Kur mu realizua dëshira për të intervistuar Manushaqe Shehun, femrën e parë gjenerale brigade në historinë 104-vjeçare të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u ndjeva po aq pjesë e këtij momenti historik.
Uniforma ushtarake, e vetmja barrierë imponuese për syrin, pasi zemra e madhe dhe energjia e brendshme pozitive, derdhen e përjetësohen në buzëqeshjen e saj të sinqertë.
Ajo të bën për vete, me elegancën në prezantim dhe delikatesën në shtrëngimin e duarve, e deri te thellësia e vlerësimit të jetës, familjes, apo femrës në tërësinë e saj.
Manushaqe Shehu, ka thyer dy tabu ‘gjinore’, si gjeneralja e parë femër në Forcat e Armatosura dhe drejtuesja e parë femër e Komandës së Doktinës dhe Stërvitjes, institucionit të vetëm për formimin e ushtarakëve në vend.
Dhe këto arritje janë fryt i punës së palodhur, traditës familjare prej ushtarakësh, por mbi të gjitha, siç pohon edhe vetë, mbështetjes së ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pa nismën dhe vendosmërinë e së cilës, asnjëra prej arritjeve nuk do të ishte sot realitet i prekshëm.
Sipas gjenerales, data 16 shtator 2013, kur ministrja Kodheli u vu në krye të këtij dikasteri, është dita më me fat për gjithë femrat ushtarake.
Në një intervistë ekskluzive për revistën “Shije”, gjeneralja ka rrëfyer aspekte të veçanta të arritjeve të saj në karrierën 33-vjeçare në Forcat e Armatosura, por edhe momente të jetës familjare, përtej të qënit ‘në detyrë’ dhe ‘në uniformë’.
Familja e saj, përbëhet nga bashkëshorti, djali 25- vjeçar, Iliriani i cili ka mbaruar degën e Financës dhe vajza 20- vjeçare, Kejsi e cila vazhdon studimet për mjekësi në Gjermani.
Lexoni rrëfimin, për emocionet e veçanta të tyre dhe dedikimin që kjo grua ka për familjen, të cilën e konsideron “të shenjtë dhe të përjetshme”.
Ky fundvit duket se ka qenë shumë i mbarë për ju në aspektin profesional. Janë dy momente vërtet historike. Cilin prej urimeve që keni marrë, apo emocionet e familjarëve, do të veçonit?
Do ta konsideroja një nder dhe një vlerësim të madh që më është bërë nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për të arritur deri këtu. Kam marrë shumë urime, kanë qenë njëri më i bukur dhe më domethënës sesa tjetri.
U jam mirënjohëse të gjithë njerëzve që më kanë kushtuar rëndësi, por edhe që më kanë dhënë mbështetjeje dhe ndjenja të forta solidariteti, të cilat është vështirë t’i përshkruash në një intervistë.
Për tre ditë rresht, gjatë 24 orëve jam munduar t’u kthej përgjigje të gjithëve. U kërkoj falje atyre të cilëve ndoshta nuk u jam përgjigjur në kohë.
Doja të ndaja në fakt me lexuesit tuaj, tre nga urimet më të veçanta, që nuk do të më shlyhen nga kujtesa.
Së pari, ishte urimi i Sekretarit të Përgjithshëm, Arjan Kraja. Ai më mori në telefon dhe më tha: “Kam dekretin e Presidentit përpara. Urime për gradën, ta mbani me nder dhe lavdi. Ia doli mbanë, edhe Mimi”.
Pra nuk ishte vetëm një fitore për mua, por edhe për ministren e Mbrojtjes dhe këmbënguljen e saj, që femrat në Forcat e Armatosura të jenë të njëjta me burrat, ashtu siç ndodhi në këtë rast.
Urimi i dytë ishte pikërisht urimi i ministres. Ajo më tha: “Manushaqe ia dolëm, u futëm në histori”. Nuk do të më hiqet nga mendja gjatë gjithë jetës, ajo fjalë aq e thjeshtë, por edhe madhështore.
Nuk e kisha menduar kurrë gjatë karrierës sime, se mund të isha e para femër gjenerale.
I treti është i gjeneral lejtnant Rahman Parllaku. Ishte ora 7:30 e datës 16 nëntor. Ai më dha dy urime. “Bravo, sepse ju jeni femra e parë, me ngritjen në detyrë të të cilës, u thye një tabu në historinë e Forcave të Armatosura dhe meritoni ta keni një gradë të tillë”.
Dhe urimi i dytë, përsëri nga gjenerali, ishte: “Ju jeni jo vetëm ushtrake, por edhe grua e zonja dhe suksesshme, që keni bërë të pamundurën, për të arritur në këtë moment, duke u rreshtuar mes gjeneralëve burra”.
Natyrisht, do të veçoja edhe miken tonë të familjes, me të cilën kam jetuar tetë vjet në Shkodër. Është “mamaja” ime e dytë, është mamaja e Fuhat Ibrahimit, që me urimin e saj më gëzoi shumë.
Ishte moment emocionues, sepse unë kam nëntë muaj që kam humbur nënën. Fjalët e saj ishin shumë emocionuese, m’u duk sikur më mori ajo dhe më tha: “Manushaqja e thjeshtë dhe e vogël arriti të bëhet gjenerale.”
