E para është Kalaja e Rozafës. Na shfaqet madhërishëm pak para se të hyjmë në qytet: atje lart, mbi faqet e pjerrëta të kodrës shkëmbore, në hyrje të qytetit, Kalaja e Rozafës me muret e lartë të josh dhe ti i jepesh pa u menduar dy herë. Pastaj ca copëza mendimesh që ngatërrohen me përshtypje personale dhe historinë, që e njeh këtë kështjellë me këtë emër që nga Mesjeta gjatë së cilës u pushstua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët, këto dhe disa mbresa të tjera nuk marrin shumë kohë pasi Shkodra ka nisur… Nga kryeqyteti, për vetëm një orë e gjysmë gjendesh në Shkodër. Rruga na e do që, fillimisht në Shkodër të ndeshim zonjushat, zotrinjtë e zonjat, çunakët e vajzat shkodrane majë biçikletave që rrëshkasin mbi asfaltin e qytetit. Jemi në qytetin e biçikletave. Kështu mund ta quash pa frikë Shkodrën. “Një familje ka të paktën dy biçikleta në shtëpi”,- na tregon më pas një shkodran i ri, një djalosh tek rreth të 20-at. Thuhet se biçikleta e parë në Shqipëri ka ardhur pikërisht në Shkodër, nga një konsull nderi suedez, që në vitin 1907 është parë të lëvizte me biçikletë mbi kalldrëmet e qytetit. Që atëherë, kushdo i pasur që dilte jashtë shtetit, nuk ngurronte të sillte me vete dyrrotullaken, siç quhej fillimisht. “Qytet që ecën mbi rrota”,- dëgjohet të thotë njëri prej nesh në makinë. “Dhe shumë i pastër”,- ia pret tjetri. Tek restorant “Tradita”, që është destinacioni ynë i parë në Shkodrën gastronomike, me Raimondën e nisim pikërisht nga këtu bisedën. “Po, është shumë i pastër,- na tregon ajo,- gjithnjë nëse e krahasojmë me qytetet e mëdha dhe jo me ato të vogla, si Puka për shembull, që sigurisht është shumë herë më i pastër”. Rrufisim kafenë e mëngjesit dhe nisim të gjezdisim nëpër ambientet e hotelit dhe restorantit, ku kemi mbërritur për traditën shkodrane… Për traditën? E ku më mirë se këtu…

 

Tradita shkodrane

Pas një shëtitjeje të vogël nëpër qytet, me shikime të ngujuara sa nëpër disa ndërtesa të tipit socialist e sa në godinat e reja shumëngjyrëshe, e gjejmë veten në rrugën “Edith Durham”, tek “Tradita Geg dhe Tosk”. Me një bar, restorantin autentik dhe muzeun e parë që gjen ngado ky vend nuk mund të të mos surprizojë. Restoranti me një menu shqiptare, hoteli ku vlerat bashkëkohore së bashku me arkitekturën tradicionale krijojnë një kompleks të veçantë. Kjo është arsyeja pse gjatë vizitës sonë hasim jo pak turistë: disa që tërheqin valixhet dhe lënë hotelin, e të tjerë që degustojnë gjithfarë shijesh në hijet që krijojnë disa rrënjë ulliri në pjesën e mbrapme të restorantit. Fillimisht takojmë Mondën, bashkëshorten e Gjon Dukgilaj, ideatorit të këtij vendi. Na thotë se Gjoni nuk vonon shumë. Teksa muhabetosemi, në pritje të përsonazhit tonë Gjon, Monda na rrëfen diç për traditën kulinare shkodrane. Sipas saj, për hir të begatisë së krahinës, si qepët e Drishtit, zona e Shllakut, Reçit, perimet e Oblikës etj., kulinaria shkodrane është shumë e shijshme. Nën këto ujëra na gjen Gjoni, që na shkëput nga biseda dhe bën që të kthehemi të gjithë nga ai. E shikojmë teksa hyn nga porta e drunjtë, në sallën brenda restorantit, fare pranë skarës që djeg drutë dhe e bën atmosferën mbreslënëse. Gjoni, një burrë tek rreth të 50-at, pa flokë, ndoshta me këtë përshkrim nuk ju lidh aspak me pamjen që na ofroi aty. Gjoni na bashkohet i veshur me kostumin popullor të zonës: vetëm qeleshja i mungon, gjithë elementet e tjerë i ka- këmishën me motive popullore, brezin e punuar me dorë etj. Përshëndetemi dhe nuk i mbajmë për vete përshtypjet e para tek e shohim me atë veshje. Ai na tregon se nuk jemi të vetmit që bëjmë çudi. Para disa kohësh, ai ka provuar të dalë mes rrugëve të Belgjikës me këtë veshje dhe aty ka ndeshur shumë shqiptarë që e kapnin rrugëve dhe i kërkonin një foto. Pastaj biseda përqendrohet pakëz tek ky ambient i veçantë. “Si një shkodran krenar per traditën, jam angazhuar për njëfarë homazhi ndaj traditës shqiptare, mikpritjes, duke siguruar luksin përmes shijes së autenticitetit”,- na rrëfen Gjoni. Dhe kjo frymë ndjehet ngado. Teksa i afrohesh dhomës së madhe të ngrënies në katin e parë, të bie në sy një vegjë, në të një pëlhurë gjysmë e përfunduar. Tavolinat janë shtruar gati për miqtë, mbulesat e punuara në vegjë nga shkodranët dhe zadrimorët, me fije të kuqe dhe të bardha janë shtruar dhe kupat e verës me enët prej balte i gjen të përhapura në çdo cep. Kuzhina e restorantit mbështetet në traditën dhe në prodhimet shqiptare. Zona e Shkodrës njihet për mishin e Malësisë, për peshkun e liqenit e të lumejve, prodhimet e detit, e shumë produkte të tjera që e kanë pasuruar së shumti traditën shkodrane. Pjata si djathi cereme, i gatuar në enë balte, tava e peshkut dhe filetë krapi, peshku në kos (që fillimisht teksa e dëgjojmë na habit jo pak), filetë skare, trofta e egër, kërpudha dhe boronica e egër, mishi i freskët, si derri i malësisë, derri i egër i gatuar ne salsiçe janë disa nga gatimet që gatuhen në këtë restarant, e që pak a shumë përbëjnë edhe traditën shkodrane. “I ka Shkodra të tana,- na tregon Gjoni dhe kujton një histori të vogël,- kam pasur një punëtor të huaj këtu para do kohësh që s’e fliste mirë shqipen. Kujtoj njëherë që më tha: Gjoni përzina gjana të mira, dalin gjana të mira”. I qeshim batutës dhe e ndjekim Gjonin teksa më pas e sublimon edhe më shumë Shkodrën kur na drejtohet me këto fjalë: “Vetë fjala Shkodër, Skutari do të thotë qoshe e artë, pra që nuk i mungon asgjë”,- dhe buzëqesh. Ndërkohë që flasim, oxhaku i madh që gjendet në krye të dhomës së madhe të ngrënies, me prushin që herë pas here lëshon ca klithma të vogla, të gjitha këto na sjellin krejt natyrshëm një pyetje: Si ka lindur e gjitha kjo parajsë e vogël kulinare? Cili është ideatori? Gjoni ka se ç’të tregojë…

