Një seminar 1-ditor ka mbledhur të gjithë specialistët e pastiçerisë dhe sipërmarrësit e kësaj fushe në ambjentet e Institutit Kulinar Neranxi. Sapo hyn në ambientet gjigande të kësaj kompanie, ndihet aroma e ushqimit, nevoja për të plotësuar një nga dashuritë më të mëdha dhe të sinqerta të njeriut. Aromat e ëmbëlsirave që po përgatiten “live” para të ftuarve t’i zgjojnë të gjithë shqisat, ndërsa ke dëshirën për të hequr pallton dhe për t’u rehatuar para një melamakaroni…

Seminari

Dhjetëra palë sy janë drejtuar tek shefja e pasticerisë e mbërritur enkas nga Greqia, si rezultat i bashkëpunimit të Neranxit me kompaninë greke Bousmalis. Një grua e fisshme, me një pamje të sigurt teksa përgatit një bakllava greke me çokollatë.
Nuk mund dhe nuk do të doja të isha në një vend tjetër...bakllava me çokollatë. Ndërsa “gozhdohem” aty së bashku dhe me njerëz të tjerë të cilët shënojnë çdo hap të përgatitjes, kanë kaluar disa orë.

Nga mëngjesi deri në orët e pasdites ambientet e Kompanisë Neranxi u shndërruan në një parajsë: Bakllava, Kadaif, Bakllava me çokollatë, Kurabie, Melomakarona, Kiounefe dhe Pite me kadaif mocarella dhe  krem djathi u përgatitën para qindra profesionistëve të fushës.

“Kam udhëtuar 100 km për të parë se si përgatitet Revania e Verias”, thotë një sipërmarrës i njohur me një rrjet të gjerë pastiçerish në të gjithë vendin. Një ëmbëlsirë e shkrifët, e shijshme dhe me shërbet të aromatizuar me arrë kokosi dhe portokall. “Duhet të qëndrojë një ditë-natë para se të serviret’, më thotë një grua me të qeshur e cila ka vërejtur shikimin tim.
“Ti e di që unë nuk mund të shaj me zë të lartë tani, këtu apo jo?”, i përgjigjem gjysmë e inatosur…

“Ne si popull kemi një dashuri të madhe për ëmbëlsirat, sidomos ato tradicionale, por gjithsesi pjesëmarrja ishte surprizë për ne”, më thotë një nga organizatoret e seminarit. Ndërkohë të tjerë njerëz hyjnë në sallën e madhe e cila mbushet dalëngadalë me aromë ëmbëlsie, me aromë festash…dhe askush nuk dëshiron të largohet prej aty.