, pasi ishte futur ushqimi, mbyllej me brumë për të izoluar ajrin. Këto lloj gatimesh merrnin orë të tëra për t’u përgatitur, arsye që sot të përdoren rrallë, por “nëse do t’ju bjerë rasti ndonjëherë të provoni të tilla, do t’ju dhjetëfishohet dashuria për gatimin”, - na thotë gjithë krenari.

Më pas na flet për byrekun dhe lakrorin me dy petë, sidomos atë me presh e me gjizë, që është karakteristik për zonën, pastërmatë, trahanatë, petkat dhe zahiretë e dimrit. Në radhë vijnë turshitë me domate jeshile, armetë me lakra e deri tek specat me gjizë, që toka pjellore dhe klima e ftohtë e këtyre anëve u jep shije të pakrahasueshme.

Ai flet, ne mbajmë shënim. Ndërkohë nga banaku, një djalë që lan disa gota e me veshë nga ne, ndërhyn si për t’i kujtuar “babës” që e ka lënë kujtesa. “Po mirë mo, për gjylbazin, shpretkat e mbushura, kollofacet e tërë ato gjëra që bëjmë neve, kur do t’ia u thuash?!”.

“S’ka faj – thotë Risto. Po meqë ra fjala, unë për revistën tuaj, do bëj një gjylbaz edhe një shpretkë të mbushur. Hajdeni më vonë dhe do t’ju jap edhe recetën”. U tha u bë. Ora ka shkuar 12:00 dhe ne duhet të shkojmë në Tushemisht, aty ku kemi porositur lakrorin me dy petë dhe tavën e koranit.

 

Në Tushemisht, tek teto Ollga

Dikur, që të shkoje në Tushemisht, vetëm 6 km në jug të Pogradecit, duhej të merrje një leje të posaçme nga ish- Dega e Punëve të Brendshme. Madje, edhe vetë banorët e tij, kur ktheheshin në shtëpitë e tyre, u kontrollonin pasaportën, a thua se po kalonin kufirin. Sot, ky fshat i bukur, i pastër, me burime të panumërta që gurgullojnë oborreve të shtëpive karakteristike, me rrugicat e kalldrëmta e të ndriçuara hijshëm dhe mbi të gjitha me banorë të qetë, të kulturuar e mikpritës, është kthyer në një destinacion të vërtetë turistik.

Na kënaqet syri teksa kapim në fytyrat e qindra turistëve, vendas e të huaj, shenja kënaqësie dhe na vjen mirë që Shqipëria ka filluar të ketë modele të tilla frymëzuese për turizmin.

Në mend na vjen filmi “Zonja nga qyteti” dhe përfytyrojmë artisten e mrekullueshme Violeta Manushi në rolin e teto Ollgës, duke ironizuar zonjat e mëdha të qytetit pikërisht në këtë fshat, që sot nuk ka të krahasuar as edhe me lagjet më të bukura të qyteteve tona. S’ka shumë që ajo ka ardhur përsëri në Tushemisht, këtë radhë në bronz, si për të vulosur njëherë e mirë dëshirën e saj për të jetuar në fshat.

Të përhumbur në kujtime, na përmend zilja e celularit. “Hë mo, do vini apo jo? Lakrori është gati”, – dëgjojmë nga ana tjetër e telefonit. “Mooos! Ne donim ta fotografonim procesin”, – ia kthejmë ne. “Po hajde o, se bëjmë sa të doni.” – na përgjigjet Goni, pronari i Restorant “Dallga”.

Nisemi menjëherë. Tushemishti ka dhe diçka tjetër për të na treguar. Është magjia e gatimeve. Në fillim tek restorant “Dallga” e më pas tek “Kashta”.

