Ndonëse njihet mes miqsh si nje kuzhiniere e përkryer, Majlinda Bregu duket sikur nuk është personazhi ideal i rubrikës “të gatuajmë në çift”.
-Epo ne nuk gatuajmë në çift, ne hamë në çift!- iu përgjigj me humor kërkesës sime për të qenë protagoniste e kësaj rubrike. Ama, nuk ndenjti pa e thënë se një kontribut të rëndësishëm edhe ka edhe i shoqi në procesin e saj të gatimit. Nuk qëron qepët e nuk i pret mbi një dërrasë druri, në krah të gruas tek ajo është përqendruar mbi avujt që lëshon tigani, as nuk i “ngatërrohet nëpër këmbë” teksa ajo sillet rrotull nëpër kuzhinën e bardhë që e ka ndërtuar pas shijes së vet. Namik Ajazi është thjesht te dera e kuzhinës, teksa e shoqja i jep listën e përbërësve të gatesave që do të përgatisë dhe gjithë duke përfytyruar çastin kur do të ulet në tryezë, vete-vjen nëpër supermarkete, pikërisht tek ato ku përbërësit janë ato të cilësisë së duhur. I njeh, pas kaq vitesh, se cilët janë më të mirët dhe këtë punë e bën sic duhet, veç nëse nuk do të llogarisnim maninë (ndoshta tipar mashkullor) për të blerë me sasi të mëdha, për t’i mbushur torbat plot pa e vrarë mendjen se shumëçka prej produkteve që sjell në shtëpi edhe mund të prishen, ngase përdoren vetëm një pjesërisht. Hera-herë ai nuk ka nevojë as për listë, thjesht ka marrë nga zonja e shtëpisë emrin e recetës që ka vendosur (apo të dy e kanë vendosur) të gatuajë dhe niset për në dyqan, krejt i qartë se çfarë duhet të blejë. E tani, a jemi te personazhet e duhur të rubrikës “të gatuajmë në çift”? Ka të ngjarë që po. Aq më tepër po të shtojmë dhe faktin që vera është krejtësisht sektori i burrit të shtëpisë, që nga lloji që zgjedh, ngjyra a shija që duhet për të shoqëruar pjatat e caktuara e deri te hapja e shishes dhe mbushja e gotave kur burrë e  grua (vetëm qofshin, me fëmijët apo më grupin e madh të miqve që mund të ketë tejmbushur shtëpinë e sidomos verandën mbrëmjeve të ngrohta të verës) ulen në tryezë.

Qysh kohë më parë
Të gjithë në familjen e Majlinda Bregut gatuajnë mirë. Ornela, motra e mesme e ish-ministres ka të ngjarë që të ketë madje edhe një cilësi më shumë: gatuan edhe ëmbëlsirat të cilat Majlinda nuk i ka fare në listë. Pastaj mamaja... Patjetër mamaja, se fundja nga e mësoi Majlinda gatimin. “Më kujtohet,- thotë ajo - shtëpia jonë gjithnjë plot me njerëz, miq kushërinj të afërm që mblidheshin dhe rrinin për darkë a për drekë të dielave. Dhe mamaja gjithnjë duke gatuar”. Në prag të Vitit të Ri, nuk bëhej vetëm një bakllava. Ishte mamaja që si një magnet me fuqi të madhe thithëse, mbillte rrotull zonjat e tjera të shkallës që bëheshin bashkë në shtëpinë e prindërve të Majlindës me kërkesën që të caktohej një ditë edhe për bakllavanë e tyre. Dhe askush nuk mërzitej, askush nuk lodhej nga rrëmuja e pështjellimi nëpër dhomë ndjejtje-kuzhinën e kohëve të dikurshme. As Majlinda, edhe pse në fillim, e vogël e pastaj më e rritur, mund të kishte angazhime të mëdha shkolle. Pavarësisht kësaj i pëlqente te përfshihej. Dhe kështu ca nga ca, në fillim duke parë e më pas duke u bërë vetë pjesë e procesit të gatimit, ia mori dorën.

