Çdo ditë, pa zbardhur ende dita, Blerina del nga shtëpia. Ora 6 e 30 e mëngjesit e gjen në vendin e punës. Për të mbaruar shpesh pa kurrfarë orrari.
Nuk janë të pakta rastet kur ajo qëndron nga mëngjesi deri në darkë në punë. Aty, mbi pjatat gjithë shije, mes stafit që herë pas here merr këshillat e saj, e mes klientësh, që sapo e identifikojnë nuk ngurrojnë ta komplimentojnë: “Bravo ju qoftë!”. Dhe ajo, krenare e pashoqe, harron shpesh që në shtëpi e presin dy djemtë, Marvini 11-vjeçar dhe Etniku 5-vjeçar. Sepse kompania ku ajo punon, për të është një shtëpi e vërtetë. Plot 14 vite punë, që në kohën kur restoranti ende nuk kishte famën e sotme, e kanë bërë punën, po aq të ëmbël sa shtëpia.

Ajo rrethohet kryesisht nga “çunat”, siç i quan ajo meshkujt që punojnë me të. Kontrollon 14 njësitë e shërbimit etë kompanisë, duke garantuar cilësinë maksimale.
“Era” dhe Blerina përjetojnë një lidhje simbiotike që zor se shkëputet. Të dyja nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…

 

Një vogëli plot pasion

Nuk ka fëmijëri pa ëndrra. Dhe Blerina nuk bën përjashtim nga ky postulat.
Në vogëli ajo kishte dëshirë të bëhej mjeke. Por nuk u bë dot kurrë kirurgia që dëshironte. Edhe pse sot, nëse dikush nga stafi ku ajo punon kërkon ndihmën e parë, padyshim që e para që thërritet është Blerina.
Pasioni ngelet i tillë: janë ato raste kur ajo jep ndërhyrjen e parë. Dhe pas mjekimit, menjëherë tek inspektimi. Kuzhina në fokus: aty ku sot ajo gjen vetveten.
Por dashuria për gatimin nuk lindi nga hiçi. Në klasën e katërt Blerina gatoi për herë të parë. E priste atë ditë. E kishte ëndërruar aq shumë! Dita-ditës ia kërkonte të ëmës që ta linte një ditë aty, mes pjatash e përbërësish. Ishte më e fortë se vetë ajo.
Por nga ana tjetër, s’para gjente përkrahje, teksa dëgjonte këto fjalë: “Jo, nuk do ta bësh se ke për ta djegur”. Ndërsa babai ishte i vetmi që e motivonte: “Po nuk gabove, nuk meson, bijë”. Dhe profecia e nënës doli. Gatimi i saj i parë, pilafi, u shkrumbua. Shija ama ishte shumë e mirë. Pas pilafit, radha i erdhi gjelit të detit.

Kohë më vonë, kur ajo ishte vetëm në klasën e gjastë, në shtëpinë e dajës ndodhi një incident: nusja e dajës u aksidentua dhe në pamundësi për ta gatuar gjelin e detit, pjatën tradicionale të Vitit të Ri, e la pa bërë fare. “Nuk doja t’i lija kushurirat pa ngrënë pjatën tradicionale të Vitit të Ri. Prandaj e mora përsipër ta bëja vetë. Edhe pse s’e kisha haberin se s’i bëhej tamam. E therra vetë dhe e poqa. Kur erdhi gjyshja e vajzave qeshi. Kisha harruar t’i hiqja gurmazin”,- na tregon ajo.

Kështu nis rruga drejt suksesit. Blerina e vogël, qysh asokohe kishte një nuhatje mbreslënëse. E ndiqte të ëmën teksa gatuante dhe përpiqej të rrëmbente çdo sekret kulinarie. “Mund të them se ime më gatuan edhe më mirë se unë. Dhe ngaqë kërkonte t’i përgatiste pjatat shpejt, s’para më lejonte që të mësoja prej saj. Por unë i rrija mbrapa dhe përpiqesha të kapja sa të mundja. Edhe në lagje, sa herë që kishte për t’u bërë ndonjë byrek apo baklava, unë isha aty, kudo ku gatuhej.
Mbaj mend që nëpër fejesat apo dasmat e fisit isha kuzhinieria e parë”. Dhe kështu ia doli: për të qenë Blerina që të gjithë e njohin sot.
Ata që jetojnë në Tiranë e njohin prej famëmadhit restorant “Era”, ndërsa të tjerët edhe prej programeve televizive ku ajo shpesh është ftuar në cilësinë e jurisë, për të vendosur mbi shijet e ndryshme…

