Meqë ëmbëlsirat janë pasioni i saj, Nevila është shumë e vëmendshme ndaj enëve specifike për gatimin e tyre dhe sidomos ndaj përbërësve të veçantë që u japin ëmbëlsirave shije të mirë. “Dikur, në çdo vend të huaj që shkoja përpiqesha që të blija përbërës të ndryshëm apo enë me forma për kekët. Fatmirësisht, sot ka shumë të tilla edhe në Shqipëri. I gjen kudo, mjaft që të kërkosh dhe të kesh dëshirë”. Disa nga specialitetet e Nevilës janë kek me banane, kek me arrë kokosi, kek me karota, biskota me copa çokollatë dhe arra…

Që në korridor, pa u futur ende në kuzhinën që ndodhet aty pranë, era e kekut të ngacmon hundët dhe pastaj të pushton krejt shqisat kur dera e kuzhinës hapet në kanat. Është ende paradite herët, kur shumica e shtëpive janë mbyllur nxitimthi me çelës dhe amvisat kanë futur në frigorifer që një natë më parë drekën e gatuar për të nesërmen para se të nisen me vrap për në punë. Kurse në shtëpinë e Nevilës, që në pikë të mëngjesit furra është e ndezur dhe keku piqet përfundimisht vetën pak minuta para se ajo të dalë nga shtëpia. Kështu ndodh përherë në shtëpinë e saj. Nuk ka rëndësi nëse jashtë është ditë e bukur, bie shi i rrëmbyer, bën ftohtë acar apo dielli përvëlon. Mëngjeset ëmbëlsohen me kek të sapopjekur. Dhe jo vetëm me kek. Sepse mëngjesi është koha kur Nevila përgatit edhe drekën. “Në darkë kthehem vonë nga puna dhe prioritet janë vajzat që mezi më presin, ndaj kam zgjedhur mëngjesin sepse dita nis e ëmbël, e ngrohtë, shtëpisë i vjen një erë e mirë që zgjat gjithë ditën. Kam krijuar sistemin tim të gatimit, të shpejtë, të freskët, duke përdorur produkte që sot i gjen në market, zarzavate, mish, etj... Gjithsesi, besoj se arsyeja që unë gjej gjithmonë kohë është sepse më pëlqen shumë të gatuaj dhe t’i përkushtohem familjes sime”.

Dhe kjo dashuria e saj për gatimin është vërtet e hershme, daton që në fëmijëri dhe është brumosur bashkë me të. “Që e vogël kisha shumë dëshirë të rrija e të shihja gjyshen time që gatuante për të gjithë dhe kishte një zemër aq të bardhë e të madhe për ta ndarë ushqimin edhe me të tjerë në ato vite krize”. Sigurisht, ato që Nevila gatuan tani nuk janë të gjitha të ngjashme me recetat e gjyshes dhe të mamasë, sidomos në specialitetin e saj, ëmbëlsirat. Sepse jetesa jashtë Shqipërisë për vite të tëra i ka mësuar të tjera forma gatimi, e sidomos receta që më së shumti synojnë të jenë të shëndetshme. “Jam e vëmendshme ndaj recetave. Një pjesë të mirë i kam “vjedhur” nga gjyshja dhe mami, kryesisht gjellët dhe tavat, ndërsa për ëmbëlsirat, kam provuar të jem më trendy ose më ndryshe se ëmbëlsirat tradicionale shqiptare. Të jetuarit jashtë Shqipërie, sa në Gjermani dhe Amerikë (për arsye studimesh), me ka dhënë mundësinë që të jem më hapur me gatimet dhe veçanërisht me ëmbëlsirat. Kryesisht, recetat e mia të ëmbëlsirave janë nga Amerika. Ka shumë rëndësi që në vendin që shkon të jetosh me vendasit. Për shembull nga Gjermania, ku unë jetoja vetëm, nuk arrita kurrë ta gatuaja tamam një recetë, ndërsa në Amerikë ndaja shtëpinë edhe me dy vajza të tjera amerikane, të cilat më mësuan (në kuadrin e një konkurrence kulinarie) të bëja ëmbëlsira shumë të mira, të lira, të shpejta dhe mbi të gjitha të realizueshme”. Të tilla janë edhe ato që gatuan çdo mëngjes në shtëpinë e saj.

Nuk i marrin shumë kohë dhe sidomos nuk e mundojnë fare. Sigurisht që për të do ishte shumë më e thjeshtë që të shkonte në marketin aty pranë, të blinte një kek të gatshëm dhe ta vendoste mbi tryezë, pa i hapur vetes gjithato telashe: përzierje brumi, pjekje, larje enësh. Po ç’t’i bëjë pasionit?! Është pikërisht kjo arsyeja që e çon që në pikë të mëngjesit në kuzhinë. Më siguri jeni duke pyetur njëzëri për zilen e orës që duhet të bjerë andej nga ora gjashtë. Në fakt jo. Zgjimi i Nevilës nuk ndryshon shumë nga ai i zonjave të tjera. “Zgjohem në shtatë pa dhjetë. Filloj gatimin dhe pasi vë gjërat në terezi, zgjoj vajzat. I vesh për kopsht e shkollë dhe pasi dalin ato nga shtëpia, merrem me përfundimin e gatimit e me veten time. Në orën nëntë jam në punë”. Por më parë fut në çantën e saj kekun që ka përgatitur në mëngjes, kështu edhe kolegët e saj të zyrës e kanë gjithashtu mëngjesin shumë të ëmbël. Nevila mendon çdo ditë për këtë.