“Kam qenë në klasë të gjashtë kur kam filluar të gatuaj vetë. Pushimet e verës...”. Mamaja ia linte gjërat gjysmë të gatshme, i jepte vajzës së madhe ca porosi dhe ajo e çonte vetë në fund procesin. Më mirë që vajzat të hanin një gatesë të freskët sesa gjellën e bërë qysh një natë më parë. “Dhe kështu fillova, derisa një ditë i thashë mamasë se nuk kishte nevojë për asnjë parapërgatitje. Do ta bëja të gjithën vetë.” Të parat s’qenë kushedi çfarë të mira. Herë -herë ajo, harrohej pas ndonjë libri që e kishte përthithur, dhe gjella digjej. Tjetër herë nuk ia llogariste dot sasinë e kripës. Por shumë shpejt gjërat zunë vendin e vet. “E tani më duket se kam gjithë jetën që gatuaj”. A mos do të thotë se i “ka ardhur në majë të hundës”? Absolutisht, asnjëherë në asnjë çast. Gjithnjë, sa herë duhet të niset drejt kuzhinës ka një ndjesi mirëqenieje shpirtërore që e shoqëron. Aq sa ndodh që, qëllimisht të niset për në kuzhinë, momenteve të një gjendjeje paksa të rënë apo të lodhur, për të fituar aty energjinë dhe humorin e duhur.

Dikur, në një çast, mendoi se mund të fuste në punë këtë pasion të sajin. I shkoi ndër mend që të hapte një restorant. Ua tha miqve, të gjithëve e përmbushur nga ideja. Por ata e dekurajuan të gjithë: ti kujton se të mbash një restorant do të thotë të rrish në kuzhinë e të gatuash? Eh jo, do aftësi të forta menaxheriale. Nuk do ta administrosh dot.” Dhe ideja mbeti në stadin e fillimit. Porse, si për ta zëvendësuar, njëfarësoj për ta ndjerë vetën si “e zonja e një bujtine”, sa herë mundet, e mbush shtëpinë më miq dhe gatuan për ta.

...Ka sigurisht gatimet e saj të preferuara. “Në fakt gatuaj çdo gjë. I hyj çdo lloj procesi gatimi sado i gjatë apo i vështirë të jetë”. Nuk është nga ai tipi i grave që përgatisnin bumin me maja dhe e lënë të pushojë pas disa orësh, kur ai është gati, pritja e gjatë ia ka fikur dëshirën për të gatuar. Nuk e bezdis fakti që mishi duhet marinar, nganjëherë edhe 24 orë. Të nesërmen, kur mishi është gati ajo ndjehet me të njëjtën energji dhe dëshirë për të gatuar si një ditë më parë kur e ka vënë mishin në një enë me vaj, limon e erëza që të pushojë në një enë porcelani të mbuluar me letër alumini. Ka veç një gjë që nuk do ta gatuajë: lepurin. Por jo për arsye të vështirësisë. Kur e gatoi për herë të parë, ashtu i rrjepur dhe i pa gatuar mbi pjatancë, pamja e lepurit i krijoi një ndjesi të pakëndshme. Dhe i tha: stop! Jo më. Pastaj, të tjerat nuk përjashtohen. Duke filluar nga kuzhina tradicionale:  Ndryshe nga ç’komentojnë njerëzit ajo i do bamjet, tavën me to. I do të mbushurat por ku bën të tilla krijon një tavë shumëngjyrëshe: dy speca të mbushur jeshilë, dy domate, dy kunguj... Dhe pastaj imam bajalldia krijon tek ajo të njëjtën ndjesi që, sipas legjendës, pat krijuar edhe tek imami i famshëm kur e provoi për herë të parë. Por edhe fasulet nuk harron t’i shtojë në listë. Salcës tipike me qepë domate dhe erëza i shton ullinj dhe në fund (gjithnjë në pjatë se nuk mund t’ia japë fëmijëve) edhe specin djegës. Sepse pikantet në fakt i ka preferencë. Gatuan edhe qiqrat: i bën salcë, pasi i zien i frulon, i shton piper kripë, vaj ulliri dhe djathë... Gatuan pra.

Duart larg nga të ëmblat!

