Ditë më të shkurtra, temperatura më të ulëta, mbrëmje më të errëta. Ardhja e stinës së ftohtë për një pjesë të mirë të njerëzve, sjell ndryshime të humorit, të cilat ngjajnë me shenjat e depresionit. Arjana Rreli, mjekja psikiatre pranë Qendrës Shëndetësore nr.1, thotë për revistën “Shije”, se këto ndryshime, vijnë dhe ikin me stinën. Ajo jep disa “receta”se si mund t’i përballoni më mirë.
1. Ditë më të shkurtra, temperatura më të ulëta, mbrëmje më të errëta. Ndryshimi i orës dhe lëvizja e akrepave a reflektohet negativisht në sjelljen tonë?
Ardhja e stinës së ftohtë për një pjesë të mirë të njerëzve, 1 në 15 persona vjen së bashku me ndryshime të tilla të humorit, të cilat ngjajnë me shenjat e depresionit, por në ndryshim nga ky, vijnë dhe ikin me stinën.
Humori i rënë, humbja e interesit dhe kënaqësive të përditshme, nervoziteti, vetëvlerësimi i ulët, ankthi dhe të ndjerit i përgjumur gjatë ditës, janë disa nga ndryshimet, që personat e ndjeshëm ndaj stinës së dimrit, përjetojnë.
2. Pse ndodh kjo? Çfarë ndodh në sezonin e vjeshtës dhe dimrit, me organizmin dhe mënyrën se si ne e perceptojmë ndryshimin e stinëve?
Ka disa hipoteza që përpiqen të argumentojnë reagimet e organizimit gjatë sezonit vjeshtë-dimër. Njëra prej tyre, teoria darviniste, është ajo e prejardhjes së njeriut nga gjitarët.
Meqënëse, këta të fundit duhet të përgatiteshin, për të siguruar mbijetesën me ushqime gjatë vjeshtës dhe të mbylleshin në shpella gjatë dimrit, për të përballuar të ftohtin, kjo bëri që të tejçoheshin në breza, reagime fiziologjike të tilla, që ulnin edhe nevojat e tyre për energji.
Dihet që në fazën depresive, organizmi reagon më pak dhe rrjedhimisht ka nevojë për më pak energji. Ajo që komentohet sot më tepër është edhe ndikimi në organizëm gjatë këtyre stinëve, i ndryshimit të orës, që kërkon edhe ndryshimin e disa zakoneve rutinë të vendosura në kohë, që për disa njerëz, shkakton ankth dhe irritabilitet, pasi mekanizimin e përshtatjes e kanë më të ngadaltë. Edhe shkurtimi i orëve me dritë dhe diell është një tjetër faktor që mendohet se ndikon në shfaqjen e çrregullimeve të humorit, në vjeshtë-dimër.
Meqënëse ne kemi më pak mundësi të ekspozohemi në stimuj nxitës, pozitivë për sistemin tonë në tërësi dhe në veçanti atë nervor, pasojat pasqyrohen në plogështi, reduktim të aktivitetevedhe nevojë për të shtyrë, oraret e zgjimit në mëngjes.
3. A është e vërtetë që shkurtimi apo zgjatimi i ditës dhe çrregullimi i gjumit sjell nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim?
Gjumi me orët, ritmicitetin dhe higjienën e tij, është një domosdoshmëri e padiskutueshme për mbarëvajtjen e jetës së njeriut. Nëse ne nuk flemë në orare të mirëpërcaktuara, dhe të mirërespektuara, që do të thotë nga ora 23:00 deri në 7:00, nëse nuk sigurojmë një ambient të ajrosur mirë, pa zhurma dhe pa mjete të teknologjisë afër, (tv, celularë, kompjuter), gjumi nuk do të plotësojë energjinë që më pas dita kërkon për secilin nga ne, duke kufizuar kështu aktivitetin tonë normal.
4. Si ndikon ky ndryshim te tipa të veçantë? Çfarë ndikimi ka te njerëzit që funksionojnë me orare strikte?
Ndryshimet ndikojnë te të gjithë njerëzit, por tipat që mekanizmat e përshtatjes i kanë më të ngadaltë dhe janë tepër perfeksionistë e vuajnë më shumë ndryshimin.
Vuajnë gjithashtu përkohësisht, edhe personat që aktiviteti i përditshëm u kërkon zgjim të detyruar në orare të përcaktuara dhe për më tepër herët në mëngjes.
Edhe ata që bëjnë turnet e natës janë gjithashtu të predispozuar për të shfaqur lodhje, shpërqëndrim, rënie të kujtesës, humor të rënë, pasojë kjo e deprivimit të detyruar të gjumit, për shkak të detyrës.
5. Çfarë duhet të bëjmë? Cilat janë disa këshilla, që të përballojmë sa më shëndetshëm këto ndryshime? Si mund të zgjidhen këto shqetësime?
a. Ushtrimet dhe aktiviteti fizik.

Edhe pse gjatë dimrit jemi mëpak të motivuar për t’u ushtruar fizikisht, duhet të dimë se ushtrimet reduktojnë nivelin e hormoneve të stresit, stimulimin me oksigjen të trurit dhe të muskujve, reduktimin e ankthit, si dhe gjumë më të mirë gjatë natës.
b. Të ushqehesh shëndetshëm
Në dimër të gjithë e kemi vënë re se rritet nevoja dhe sasia e ushqimit, kjo si “masë” që merr organizmi për të siguruar energjinë që i duhet për të luftuar të ftohtin.
Kjo tendencë duhet kontrolluar duke ekuilibruar sasinë e karbohidrateve të marra me konsumin energjik, për të mos kaluar në mbipeshë. Përdorimi i arrorëve, bananes, qumështit, domateve, mjaltit, ndihmojnë në çlirimin e serotoninës, duke stimuluar rritjen e humorit.
Është shumë e rëndësishme që të konsumohen rregullisht të treja vaktet dhe darka të përfundojë 2-3 orë para orarit të gjumit.
6. Cili është mendimi juaj lidhur me pasurimin e dietës ushqimore dhe një aktivitet të rregullt fizik? A kanë ndonjë ndikim specifik për çrregullimin e gjumit?
Dieta ushqimore është zakonisht e duhura kur arrihet të mbahet ekuilibri midis marrjes dhe konsumimit të energjive. Meqënëse dimri ka nevojë për më tepër sheqerna dhe marrja e tyre është e këshillueshme, kjo duhet shoqëruar patjetër me aktivitet fizik.
Nëse ky aktivitet fizik bëhet në ajër të pastër ditën, (është fat nëse dita është edhe me diell), në ambient të gjelbëruar dhe me shoqërinë e një muzike të bukur, apo miku të mirë, kemi marrë të gjitha mundësitë që një ditë dimri na jep për të minimizuar ndikimet negative që ka.
Nuk dua të anashkaloj dhe rëndësinë e vaktit të mëngjesit, që duhet të jetë patjetër dhe i bollshëm, ndërkohë që në darkë, duhet të shmangim, ushqimet e rënda dhe sasitë e bollshme të tyre, për t’i shërbyer kështu një gjumi të mirë në sasi dhe cilësi.
Bisedoi: Brikena Dervishaj