Aktori i humorit, Julian Deda në një intervistë plot të qeshura  për revistën "Shije" nuk mund të ishte ndryshe nga sa shfaqet dhe në ekran: I vërtetë në gjithçka…
T’ia nisim nga rutina e ditës dhe nga angazhimet e tua. Emisioni, familja, rrjetet sociale janë shtuar impenjimet në jetën e Julianit. Keni vendosur një listë të gjërave më të rëndësishme?
Përshëndetje si fillim, ju falenderoj për intervistën. Për sa i përket pyetjes emisioni, familja dhe rrjetet sociale nuk janë për mua impenjime të shtuara por janë zgjatime, tashmë janë bërë normale nuk jetohet as pa punë, as pa familje e cila nuk diskutohet dhe rrjetet sociale janë bërë të domosdoshme.
Për më tepër që jemi në një kohë që media ka maninë të kapet dhe mos të jetë e lirë dhe rrjetet sociale janë një media e pavarur ku askush nuk arrin dot të censurojë mendimin tënd të paktën deri tani, më vonë nuk e di. Prandaj ne i mëshojmë më shumë rrjeteve sociale, pasi aty themi atë që ne mendojmë dhe ashtu siç e mendojmë, ka dhe të metat e veta pasi të jep një vetëbesim të shtuar në lidhje me opinionin publik, sepse ti mendon se ajo që ti thua është e vërteta dhe kjo është e gabuar pasi ai është thjesht mendimi yt.
Por, është e vërtetë që rrjetet sociale marrin shumë momente të rëndësishme të ditës.
Çfarë ka kaluar në vend të dytë në jetën tuaj nga ato gjëra që dikur kanë qenë më të rëndësishme?
Asgjë, gjithsecila ka kohën e vet. Ka ditë që familja është në vend të dytë në sensin e kohës, ka ditë që është në vendin e parë dhe puna kalon në vendin e dytë. Varet nga rrethana dhe situata.
Flasim për Julianin dhe ushqimin. Cila është marrëdhënia juaj me kuzhinën?
Siç e shikon jam një njeri i bollshëm, kam një marrëdhënie shumë të mirë me ushqimin, një marrëdhënie gati-gati ndjenjash. Por aq sa dukem sportiv në të ushqyer aq kam dhe preferencat e mia në përzgjedhje. Për shembull pastiçon unë nuk e ha dot fare, bamjet gjithashtu. Me pak fjalë ushqimet e shëndetshme unë nuk i ha. Menuja ime fillon me patatet e skuqura, djathin e bardhë, unë e ha djathin me djathë. (qesh) Përsa i përket pijeve, nuk pi birrën.
Gatuan Juli për fëmijët?
Jo, nuk kam mësuar dot kurrë megjithëse kam dashur shumë. Nuk e di sepse nuk kam arritur dot kurrë të mësoj të gatuaj. Dhe nja dy gjëra që i dija, i kam harruar.
Ka ndonjë menu ditore të përcaktuar në familjen tuaj, apo ndonjë dietë me ushqime të preferuara, apo edhe ndoshta të ndaluara?
Bashkëshortja ime është ajo që merret me këtë pjesë dhe gatuan në mënyrë të shkëlqyer. Në përgjithësi është e prirur të gatuajë gjellë me lugë, unë jam ai që kërkoj gjëra të thata. Por varet nga dita dhe ne e vendosim çfarë do të hamë. Menuja ime është e improvizuar, por në shtëpinë tonë gatuhet gjithçka.
Të kanë ngjarë fëmijët mbi preferencat e ushqimit? I këshillon mbi ushqime të caktuara të cilat ti nuk ke dëshirë që ata t’i konsumojnë?
Vajza po, djali jo. Me vajzën po, ndodh shpesh t’i them mos ta teprojë me ushqime të caktuara, por më pas shoh sesi ajo rehatohet kur ushqehet dhe aty nuk them më asgjë. Vjen në shtëpi dhe thotë “babi jam e këputur, s’jam mirë” dhe direkt sapo ha diçka e shikoj sesa mirë ndihet dhe e ka argëtim ushqimin.
Mendon se ushqimi është një nga “dashuritë” më të mëdha të jetës?
Po, pa diskutim që është një nga momentet më të preferuara të ditës, sidomos kur je me pushime, unë dua të ha mire, të pushoj mirë.
Cili është ai ushqim që bashkëshortja juaj e përdor si “armë sekrete” dhe direkt nervat e tua bien, ose të rregullohet dita?