Po, e ka një gjë që as nuk di e as nuk do ta gatuajë: ëmbëlsirat. “Nuk i shijoj,- thotë – s’kam ngrënë kurrë një copë bakllava. Por jo vetëm. E shumta ëmbëlsirë që mund ta ha është ndonjë katror çokollate e zezë.” Aha e ka një përjashtim edhe këtu: gatuan ndonjë krem brule dhe sidomos strudelin. Mollët mbeten shpesh të paprekura në koshin e frutave dhe ajo nuk do t’i çojë dëm. Por mbi të gjitha e gatuan sepse ia do e bija. Sa për preferencat e tjera të fëmijëve në lidhje me ëmbëlsirat hyn në lojë tjetërkush: Mamaja ose e motra, Ornela që është një pastiçerie me P të madhe.
Gjithsesi kjo mangësi nuk ia ul pikët Majlindës. I kujtohet e bija që i tha, këtu e tetë vite të shkuara kur ajo u emërua Ministre integrimi: e kush do të na gatuajë tani? Sepse në fakt koha në dispozicion të kuzhinës me të vërtetë u minimizuar asokohe. Por copëzave të vogla të kohës ai ia përmbushte kërkesat familjes. Madje ndodhte që edhe t’i hynte punës për ndonjë byrek. Gjithsesi, tashmë duket se ka ardhur një kohë tjetër, së paku për momentin është “koha e artë” në familjen e Majlindës, qoftë për fëmijët qoftë për bashkëshortin . Ajo gatuan përditë, kurse i shoqi, me të ndjerë aromat që mbërrijnë nga përtej derës me kuadrate të vegjël xhami që ndan kuzhinën nga dhoma e ndenjes, të cilat lajmërojnë se dreka është duke u shtruar, hap dollapin e verërave, zgjedh një shishe dhe ulet i pari të tryezë teksa Majlinda shtron pjatat.
Vetëm pak ditë në parë, në mesditën e një të premteje të ngrohtë tetori, ne ishim mysafirë të çiftit Ajazi-Bregu, dhe shijuam antipastën e ngrohtë me rrepa dhe makaronat me fileto dhe asparag të shefe Majlindës, padyshim të shoqëruar me verën që vuri në tryezë i shoqi...

Aksesorë dhe libra
Është një shtëpi tipike amvise. Nga ato amvisa të përkushtuara ndaj shtëpisë që nuk harrojnë asgjë. Dhe jo vetëm aksesorët e duhur, por të njëjtën aksesorë të përsëritur që ndryshojnë nga format e dorezave apo ngjyrat. Kavanoza të vegjël porcelani të pikturuar mbushur me erëza ekzotike nga vende të largëta; mbajtëse kripe e piperi me formën e mollës së kuqe apo të një fruti tjetër... vazo të lloj llojshme e thika nga më të çuditshmet... E pastaj servisët feminist të zgjedhura, mbulesat e tryezave e deri të dorëzat e qëndisura për të hequr tavat e nxehta nga furra... Xhingla, të shpërndara nëpër kuzhinë i japin një shije tjetër mjedisit që duket sikur falë këtyre vogëlsirave, që shërbejnë edhe për dekorim, ndikojnë edhe për të nxitur oreksin apo shijimin e pjatave...
Dhe pastaj erëzat. “Plantacioni” i Majlinda Bregut është në tarracë. Pema e limonit patjetër, porse një shkurre rozmarine ka filluar të rritet aq shumë dhe ka nxjerrë ca lule lejla që e zbukurojnë mjedisin. Është edhe livandoja pak më tutje ani pse jo për t’ia hedhur pjatave. Një vazo e vogël me borzilok më tutje, kopra, majdanozi... të gjitha janë nëpër vazo, edhe pse erëzat e thata janë gjithashtu nëpër enëzat e porcelanit në kuzhinë.
Një kënd i vogël librash tërheq vëmendjen më tepër nga ngjyrat. Njëri prej librave, botim luksoz i trashë me pamje me të vërtetë estetike gjithë foto oreksndjellëse, duket shumë i përdorur. Por jo. Sepse në fakt edhe pse librat janë, Majlinda rrallë i merr për t’i shfletuar. E pse fundja, kur është vetë një libër i gjallë kuzhine? “Atë libër e ka mbajtur shumë nëpër duar djali i vogël i tërhequr nga ngjyrat e gjalla të fotove”- më thotë duke qeshur. E megjithatë është gjithnjë gati të blejë një libër të ri kuzhine: le të jetë në shtëpi, ku ta dish...