Dita nisi hareshëm dhe pas një jave të ngarkuar pune u nisëm për një udhëtim drejt Fierit pas një ftese nga disa miq të mirë.

Sapo lamë pas trafikun e rënduar, tymin e makinave dhe zhurmën sflitëse, fytyrat tona u çelën. Ajri i freskët e bëri rrugën të fluturonte, e sa hap e mbyll sytë u gjendëm në Fier. Sapo lamë pas rrethrrotullimin, oreksi na shtohej. Po kërkonim një vend ku mund të hanim ndryshe, ndërsa të gjithë nën zë përshpërisnin: na gjeni diçka të ëmbëlsohemi. Në cep të rrugës ishte ulur një burrë në moshë, i cili as nuk i ngriti sytë kur na tregoi pastiçerinë më të madhe në Fier, pastiçeri “Bleta”. “Atje mund të gjeni çfarë të doni!”

Aromë shtëpie

E imagjino se sa larg mund të të duken 10 metra rrugë për të mbërritur tek një pastiçeri, e cila vetëm në vitrinë ka ekspozuar dhjetëra lloje ëmbëlsirash?!....

Sapo hymë brenda u ndie aroma e munguar e shtëpisë! Shitësja, një vajzë e sjellshme u ofrua të na shërbente me kulturën dhe mirësjelljen që vetëm fierakët dinë ta kenë. Duke parë shumëllojshmërinë e ëmbëlsirave, pata një ngërç… hmmm më sugjero diçka”,- iu drejtova një vajzë të këndshme. “Provo “amaretën Bleta”! Një amaretë në formë arre, shumë e freskët e mbushur me ajkë qumështi dhe gjalpë të freskët. “A e ndjen aromën e kanellës? Aq sa të të zgjojë të të gjithë shqisat, por të mos mbysë shijet e tjera?!”…

Duke shijuar këtë ëmbëlsirë fantastike, në derë hyn pronari, Petro Kulas, një njeri i çiltër dhe duke buzëqeshur na uron mirëseardhjen dhe na ftoi që të provonim disa nga specialitetet e pastiçerisë së tij. Dhe se mos mendoni që specialitetet ishin 2 ose 3.

Pastiçeria,  një zinxhir i plotë prodhimi

Të tillë gjë nuk e kisha dëgjuar as në Tiranë. Në pastiçerinë “Bleta” në Fier, çdo gjë prodhohet brenda ambienteve të kësaj sipërmarrje gjigande, që nga gotat dhe kupat për mbushje apo mbajtje ëmbëlsirash. “Ne kemi pajisjen tonë dhe i prodhojmë këtu vetë, asgjë nuk e blejmë.

Çdo gjë që nga petët e kadaifit dhe çdo ëmbëlsirë tjetër përgatitet në punishten tonë në mënyrë artizanale”, na thotë Petro duke qeshur ndërsa ka parë sytë tanë të shqyer: “Petro, seriozisht, të duam në Tiranë!”

Një copë bukë thatë, ju lutem!

Nëse do t’u thonim se në Roskovec bukën mund ta shijoni si asgjëkundi tjetër, a do ta besonit? Në fakt ne e provuam këtë ndjesi, bukë me miell të bluar në një mulli tejet cilësor me drithërat prodhim të zonave rrotull.

Po në raftet e drunjtë spikaste një bukë e zezë, të cilën nuk e kisha hasur asnjëherë . “Quhet “Buka e Furrxhiut” dhe e veçanta ishte se gatuhej me tre lloje mielli, miell tërshëre, miell integral i zi pa ngjyrues dhe miell i thjeshtë”, tregon shitësja.
“Kjo bukë është simbolika e çdo furrtari, pasi pas saj fshihet historia e furrxhiut i cili gatuante të gjithë bukën e nevojshme për qytetin e tij dhe në fund i mbetej pak miell për vete. Përziente atë çka i kish mbetur dhe e gatuante për familjen e tij”, na tregon Petroja.
E vetmja gjë që nuk na tregoi ai, por buzëqeshja dhe fjalët thuthuqe të një vajze të vogle ishte torta e saj dhuratë për ditëlindje nga Pastiçeri “Bleta”…

Iu rikthyem qytetit të Fierit, i cili e kishte marrë nurin e festave. Tek sheshi qendror, panairi i ushqimeve dhe i ëmbëlsirave i jepte më shumë jetë qytetit. Shtëpiza të vogla prej druri ishin ngritur nga biznese të ndryshme të cilat ofronin produktet e tyre. Tek stenda e ngritur nga pastiçeri Bleta përpara saj kishte një grumbull njerëzish që nxitonin për të provuar secili nga një ëmbëlsirë. Pasi konsumuam një kafe pas këmbënguljes së Petros u nisëm për në Roskovec, aty ku pastiçeria Bleta kishte nisur rrugën e saj. Pas më pak se 15 minutash larg nga Fieri zbritëm, ku vazhdimisht na përshendesnin njerëz të buzëqeshur. Të tjerë ishin ulur për  të konsumuar një kafe apo bisedë, ndërsa ndjeva mungesën e komunitetit, çdo ditë dhe vetëm pak orë larg Roskovecit, në të ashtuquajturin metropol shqiptar.
Një realitet tjetër, ndryshe nga Shqipëria e kronikave të zeza, e lajmeve negative dhe e gjithçkaje, e cila zë vend në jetën tonë, u shfaq. Pastiçeri “Bleta” me qendrën e saj në Roskovec gëlonte nga porositë për fundvitin. Çmimet e lira, pastërtia, shumëllojshmëria e produkteve dhe gjithçka që ishte “e bërë nga shtëpia” i shtynin banorët e zonës dhe të Fierit të porosisnin që në mes të muajit dhjetor bakllavatë, kadaifin, sheqerparet dhe jufkat të cilat ndryshe nga në veri të vendit nuk ishin makarona, por ëmbëlsira të vogla të zhytyra në sherbet me aromë vaniljeje. E çfarë ka më shumë se unë Liza “Në Botën e Çudirave”?! Ngado kthehesh sheh “bletë” dhe mjaltë…
Fjola Graçi