Shkëndie Ndreu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Infermieri Teknikë Laboratori.
Analizat laboratorike janë shumë të rëndësishme për të kuptuar nëse ka diçka që nuk funksionon mirë në trupin tuaj. Në mëngjes apo gjatë ditës, për analizat më të zakonshme që duhet të bëni, apo për kategorinë më të ndërgjegjësuar të njerëzve. Në intervistën për revistën “Shije”, laborantja me eksperiencë 12-vjeçare, Shkëndie Ndreu tregon se cilat analiza duhet të bëni, sipas grupmoshave dhe rëndësinë që ato kanë.
Sa herë në vit rekomandohen të bëhen analizat, përveç rasteve urgjente?
Rekomandohet, ose më saktë është e domosdoshme, që analizat laboratorike të bëhen të paktën dy herë në vit. Kjo nuk vlen për rastet urgjente, sepse ato normalisht që mund të bëhen shumë më shpesh, varësisht gjendjes së tyre dhe rekomandimeve të mjekut.
Cilat janë analizat që duhet të bëhen më shpesh?
Çdokush duhet t’i bëjë analizat e gjakut komplet. Analizat e diabetit po ashtu, sepse aktualisht kjo është duke u shndërruar në sëmundjen e shekullit. Gjithashtu, një analizë urine nuk i kushton asgjë askujt.
Pra, në momentet e para që shihni se në trupin tuaj ka diçka që nuk shkon, duhet të drejtoheni tek laboranti për të bërë këto tre analiza që janë shumë të domosdoshme. 
Cilat analiza mund të bëhen edhe gjatë ditës? Pse është kaq e domosdoshme që ato të bëhen në mëngjes?
Rregulli është që analizat laboratorike të bëhen kryesisht në mëngjes, por ka disa analiza që mund të bëhen edhe gjatë ditës, pra ka tolerancë. Duhet që të bëhen në mëngjes, sepse analiza e diabetit duhet që të bëhet esëll, yndyrnat po ashtu, sepse janë analiza që nuk kanë toleranca.
Në këtë mënyrë, shmangen rezultatet të cilat do të ishin të ndryshme nëse do të bëheshin gjatë ditës. Analizat që mund të bëhen edhe gjatë ditës, mund të përmendim: analizat e grupit të gjakut; feçe parazite; ndonjë rast emeregjent të analizës së urinës, edhe pse rekomandohet që mirë do të ishte ajo e mëngjesit.
Cili është kufiri i moshës ku njerëzit fllojnë të bëhen të ndërgjegjshëm për sëmundjet dhe fillojnë të bëjnë më shpesh grupmoshë analiza laboratorike?
Nuk mund të them se ka një kufi moshe të përcaktuar që njerëzit ndërgjegjësohen dhe vendosin të bëjnë analizat laboratorike. Kjo, lidhet kryesisht me kulturën e njerëzve në Shqipëri, sepse ata rendin drejt laboratorëve apo spitaleve vetëm kur gjendja  e tyre është shumë e rënduar.
Duhet të ndodhë pikërisht kjo që ata të kuptojnë se në fakt duhet të bëjnë analizat për të zbuluar se nga çfarë çrregullimesh apo sëmundjesh vuajnë.
Cila është ajo kategori njerëzish që janë më të vëmendshëm ndaj analizave laboratorike dhe vijnë t’i bëjnë ato edhe pa pasur probleme shëndetësore?
Njerëzit që vijnë nga jashtë shtetit janë shumë të kujdesshëm në ekzaminimin e analizave. Mund t’i cilësoj si kategorinë e cila është më e vëmendshme ndaj analizave, dhe kjo lidhet kryesisht me kulturën dhe të mësuarit me jetën jashtë Shqipërisë. Ata janë të kujdesshëm jo vetëm për fëmijët, por edhe për veten e tyre.
Më pas janë nënat që interesohen për fëmijët, por për veten kurrë.
Pastaj janë meshkuj, të cilët vijnë vetëm kur e shohin veten në një gjendje të rëndë. Apo një pjesë e madhe prej tyre dërgojnë bashkëshortet, sidomos kur bëhet fjalë për analizat e urinës.
Në eksperiencën time disavjeçare, kam arritur në përfundime që shqiptarët duhet që së pari të sëmuren, të shkojnë tek mjeku dhe më pas të bëjnë analizat laboratorike të nevojshme. Nuk ndodh ndonjëherë që të vijë dikush për të bërë një analizë thjesht për qejf, për të parë nësë eshtë mirë nga ana shëndetësore, ose janë raste aq të rralla sa unë kënaqem kur pikas një rast të tillë.