Po më vendosi patate të skuqura para aty gjithçka rregullohet. Po pashë patate të skuqura dhe një copë djathë të bardhë të mirë, dhe nerva po të kem bien. Jam i thjeshtë, pa shpenzime (qesh).
Po të binte flakë në kuzhinë, cilin ushqim do të shpëtoje të parin?
Do të shpëtoja veten bashkë me gruan dhe fëmijët. Por, varet se çfarë do ndodhej aty. Një byrek me spinaq do e shpëtoja për shembull, ndonjë patate, ndonjë imam bajalldi ose ndonjë turshi simpatike (qesh). Dhe krudot. (qesh)
Çfarë konsumon para një shfaqjeje, po pas saj?
Para shfaqjes nuk ha shumë, pasi nuk është e mirë për diafragmën dhe zërin. Ha minimalisht 3-4 orë para. Pas shfaqjes varet, nuk kam një ushqim të caktuar. Nuk jam një njeri që ha shumë në sasi, por jam njeri me neps të madh i dua t’i ha të gjitha nga pak. Nuk e kam problem nëse rri një darkë pa ngrënë.
Cili është ushqimi i preferuar nga duart e nënës, për të cilin të ka marrë malli?
Sa herë që shkoj në Shkodër, mamaja ime gatuan në sistem otoman, pra gatuan gjithçka që unë më pas të ha çfarë të dua. Ajo e ka shumë qejf uthullën dhe e përdor në çdo gatim (sepse mendon se uthulla të dobëson), dhe mua më pëlqen uthulla t’ia hedh sallatës ose gjellës dhe në shtëpinë time nuk e bëj dot ose e bëj vetëm tek pjata ime dhe kur shkoj tek mamaja këtë gjë e gjej gjithmonë.
Konsumon alkool?
Jo nuk hyj tek konsumatorët e rregullt të alkoolit, mund të pi ndonjë gotë rrallë.
Cila është gjëja më e çmendur që ke bërë kur ke qenë tapë?
Kam bërë një tatuazh budalla, kur kam qenë adoleshent kam bërë një tatuazh që nuk di sesi t’a heq pasi kam frikë nga dhimbjet.
Të pëlqejnë ushqimet e çuditshme?
Po, më pëlqen shumë sushi, ushqimi kinez gjithashtu .
Ke menduar të kesh një emision tëndin, ta ideosh vetë dhe të jesh ti moderatori?
Po, padyshim që e kam menduar sepse gjithmonë mendoj për një hap tjetër për një “next level”, por mendoj gjithashtu që duhet bërë më ngadalë. Sepse nuk është problemi tek vështirësia për të bërë një emision vetëm, por tek fakti se ku do shkosh pas kësaj.  Pasi duhet një moshë pjekurie artistike edhe përvoje përballë spektatorit, pasi unë këtë e quaj mbyllje karriere.
Por, unë ndihem ende i ri dhe energjik për të bërë këtë që po bëj sepse dua të jem pjesë e një spektakli ku gëlon energjia dhe spektatorët nuk rrinë të ulur duke bërë muhabet me njëri-tjetrin. Nuk jam ende i bindur që dua të dal nga kjo guackë, dhe për momentin jam shumë mirë dhe ndihem ende i ri, dua t’a shfryj energjinë që kam.
A ke një bllok ku shënon batuta që të vijnë në mendje dhe ke frikë se mos i humb?
Jo, nuk kam asnjë bllok të shënoj batutat, nuk shënoj sepse preferoj të jem spontan në prova. Në 100% të Apartamentit 2xl 60% të skenave janë improvizime.
A ke në projektet e tua të afërta realizimin e një filmi?
Po, kam bërë një film para dy vitesh, dhe jam në pritje për një tjetër projekt, sepse fatkeqësisht puna ka ngecur tek mbledhja e fondeve, pasi në Shqipëri ka para për çdo gjë vetëm për artin jo. Nëse bëhet një konkurs bukurie jepen fonde ndërsa për filmin shumë pak.
Cili nga fëmijët e ka trashëguar sensin e humorit?
Të dy e kanë, djali e ka më të theksuar, por edhe vajza e ka të trashëguar pak. Nuk mund të them dot sot nëse do bëhen aktorë ose jo, di të them se dua të bëhen profesionistë dhe njerëz të mirë në fushën që do zgjedhin.
Bisedoi: Fjola Graçi