Sa e përhapur është në Shqipëri  kultura e të konsultuarit me një arredues apo ideator për mobilimin e shtëpisë?
Kultura e të konsultuarit me një arredues ka filluar të përhapet në Shqipëri në vitet e fundit, jo thjesht konsultimi me të, por bërja e një projekti të plotë të interierit të një shtëpie. Ka filluar të shtohet sepse janë ndërgjegjësuar njerëzit.
Eksperiencat e viteve të kaluara ku e kanë mobiluar shtëpinë vetë dhe më vonë u është dashur ta imobilojnë, ka bërë të ndërgjegjësohen dhe të mendojnë se të projektuarit nga një profesionist i fushës mund të japë një rezultat shumë më të mirë, por edhe t’i kursejë.
Sepse arkitekti, përveçse bën projektin që ka të bëjë me funksionin dhe me estetikën, bën edhe rolin e menaxherit. Pra, ai di ku duhet harxhuar, ku ta marrë mallin e importit italian dhe e di ku ta prodhojë në Shqipëri.
Cili është trendi i fundit i arredimit për këtë fundvit?
Trendi i arredimit të fundvitit mbetet i njëjtë, nuk ka ndryshime të mëdha. Ndonjë trend që e shoh vërdallë në Tiranë, mund të them se po eleminohen ngjyrat e shumta të përdorura të gjitha njëherësh. Ka një tendencë tek të shkuarit më shumë tek argjendi, tek zbukurimet e vitit të ri të argjendta dhe jo me shumë ngjyra tradicionale si vitet e kaluara.
Pastaj, atmosfera e Vitit të Ri është e njëjtë prej vitesh, e mbase prej shekujsh.
Disa arredues shqiptarë kanë arritur në përfundime se shqiptarët kanë shije të ngjashme dhe kanë një tendencë për t’i ngarkuar sa më shumë shtëpitë e tyre me mobilje, ndonjëherë edhe të panevojshme. Cili është mendimi juaj për këtë?
Në lidhje me shijet e shqiptarëve për ta ngarkuar me sa më shumë objekte shtëpinë, ka të bëjë me rastin kur ajo nuk arredohet me arkitekt. Shumë aksesorë pa lidhje me njëri-tjetrin, një në një vend dhe një në një vend tjetër. Përgjithësisht, në këto raste ndodh kjo. Përsa i përket pjesës nëse i bëjnë shtëpitë si njëri-tjetri, ka qenë shumë e theksuar vitet e kaluara në Shipëri ky fenomen.
Por, ka një përmirsim dhe tashmë nuk duan ta mobilojnë shtëpinë njëlloj si të afërmit e tyre, por vetëm disa elementë.
A aplikohen tendencat e fundit në arredimin e shtëpive, apo njerëzit vijnë me ide dhe u përmbahen fort atyre  pavarësisht trendit?
Jo, njerëzit nuk janë gjithmonë me ide të qarta. Në ditët e sotme interneti ka bërë të veten dhe ndaj njerëzit vijnë me imazhe të gatshme në mendje. Kjo gjë është gabim deri diku, sepse imazhi që mund të kenë gjetur në internet nuk u përshtatet me planimetrinë, me orientimin e shtëpisë e veçanërisht me dritaret nga hyn drita, apo me madhësinë e shtëpisë.
Kështu që, ata mund të vijnë me një ide sa për t’i dhënë mundësinë arkitektit të kuptojë se ku qëndrojnë ata si stil, por jo gjithmonë u duhet qëndruar strikt ideve të klientit. Kjo, sepse ata nuk e di që kjo punë nuk është aq e thjeshtë sa të gjesh një imazh të gatshëm në internet.
Në lidhje me tendencat e fundit, ajo mund të jetë disa vjeçare, përshembull 5-vjeçare në lidhje me mobiljet. Gjithmonë, kur arredojmë shtëpinë nuk mund të flasim për tendencat e fundit, sepse shtëpia nuk bëhet pranverë-verë dhe vjeshtë-dimër, si veshjet. Për shembull, kuzhina mund të bëhet një herë në pesëmbëshjetë vite.
Është një pyetje e cila më bëhet gjithmonë nga kategori të ndryshme njerëzish, që më logjikën e modës pyesin edhe për interierin. Por jo, logjika është e ndryshme.
Cilat janë kombinimet ideale të ngjyrave për dhomën e ndenjes dhe kuzhinën? Dhomën e gjumit? Banjon?
Kombinimet e ngjyrave ndryshojnë në bazë të hapësirës dhe në bazë të stilit. Në hapësirat e vogla nuk mund të përdorësh disa lloje ngjyrash. Në kuzhinë dhe në dhomën e ndenjes që vijnë së bashku, ajo që këshilloj unë, është që të mbajnë neutrale disa faqe të murit, dhe të përdorin ngjyrën e theksuar vetëm në një faqe muri, kryesisht aty ku ndodhet televizori. 