Sa për moshat e reja, janë kategoria e cila as nuk bëhet fjalë të drejtohen drejt laboratorëve për të bërë analiza.
A janë rezultatet e analizave të vlefshme nëse ato sillen me vonesë? Cila është koha e duhur që ato duhet të sillen në mënyrë që të jenë të vlefshme?
Normalisht që kjo ndikon në rezultatet e analizave. Për shembull, një analizë urine e mëngjesit është shumë më e volitshme për të pasur një rezultat shumë më të saktë. Por, gjithashtu ka pasur edhe raste që një analizë e marrë më vonë në moment, në rastet urgjente kryesisht, ka dhënë rezultate sikur ajo të ishte e mëngjesit.
Por, duhet specifikuar që kjo është kryesisht vetëm në rastet kur pacienti ka probleme.
A duhet që pacientët të konsumojnë ushqime si normalisht para se të bëjnë analizat?
Sigurisht, ata duhet të hanë normalisht, sepse ka disa pacientë që mendojnë se kur të bëjnë analizat e diabetit, duhet të konsumojnë sa më shumë sheqer në mënyrë që rezultatet të tregojnë nëse ato vuajnë apo jo nga diabeti. Pra, pacientët duhet të hanë si çdo ditë dhe të vijnë në mëngjes esëll për të bërë analizat.
A duhet të konsumojnë pacientët ilaçe para se bëjnë analizat laboratorike?
Normalisht, në mbrëmje mund t’i përdorin ilaçet, sidomos kur kanë probleme me diabetin. Për të nesërmen në mëngjes unë do të thoja që jo, nuk është mirë t’i konsumojnë, sidomos nëse u duhet të bëjnë analizën e diabetit. Por, ata mund të marrin ilaçet me vete dhe t’i konsumojnë menjëherë pas bërjes së analizave, nëse e kanë urgjente marrjen e tyre, sepse ka pacientë të cilët nuk mund të rezistojnë dot.
Në çfarë mase evidentohet interesimi i pacientëve për t’ju drejtuar laboratorit të analizave edhe kur nuk kanë asnjë problem shëndetësor?
Shpesh, më ka ndodhur që pacientët të bëjnë analizat dhe të vijnë me një bindje të plotë se ata nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar me shëndetin e tyre. Por, në fakt edhe pse analizat tregojnë të kundërtën, ata i besojnë sërish vetes, duke i mbushur mëndjen se janë vërtetë mirë.
E keqja qëndron në faktin se njerëzit mësohen me infeksionin dhe nuk ju bën përshtypje. Për ata është më normale të shkojnë 5-6 herë në tualet, se sa të shqetësohen me fenomenin në fjalë dhe të drejtohen për tek laboranti apo mjeku.
A ka diferencë midis cilësisë së analizave që bëhen në privat dhe në shtet? Ku duhet të besojmë më shumë?
Unë kam punuar në shtet edhe në privat, por gjithçka varet nga përgjegjësia, se sa i përgjegjshëm është vetë laboranti i cili merret me analizat. Nëse mungon përgjegjësia, as në privat e as në shtet nuk bëhet asgjë. Kjo është një çështje e diskutueshme, sepse varet edhe nga vetë pacienti, sepse ka nga ata që kënaqen me pamjen e jashtme.
Si përforcim i kësaj që sapo thashë, mund të ndalem edhe tek një rast konkret. Unë isha prezente kur një doktor shumë i zoti i bëri një eko një pacienti, dhe vetëm sepse mjeku shkroi rezultatet me stilolaps, pacienti u bë shumë keq. Reagimi i tij ishte shumë i papritur, sepse kërkonte përgjigjet të printuara, dhe jo të shkruara apo me vulë, siç bëri edhe mjeku në rastin konkret.
Pra, njerëzit në Shqipëri nuk kërkojnë thjesht cilësinë, ata mjaftohen me bukurinë, dukjen e mbjentit në të cilin bëhen analizat.
A është mungesa e parave një faktor që ndikon tek njerëzit që të mos bëjnë analizat?
Gjendja ekonomike e familjeve shqiptare është një faktor i rëndësishëm që ndikon në mosbërjen e analizave laboratorike. Por, sërish mbetet një çështje shumë e diskutueshme, sepse ata mund të blejnë për shembull rroba, duke lënë në harresë një element shumë të rëndësishëm, që mund t’u tregojë atyre nëse janë mirë apo jo nga ana shëndetësore. Por, shkaku kryesor mbetet ndërgjegjësimi, sepse përpiqen të gjejnë paratë vetëm në rastet kur ata janë në një gjendje shumë të rëndë.
Intervistoi: Genta Dobra