Nëse do t’ia lije asaj në dorë, do të preferonte shumë më shumë të fliste për teatrin, për rolet, për kinemanë dhe së fundmi edhe për televizionin. Por, ne e kemi ftuar të na rrëfejë për gatimet, recetat, kuzhinën. Në fillim përtypet, por pastaj i duhen vetëm pak minuta që të frymëzohet dhe të na tregojë për recetat që i pëlqejnë më shumë dhe të na gatuajë një mal me krepa. “Zakonisht krepat gatuhen sa herë që mami im nuk është në shtëpi, ose sa herë që frigoriferi është bosh. Atëherë Tea, vajza ime, fillon e ma hedh larg e larg. Në fillim vjen e më puth, pastaj më thotë: “Moj sikur na hahen ca krepa, ëëëë?”. Por nuk është se i duhet shumë kohë e mundim për t’ia mbushur mendjen, sepse Monikës i hahen edhe për vete, prandaj pa e zgjatur shumë i përvishet punës dhe pas pak minutash, krepat fluturojnë nga tigani nëpër pjata, shoqërohen me djathë të bardhë dhe shijohen në qetësi, pa u ndjekur nga qortimet e gjyshes: mos hani brumëra. “Mami im ka qenë mjeke dhe unë gjithë jetën jam ndjekur nga këshillat e saj. Mbaj mend kur kam qenë më e vogël dhe gatuaja trahana me babin. Na pëlqente më shumë në darkë vonë, e gatuar me qepë e domate dhe bukë të ndenjur. Por na duhej të duronim edhe në këtë rast mamin, që na këshillonte që darkën ta hanim në orën shtatë, që pastaj në orën dhjetë të hanim vetëm ca lugë kos. Vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite po aq vigjilente sa dikur. Nëse më sheh mua apo Tean duke ngrënë ëmbëlsira, fillon: sheqeriiii! Shkoni bëni analizat. Para disa ditësh më pa duke ngrënë qershi. Hynte e dilte e më thoshte: qershitë janë të mira, janë diuretike. Pastaj e pa që unë s’po e lija tasin dhe kisha vendosur t’ia nxirrja fundin, dhe ma këputi: Ato janë të ëmbla”.

Por me gjithë këshillat që ajo nuk ua kursen, regjimi i të ëmës e ka ndihmuar shumë Monikën që të ketë formën që ka sot. Kuzhina është në duart e saj dhe duan s’duan, Monika dhe Tea janë të detyruara të hanë shëndetshëm dhe me gramaturën e gjyshes. Por me shumë gjasa, edhe kur stafetën ta marrë Monika, pjatat që do gatuajë do jenë po ato, edhe pse do ketë ca më shumë brumëra dhe do kujtohen pak më shpesh recetat  e gjyshes dhe të hallës. “Mbaj mend kur isha 16 vjeçe, kam jetuar ca kohë njëherë të halla e njëherë të tezja, që bashkë gjyshet s’dinin kush të më gatuante më parë: njëra më bënte petulla e  tjetra palaçinka, njëra byrek e tjetra ç’t’i kërkoja. Haja aq shumë, sa shkova 76 kg. Sigurisht ka qenë periudha e vetme kur i kam shpëtuar vëmendjes së mamit”. Ama ajo kohë ka shërbyer edhe për të ngulitur mirë ca receta që nuk harrohen sot e kësaj dite, sidomos ato tradicionalet e sidomos krepat,ose palaçinkat, siç u thoshte halla e Monikës. “M’i përgatiti një ditë dhe mua më pëlqyen aq shumë sa kërkova që të m’i mësonte se si bëheshin. Dhe halla më mësoi ato dhe shumë gatime të tjera. Më mësoi kulaçin, lakrorin. Pastaj, mamaja më mësoi të bëja petët e holla”. Dhe ja ku u formua një kuzhiniere e shkëlqyer, e specializuar në gatimet e familjes. Në këtë pikë, Monika është me të vjetrën. Do vetëm receta tradicionale, sepse i gatuan më mirë por edhe i shijon më shumë. “I ngelem besnike kuzhinës së vjetër. Tradita korçare nga ana e babait dhe ajo labe nga ana e mamit, më janë ngulitur mirë, prandaj edhe më pëlqen të ngelem tek shijet e dikurshme.  I kam akoma recetat e shkruara nëpër copa letrash, që vite më parë kalonin dorë më dorë. Kam edhe librat e kuzhinës që i ka blerë mami dikur”. Ka aty receta ëmbëlsirash e biskotash, keku e amaretash, që Monika i ruan me kujdes e u rikthehet sa herë që ka dëshirë të provojë shijet e viteve më parë. “Në shtëpinë tonë janë gatuar të gjitha. Jo vetëm  biskotat apo sallami me çokollatë, por edhe pijet me verë, karafil dhe borzilok, madje edhe vera dhe rakia bëheshin vetë në shtëpi. Ishim një familje e vogël, por që nuk mungonte kurrë asgjë”. Siç ndodh edhe tani në shtëpinë  e tyre, kur pjatat gatuhen me mjeshtëri nga duart e mamasë të Monikës. Ama, kur ajo nuk është në shtëpi dhe kur frigoriferi nuk u ofron asgjë të mirë, Monika dhe Tea e kanë pjatën e tyre me fat: krepat.

Jashtë dhe brenda shtëpisë

Edhe pse i shijojnë pafund gatimet e shtëpisë. Monika dhe Tea duan po aq drekat dhe darkat në restorant. Por edhe nëse bien dakord për t’u ulur në një vend që u pëlqen të dyjave, tek pjatat që do zgjedhin vështirë të jenë në një mendje. “Tea pëlqen shumë pastat dhe ka shumë shije në zgjedhjen e restoranteve. Unë, si përherë vazhdoj të ngelem tek kuzhina jonë tradicionale. Nuk e di pse nuk e ndërroj dot. Kam tentuar të afrohem me atë franceze, por ishte e pamundur, nuk e kam shijuar dot. Ndoshta është çështje shijesh”.

Receta të modifikuara

Monikës i pëlqejnë vërtet shumë recetat tradicionale, ama i pëlqen që edhe t’i modifikojë nga pak, që të mos jenë të rënda, të mos përmbajnë shumë yndyrë dhe të jenë sa më të shëndetshme, për shembull patëllxhanët që zakonisht mbushen me qepë, Monikës i pëlqejnë të mbushura me gjizë dhe vezë, me shumë erëza, vaj ulliri e të pjekura në furrë. Edhe specat i pëlqejnë të mbushura me domate dhe vezë, që  të jenë sa më të lehtë.