Për shembull, mund ta ruajnë bezhë të gjithë ambientin e sallonit dhe të përdorin të gjelbrën në ulliri vetëm faqen e murit ku është vendosur televizori. Mund të përdoret edhe faqja e murit nga mbrapa këndit dhe të shtrohet me panorama.
Në lidhje me dhomën e gjumit, tek kjo e fundit mund të guxosh me ngjyrat. Për shembull, në rastin e dhomave të vogla qëndrojmë sërish tek ngjyrat e buta, por mund të përdoret edhe një lejla e hapur, apo komplet një jeshile e hapur.
Por, kjo varet edhe nga stilet. Stili klasik pastaj qëndron gjithmonë tek të butat, tek pastelët, tek pana etj. Banjoja, kur është e gri apo bezhë e errë dhe ka edhe ndriçim, ngjan shumë më qetësuese.
Tapeti është një aksesor shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Çfarë formash, dizajnesh apo materialesh sugjeroni ju?
Tapeti është i rëndësishëm dhe në lidhje me format mbetet gjithmonë drejtkëndëshi , ne mënyrë që ta përmbledhë ambientin. Kjo, sepse rrethori nuk e përmbledh aq shumë dhe mund të jetë më shumë për një dhomë gjumi ku ka pak hapësirë. Për sa i përket materialit, më të mira janë materialet mëndafsh të sixhadeve, por ato janë të kushtueshme. Ka gjithashtu edhe tapetë industrialë që janë cilësorë.
Si duhet të jetë ngjyra e murit në raport me atë të mobiljeve?
Nëse qëndrojmë tek ngjyra e mureve neutrale, gri apo bezhë, kjo gjë na lejon pastaj të përdorim ngjyra apo materiale të ndryshme në mobilje. Pra, muri është sfondi që e unifikon dhe ky është praktikisht parimi: neutrale tek muret dhe ngjyra në mobilje.
Dhe kur është fjala për zgjedhjen e materialeve sugjeroni drurin apo materiale të tjera?
Kombinim. Druri është shumë i bukur dhe gjithmonë në modë. Druri i arrës apo i lisit janë të preferuarit e mi për shkak të ngjyrës së tyre natyrale, por edhe për shkak të nuancave apo ujërave që ka druri original. Dhe, nuk zëvendësohet me asnjë lloj imitimi laminat apo veshje rimeso.
Kombinime sugjeroj sidomos tek pjesa e kuzhinës, ku zakonisht pjesën e poshtme të saj e bëjmë me dru arre për shembull, dhe për pjesën lart sugjeroj MBF që është me lyerje mat ose me shkëlqim dhe e bardhë.
Zakonisht, druri me të bardhën është kombinim ideal, ose edhe me të zezën. Ndërsa, një kuzhinë komplet e bardhë do të ishte tmerrësisht e mërzitshme.
Pastaj, apartamentet e vogla me një mobilim tërësisht me dru nuk do ta përballonin dot. Kështu që, kjo varet shumë nga hapësira, sepse në një ambient të hapur mund të përdorësh edhe gjithçka me material druri dhe ajo do të ngjajë sërish këndshëm.
Në çfarë mase përdoren veprat artizanale apo pikturat si pjesë e mobilimit të shtëpive në Shqipëri?
Përdoren dhe ka njerëz që janë të apasionuar, dhe për këtë grup njerëzish që kanë pasion artin, pikturën apo instalacionin, përdoren goxha. Madje, ndonjëherë edhe teprohet me to, duke e bërë shtëpinë të ngjashme me një ekspozitë. Kjo ndodh kryesisht kur japin nga vetja më shumë të zotët e shtëpisë se sa arkitekti.
Për shembull ai mund të përdorë një pikturë drejtkëndëshe të madhe sipër këndit, dhe ndërkohë klienti preferon të vendosë pesë piktura të vogla radhazi. Por, përgjithësisht shqiptarët janë të fiksuar tek këto objekte.
Cilat janë stilet ideale për mobilimin e dhomës së gjumit? Çfarë këshilloni të ketë në një dhomë gjumi si një gjë “must”?
Dhoma e gjumit ka një zgjidhje që të jetë sa më pak e ngarkuar me mobilje: me një garderobë që të eleminohet çdo gjë. Ose nëse është një dhomë gjumi relativisht e vogël, zgjidhja është një dollap nga njëri cep në tjetrin.
Pastaj nësë ajo është shumë e vogël, sugjerohet krevati në mes dhe dollapi vazhdon nga të dyja anët dhe tek pjesa e sipërme duke lidhur dy anësoret. E sugjeroj gjithmonë dhe nuk është asnjëherë e tepërt, pavarësisht se shpesh klientët janë skeptikë për këtë.
Kështu, shmanget rrëmuja e madhe, sepse fundja dhoma e gjumit duhet të jetë një ambjent çlodhës dhe prandaj sugjerohen sa më pak mobilje. Mund të qëndrosh neutral në mure dhe tek materiali i dollapit, mund të luash me kuvertën dhe me perden. Aty mund të shpërthesh me ngjyrat në dhomën e gjumit.