Alketa Tasellari nuk ka mbaruar ndonjë shkollë kuzhine e megjithatë ajo është “shefja” e kuzhinës të restorant “Dallga”. As Zhuli dhe Ela, bashkëshortet e Benit dhe Jonit, nuk zotërojnë diploma gatimi, por nga duart e tyre dalin shije fantastike, që lenë pa mend klientët e restorant “Kashta”. Nga biseda me to informohemi deri në detaje për traditën e hershme, e cila kohët e fundit është ridimensionuar, sepse sipas tyre, edhe shijet evoluojnë. Ndërsa një arsye tjetër është dhe përshtatja e gatimeve në kushtet e të bërit biznes. Klientët nuk kanë dhe aq kohë sa të presin gatime të vjetra tradicionale, që duan orë të tëra për t’u përgatitur. “Ja për shembull qullniku, që piqet petë me petë në saç, të ha tre orë të mira”,- na thotë Alketa. Sidoqoftë, kryefjala është korani dhe belushka. Ato na tregojnë për lloj-lloj mënyrash gatimi të tyre që nga suprt, sallatat e ftohta e deri tek tavat e furrës, nga ajo më e njohura me qepë e deri tek më “modernia”: tava alla usta Kopi, krijim i një prej kuzhinierëve më të mirë të zonës. “Recetën e këtij të fundit nuk ua japim. S’duam të na e vjedhin të tjerët”, – justifikohet Alketa. Ndërsa Zhuli dhe Ela, dy kunatat që e quajnë veten motra, na rrëfejnë shtruar, si në një duet të sintonuar bukur, artin e gatimit të fshatit, që me ç’kuptuam kishte një ngjashmëri me gjithë ç’na tha 76-vjeçari Risto.

Ndërkohë, fotografia jonë ka mbaruar me fotot e gatimeve dhe ne s’na ngelet tjetër veç t’i falënderojmë për kohën që na kushtuan. Hipim makinën dhe kthehemi sërish në Pogradec.

Na thanë që para se të ikim, të vizitojmë edhe një restorant të vockël mu në zemër të qytetit dhe që është i njohur për gatime tipike të vjetra. I zoti, Tanas Gusho, të cilin e njohin me llagapin Loshi, qenka kushëri me njeriun legjendë të qytetit, Lasgush Poradecin.

 

Te Loshi

Restorant “Poradeci” ndodhet pak më lart se kinemaja e qytetit, në anë të një rruge me godina të vjetra e të restauruara bukur. Ka vetëm pak tavolina në stilin e vjetër ku të bien në sy stolat e mbuluara me velenxa me thekë dhe postiqet e shtruara përdhe. Muret janë të tejmbushura me piktura, shumica në vaj, që më së shumti janë peizazhe dhe portrete të njerëzve të shquar të qytetit.

Loshi, një burrë i gjatë e i bëshëm, na pret te dera dhe të parat fjalë të mirëseardhjes janë: “Po miro, ardhët për traditën e s’erdhët këtu më parë o?!” Mbase ka të drejtë, edhe pse në gjestet e tij ka shenja vetëkënaqësie. “Që ta dini juve, unë punoj me klientelë të zgjedhur dhe vetëm me porosi. Ose, si i thonë ndryshe, punoj me një derë të mbyllur. S’ra celulari, nuk hapet dera këtu bre”, – mburret ai. E pyesim për menunë e restorantit dhe ai na rreshton një listë të tërë gatimesh me bazë peshku e mishi. Na tërheq vëmendjen moria e supave, si ajo me vezë peshku, tavat e ndryshme të koranit si ajo me arra, me najazmë (nenexhik), tava e krapit me vaj e uthull apo tava e ngjalës. Nga mishi veçojmë gjylbazin, mishin e derrit me lakër, mish viçi në bidon qingj me ……, etj. Para kemi nga një gotë raki rrushi safi dhe herë pas here bëjmë gëzuar. Dikush nga ne e heq me gllënjka të mëdha dhe Loshi ndërhyn me lezet: “Avash bre, të keqen. Ne këtej themi rakia përkëdhelet, vera rrëkëllehet”. Kaq u desh për të kujtuar se kishim harruar të pyesim për zakonet e të pirit. “Pogradecarët kanë qenë gjithmonë qejflinj pas pijes”, –thotë ai dhe na tregon se qëmoti çdo pogradecar kishte vreshtin e tij. Tradita e të bërit verë është mjaft e njohur, madje bashkia e qytetit organizon në fund të vjeshtës edhe një festë të madhe vere. Verë muskat, verë kështu e verë ashtu, raki rushi, manaferre, kumbulle, etj etj.

Duket sikur biseda jonë s’ka për të mbaruar kurrë, aq shumë ka për të thënë ky qytet vogël me emër parajse (fjala Poradec, sipas të moshuarve, vjen nga fjala paradiso, emër me të cilin e quajtën venecianët qytetin)

Megjithatë, pyetja jonë e fundit është përtej gastronomisë. Dëgjuam lart e poshtë nëpër qytet të thoshin se Lasgushin dikur e mbanin për të çmendur. Ti vetë, ç’mendim ke?” – e pyesim Loshin.

“Po keni dëgjuar ndonjë të çmendur, është e vërtetë”, – i vë pikën ai.