 


Në Shirokë

Një ndër vendet më të bukura turistike të veriut të Shqipërisë, që njihet qysh prej shekullit të 19-të është Shiroka. Aty jemi duke shkuar. Pas bisedës frymëzuese me Gjonin dhe bashkëshorten e tij, kalojmë urën e Bunës dhe pas afro 2 kilometrash ja tek gjejmë mes ujit dhe malit Shirokën. Rrugës, atje tej në horizont na tërheq vëmendjen një pemë që rritet si një ishull i vogël në mes të liqenit. Pastaj ca kalimtarë që ecin rrugëve: një burr i vjetër në moshë na ofron një disk me këngë të vjera shkodrane në këmbim të 300 lekëve, një tjetër më pas tërheq biçikletën mbrapa së cilës shohim një qese plot me shegë, e disa fëmijë që shijojnë pasditen në fshat luajnë e bërtasin aq sa zëri i tyre futet përmes xhamave pakëz të hapur të makinës sonë. Buzë liqenit të Shkodrës, Shiroka është një fshat magjepsës. Historia na kujton se fshati është shumë i vjetër dhe kjo është vërtetuar nga disa gërmime arkeologjike në afërsi të tij, në vendin e quajtur “ullini i vetun” në vitin 1959. Fauna ujore e fshatit ofron rreth 65 lloje peshqish, si: krapi, ngjala, karasi, kubla, qefulli, gjunca, skorta etj. Dhe kjo pasuri është pikërisht arsyeja që na ka sjellë deri këtu. Në kërkim të traditës së hershme shkodrane, nuk mund të largohemi pa provuar krapin që këtu dinë ta gatuajnë aq mirë. Pamja që shtrihet anës rrugës bën që të mbërrish shumë shpejt në destinacion. Në restorantin “Roal” na pret Hilmi Rudaçi, pronari i tij. Në një prej tavolinave buzë liqenit të pastër, nis biseda jonë. “Kam rreth 33 vjet që merrem me kuzhinën. Mbaj mend që dikur, turizmi i Shkodrës ka konkurruar denjësisht kudo me krapin në tavë,- hyn menjëherë në temë Hilmiu, një burrë i thinjur, që buzëqesh vazhdimisht. Edhe sot e kësaj dite shumë turistë vendas e të huaj lënë kokën pas saj. Në 10 klientë, 7 zgjedhin krapin në tavë”. Pastaj ai na tregon që restoranti i tij bën afro 18 vjet që nga koha kur është hapur. Hilmiu na shpjegon gjithashtu diçka rreth putarkave të qefullit, levrekun në skarë apo në tjegull, krapin në tjegull, në tavë apo ngjalën në tjegull. “Ka aq shumë gatime Shkodra!”,- nuk mund të mos e dallosh krenarinë e tij, që i lexohet lehtësisht mbi fytyrë. Dhe për të provuar krapin aq shumë të përfolur në Shqipëri dhe jo vetëm, ne kërkojmë krapin; në tavë dhe në tjegull. Recetat i gjeni në fund të shkrimit. Ndërsa për ta shijuar, ju këshillojmë të bëni rreth 100 kilometra... Turizmi kulinar në Shirokë ia vlen! Nga kryeqyteti, për rreth një orë e gjysmë mund të shijoni natyrën, liqenin dhe fare pranë tij të magjishmin krap… Këto shije na kujtohen edhe gjatë rrugës. Shkodra e kemi lënë pas, por jo kujtimet që lidhen me të…