Të ftojë njerëz është specialiteti i Drini Zeqos. Ai nuk e di të thotë se sa telefonata bën të ditë për të ftuar njerëz. Dhe mos t’u shkojë mendja se është aq bujar sa të thërrasë gjithë dynjanë për dreka e darka. Arsyeja e telefonatave është tjetër: të ftojë panelin e emisionit të përditshëm “Opinion”. Dhe ata që telefonohen vështirë se mund t’i rezistojnë ftesës së tij. Por ka edhe ca të tjerë, akoma më të gatshëm për të pranuar ftesën e Drinit, ata që ftohen për të provuar specialitetet e tij në kuzhinë. Kësaj here na ra neve për pjesë. Dhe na besoni. Ishte njëlloj si të shijoje pjata profesionistësh. Duar të stërvitura, receta delikate, garniturë e shëndetshme dhe servirje befasuese. Sigurisht, që nuk ishte e hera e parë që gatuante, ndryshe do kishte zgjedhur dy vezë të skuqura. Por Drini ka kohë që e ka kaluar fazën e vezëve. Di të gatuajë shumë mirë, nën shembullin e mamit dhe i frymëzuar nga pjatat e restoranteve që frekuenton. Dhe pasi gatoi për ne me shumë përkushtim, na rrëfeu edhe disa detaje të vogla për historinë e tij të dashurisë me kuzhinën. Ne si gjithmonë, po i ndajmë edhe me ju...

Na trego pak për lidhjet e tua me zonën e kuzhinës.

Unë jam lindur në një familje, ku gatimi ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm. Të gjitha gratë në familjen time kanë pasur dhe kanë pasion për gatimin e mbase për këtë arsye edhe në fëmijëri kam qenë i shëndetshëm.

Të kujtohet hera e parë kur ke gatuar diçka?

Nuk e mbaj mend tamam. Por kanë qenë eksperienca gjysmë gatimi. Mbaj mend kur mami largohej për në punë dhe më thoshte kujdesu që gjella të mos digjet ose kur kërkonte që të shtoja ndonjë përbërës tjetër. Pastaj kanë qenë gatimet e thjeshta si vezët e skuqura apo makaronat.

U vë nota pjatave të mamit?

Mami merr gjithmonë notën 10, një njohëse shumë e mirë e gatimit dhe gjithmonë e papërtuar. Edhe ajo vetë është gjithmonë e interesuar, pasi ka gatuar, të dije se sa na kanë shijuar pjatat e saj. Por veç mamit edhe motra gatuan shumë mirë, sidomos ëmbëlsirat.

Në përgjithësi, shumica e burrave e etiketojnë veten nga ata tipa që “nuk dinë të skuqin një vezë”. Po ti?

Jo, unë bej pjesë tek ata që gatuajnë dhe që dalin gjithmonë nga situata. Madje është krejt e kundërta, mua më pëlqen të gatuaj. Por duke qenë se është një proces që të merr kohë, ndodh pak rrallë.

D.m.th. kur nuk gjen drekë në shtëpi e merr mundimin të përveshësh mëngët dhe të gatuash vetë?

 Po, e marr mundimin të gatuaj, por duke qenë se jetoj ende me familjen, rastet kur në shtëpi nuk është gatuar janë shumë të rralla.

Dhe meqë jemi tek familja, ata besojnë në duart e tua?

Shpresoj, që në ato raste kur kam gatuar për të gjithë familjen nuk i kam zhgënjyer, por do të gënjeja nëse do të thosha se mund të zëvendësoj gatimet e mamasë.

Kjo do të thotë që ti je frymëzuar edhe nga gatimet e mamit?

Ato kanë pasur shumë ndikim por edhe frekuentimi i restoranteve të ndryshme tradicionale shqiptare kanë qenë një tjetër eksperiencë.

Pra, je tradicional dhe jo modern në këtë aspekt?

Mendoj se jam tradicional. E shoh edhe si një formë të mirë për të ruajtur traditat. Por me kalimin e viteve edhe elementët e rinj ndërthuren, i referohem këtu më shumë përbërësve të gatimit të cilët me herët nuk i gjeje dot në Shqipëri.

Je për receta të shpejta dhe të thjeshta, apo të ndërlikuara?

Më pëlqejnë të thjeshtat, duke qenë se edhe pjatat tradiconale në përgjithësi janë të thjeshta.

Kur të kap zakonisht delli për të gatuar?

Fundjava është koha më e mirë dhe kryesisht më shumë gjatë verës kur ditët janë më të gjata. Duhet pak frymëzim edhe për të gatuar e në anën tjetër është një antistres shumë i mirë i gjithë procesi.

Ku i gjen recetat?

Janë kryesisht receta që janë kaluar dorë pas dore në familje ose që janë gatuar më shpesh nga amvisat e shtëpisë.

Sajon gatime me ç’të gjesh në frigorifer apo i do domosdoshmërisht të gjithë përbërërit?

Po hyj tek tipat që edhe sajojnë me çfarë mundesish kanë, madje ky më duket një moment shumë argëtues.

Bën shumë rrëmujë kur gatuan?

Besoj se po, kjo edhe për shkak se nuk do jem unë ai që do pastroj të gjithë rrëmujën e krijuar. Gjithsesi mundohem të jem i kujdesshëm.

Orientohesh mirë në kuzhinë?

Po, them se kam sens të mirë orientimi, por ndonjëherë i telefonoj edhe mamit për ta pyetur ku mund të gjej elementët ndihmës.

Çfarë përshtypjesh merr nga ata që i provojnë pjatat e tua?

Përgjithësisht gjithmonë ata që shijojnë pjatat thonë se është shumë e mirë, por shprehja e fytyrës është ajo që të tregon gjithmonë të vërtetën. Në ato raste që kam gatuar për të tjerët, kam marrë fjalë të mira.

Miqtë e njohin pasionin tënd për gatimin?

Po, e njohin. Dhe jo vetëm për gatimin por mbi të gjitha dëshirën time për të shijuar ushqimin. Eshtë një moment shumë i rëndësishëm dhe i këndshëm që ta bën ditën më të bukur.

Je natyre nazelie?

Jo, nuk mendoj se jam. Përgjithësisht nuk i kam bërë asnjëherë naze ushqimit, sepse kjo ka qenë edhe mënyra si me kanë rritur qysh të vogël. Sigurisht kam ushqime që i pëlqej më pak dhe disa të tjera që i pëlqej më shumë por jo ushqime që nuk i vë në gojë.