 

Sakrificat e përditshme

Blerina e ka origjinën nga Kosova, por jeta e saj lidhet më së shumti me Kavajën, aty ku u lind dhe u rrit. Nxënësja e mirë dhe aktive e shkollës 8-vjeçare “Fiqiri Kuri”, komandantja e përhershme e klasës, zgjodhi të ndiqte shkollën e mesme për “Teknologji Ushqimore”. Dhe ç’sakrifica bëri për të! Çdo ditë, qysh në orët e para të mëngjesit bëhej gati e nisej për në Durrës, ku gjendej shkolla. Vajtje-ardhjet nga Kavaja për në Durrës, megjithatë i shërbyen shumë: në shkollë ajo mori njohuritë e mjaftueshme për pjesën teknologjike.
Një vit më vonë, në vitin 1993,  kushurinjtë e saj nga Kosova hapën një furrë buke në Kavajë. Furra prodhonte rreth 1600 bukë në ditë dhe kishte një staf prej 5 vetash. Nuk ishte si gjithë të tjerat. Ndoshta edhe sepse me menaxhimin e saj, me stafin apo gjithçka tjetër që hynte e dilte në atë furrë merrej Blerina. Dhe si atëherë, ashtu edhe sot: Blerina nuk di të lodhet! Kjo është receta e saj.

Puna nuk e ka trembur e as turpëruar ndonjëherë. Nuk ngurron ta pranojë që është marrë edhe me punë dore që ia shiste më pas italianëve. Deri sa nisi punën në restorant. Një periudhë e shkurtër në një restorant e më pas tek “Era”. Ishte vitit 2002, kur ajo nisi punën në këtë kompani pas 10 ditë prove.
Edhe atëherë, në pamje, ishte njësoj si tani: me flokët përpjetë, mbante xhinse dhe ndoshta look-u e bënte më të veçantë.
“Më pëlqyen këtu kushtet e punës, garancia dhe nisa me shumë dashuri. Flasim për një kohë të vështirë: mentaliteti i kohës e kishte të vështirë që një femër të punonte në restorant. Veçmas, edhe klientët nuk kishin shumë njohuri rreth ushqimit të mirë. Kanë qenë vite kur rukola në Tiranë nuk njihej fare”. Tani kohët kanë ndryshuar. Frekuentuesit e restoranteve i njohin të gjitha. Shijojnë ushqim të mirë dhe kanë kërkesa për përsosmërinë, që Blerina e njeh në majë të gishtave…

 

2 receta për 2 djemtë

Lazanja Marvin dhe Çokollata Niki, dy recetat që i gjeni në fund të këtij shkrimi nuk janë tjetër gjë veçse njëfarë falënderimi për dy djemtë e saj.
Lazanja Marvin është vegjetariane dhe Blerina e ka krijuar enkas për djalin e madh, ndaj mban dhe emrin e tij. Dhe si për çudi, edhe Marvin është vegjetarian. Ndërsa çokollata Niki, me mollë dhe kanellë, mban shkurtimin e emrit të djalit të dytë Etnik. “Është dhe e ëmbël dhe e hidhur, ashtu si Etniku”.
Dhe dy recetat, që dikur u krijuan nga ajo për dashurinë e madhe ndaj dy djemve, sot nuk janë më private. Recetat janë përhapur, aq sa shumëkush mund t’i përgatisë edhe në shtëpi.

“Mami im ka trupin e një mashkulli dhe mendjen e një femre”, - janë fjalët e sinqerta të djalit të madh. Ndoshta kjo e bën Blerinën edhe më të suksesshme. Në punë ka korrektësi gjermane, dallohet për karakterin e fortë të një mashkulli, ka brishtësinë e një femre…mund ta quajmë heroinë?

Të paktën për punonjësit dhe klientët e Erës ajo është e tillë. Jo më kot mbiemri i saj ka ndryshuar. Në vajzëri mbiemri i saj ishte Çollaku, u bë pastaj Kasemi, derisa sot pjesa më e madhe e njohin si “Blerina e Erës”…