Letra murale është një element dekori shumë i veçantë. A përdoret ajo nga shqiptarët? Çfarë janë më në modë për momentin?
Letra murale ka pasur një bum para disa vitesh. Ajo sugjerohet më shumë për stilin klasik dhe pëlqehet nga shqiptarët. Kjo, sepse shqiptarët në fakt duan të jenë “aristokratë.”
Ka një rënie të përdorimit të saj vitet e fundit, por është diçka që vjen e shkon, sepse letra e murit është një nga ato aksesorë që do të përdoret gjithmonë. Por, është zëvendësuar me printimin e një faqeje muri totale. Pra, letra murale është më shumë për klasikët, ndërsa modernët preferojnë së fundmi një faqe muri të printuar në vend të saj. Dhe ajo ngjyra e veçantë e faqes së murit, shumë mirë mund të zëvendësohet edhe me një printim.
Cila vjen e para: materiali apo ideja e projektimit dhe dizajni?
“Form follows function” është një thënie e Mies van der Rohe, që është një nga baballarët e modernizmit në arkitekturë. Kështu që forma ndjek funksionin.
Bëhet funksioni fillimisht, ndahet zonimi i ambjentit ku do të jenë të gjitha funksionet e caktuara me përmasa, pastaj kalohet tek materiali dhe tek dizajni që do të kenë. Kuptohet, arkitekti i mendon paralelisht, por kur ia parashtron klientit, duhet që të bien dakort se duhet punuar me faza. Unë kështu punoj dhe kështu duhet punuar që të kesh një bashkëpunim sa më të mirë që të jetojnë të gjithë të lumtur në fund të projektit.
Pra, punohet funksionalisht dhe më pas kalohet tek pjesa e dizajnit. Ka shumë njerëz që mendojnë se arredimi është vetëm zbukurim. Por jo, sepse arkitekti është njëkohësisht menaxher dhe projektues teknik. Pastaj kalohet tek dekorimi dhe në fakt ajo është pjesa më e bukur. Fakti se pse deri vonë shqiptarët nuk kanë marrë arkitekt, ka qenë sepse janë gënjyer se femrat mendojnë gjithmonë se janë stiliste ose interior dizajner.
Nuk mjafton të kesh gusto për të mobiluar një shtëpi.
Jeni më shumë për hapësirat boshe ku shtëpia të marrë frymë, apo për “mbushjen”?
Më shumë jam për hapësirat e mëdha, ku zona e ditës është e gjitha e hapur dhe zonimi bëhet me anë të funksioneve, mobiljeve dhe estetikës bashkë.
Mendoni se lulet apo bimët  e ndryshme janë një aksesor i rëndësishëm për shtëpinë? Dhe cili është vendi ideal për t’i vendosur ato?
Janë të rëndësishme kur është luksi për t’i përdorur. Vendi ideal është në koridor tek holli nëse është hapësira dhe mbi të gjitha nëse përdoren bimë që nuk kanë nevojë për dritë, si dhe pranë ballkonit ose në ballkon. Në rastin e vilave, sigurisht në kopësht apo verandë, nëse kanë luksin të kenë këto vende ekstra. Janë të rëndësishme, japin shumë gjallëri dhe janë pjesë e dekorit në rast se përdoren.
Sa është kostoja e mobilimit të plotë një shtëpie mesatare?
Kostoja e mobilimit të një shtëpie është e diskutueshme. Së pari lidhet me sipërfaqen. Më pas, e njëjta sipërfaqe mund të mobilohet me çmime të ndryshme varësisht materialeve.
Pra, po i njëjti projekt por me materiale të ndryshme mund të lëvizë shumë përsa i përket çmimit. E përsëris edhe një herë, që është akritekti ai që përveçse projektues, duhet të jetë edhe një menaxher i mirë i projektit.
Jo domosdoshmërit çdo gjë duhet të jetë patjetër për shembull nga Italia, sepse edhe në Shqipëri janë futur teknologji të thjeshta. Përpos kësaj, nuk është edhe e nevojshme të shpenzosh për disa gjëra.
Tavolinat, dollapet apo soxhornot sugjerohet të bëhen në Shqipëri, ndërsa përsa u përket karrigeve, ndriçuesve apo aksesorëve, sigurisht që janë më cilësorë mallrat e importit.
Pra, kostoja ndryshon varësisht këtyre faktorëve, veçanërisht kur shtëpia fillohet nga zero.
Intervistoi: Genta Dobra                                        
Luan Aliu është arkitekt, dhe aktualisht është drejtues dhe bashkëautor i emisionit “Sfida imobiliare”. Ai ka studiuar në Izmir të Turqisë, dega arkitekturë në “Institute of Technology”. Në fund të 2011 u kthye në Shqipëri, ku mori pjesë në shumë studio dhe showroom-e të ndryshme që kanë ekzkluzivitetin e firmave italiane, ku dhe ka marrë eksperiencën e interierit. Është i njohur gjithashtu jo vetëm në botën e televizionit, por edhe në atë të modelingut.