Edhe fëmijët e mi, u emocionuan shumë. Lajmin ua dhashë vetë, në një moment të dytë. Djali ishte në udhëtim dhe e mësoi me vonesë, nuk arrinte ta besonte dhe ishte shumë i lumtur.
Vajza gjithashtu është larg dhe thoshte: “Unë jam vajza më krenare, sepse mami im na ka bërë të njohur në të gjithë botën”.
A do të kishit dëshiruar një dhuratë më të bukur këtë fundvit?
Kjo është dhurata më e bukur, jo vetëm për këtë fundvit, por gjatë gjithë karrierës dhe jetës sime. E them me shpirt, që do të doja që këtë dhuratë ta merrnin edhe femra të tjera në Forcat e Armatosura.
Unë do të kisha dashur të kishte edhe femra të tjera para meje të vlerësuara me këtë gradë, por me shpirt luftoj, që të ketë të tjera pas meje. Jam shumë e lumtur që kam hapur rrugën për femrat ushtarake, që edhe ato të jenë të barabarta, si burrat, në karrierën ushtarake.
Vetëm prej pak ditësh në detyrën si Komandante e Doktinës dhe Stërvitjes, si e gjeni veten? Jeni aty ku do të dëshironit të ishit e pozicionuar?
Më 12 dhjetor kam marrë detyrën si Komandante e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe si çdo detyrë e re, fillimet janë paksa të vështira.
Por unë do të punoj fort dhe do të zbatoj të gjithë rregullat dhe dispozitat ligjore, për të qenë në lartësinë e duhur, me përkushtim të madh, për të bërë të pamundurën në zbatimin e misionit, duke shpresuar që të mos i zhgënjej njerëzit me të cilët punoj.
Energji të reja dhe drejtim i ri. Këto janë dy pritshmëritë e eprorëve tuaj. Si do t’i konkretizoni në punën e përditshme? Cilat janë pikat tuaja më të forta?
Shtyllat kryesore të këtij misioni janë arsimimi, trajnimi dhe zhvillimi i mendimit doktrinar. Është një trekëndësh, pa brinjët e njërës nuk mund të ecet përpara.
Do të fokusohesha më shumë te njëra prej tyre, në mënyrë që ushtarakët tanë dhe edukimi ushtrak të jenë sipas standardeve bashkëkohore të NATO-s.
Do të ndaloja te cikli arsimor, i cili nis me përgatitjen e civilit si ushtar profesionist e deri te përfundimi i Kolegjit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Është një rrugë e gjatë që kërkon impenjim, zbatim të standardeve dhe më së shumti, kërkon zbatim të meritokracisë, që Forcat tona të Armatosura dhe arsimimi i trurit ushtarak të kombit ta jetë i njëjtë me standardet që ofron dhe kërkojnë forcat e NATO-s.
Ne do të punojmë për realizimin e detyrave në bashkëpunim me të gjithë stafin.
Çfarë këshillash keni për studentet tuaj?
Ne kemi studentë pasuniversitarë, por kemi edhe student që vijnë nga një jetë civile dhe studiojnë për të qenë qytetar me uniformë. Nuk është i lehtë fillimi, këtë e them edhe nga përvoja ime si studente.
Por ne kemi një brez të ri shumë të bukur, që i do librat, kërkon të mësojë, kërkon me çdo kusht të jetë pjesë e Forcave të Armatosura. Do t’u thosha se duhet shumë mund, shumë djerrsë dhe sakrificë, që të bëhen dikush në jetë. Do t'u thosha të studiojnë fort që të realizojnë ëndrrat.
Një femër me uniformë duhet të jetë e fortë. Kjo është përshtypja që krijon uniforma, po ju a keni dobësi për diçka apo dikë?
Kur zgjedh të jesh femër ushtarake, një femër me uniformë duhet t’i lësh paksa mënjanë gjërat e tjera që mund të ketë një femër në jetën civile. Nuk mund të them se kam ndonjë dobësi për diçka apo dikë.
Por do të veçoja disiplinën, si kriterin dhe cilësinë numër 1. Nëse nuk je e disiplinuar, nëse nuk je korrekte në orar dhe korrekte për të zbatuar rregullat apo detyrat e vendosura më mirë, mos fillo. Dhe kjo disiplinë, nis që në familje.
A janë të paragjykuara femrat me uniformë nga meshkujt, për shkak të gjinisë së tyre?
Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në ushtrinë shqiptare. Përkundrazi, ne jemi në proces të marrjes së ushtarëve të rinj dhe kërkesat janë shumë të mëdha janë nga femrat.
Legjislacioni shqiptar i ka të njëjta kriteret për përzgjedhjen dhe kemi vënë re një dëshirë të shtuar të të rejave që duan të përfshihen. Pra, ofrojmë një ambient shumë i ngrohtë dhe asnjëherë nuk jemi ndjerë të paragjykuara, duke filluar që nga unë e gjithë pjesa tjetër femërore.
Përkundrazi, do të thoja se ky ambient i mrekullueshëm, nuk ndodhet në asnjë institucion tjetër civil.
Unë do të doja të theksoja se femra shqiptare sot është shumë e përkushtuar te ajo që bën, në krahasim me meshkujt. Femra lind, është nënë, femra kujdeset për familjen, rritjen e fëmijëve, për gatimin, por femra shqiptare është edhe e përfshirë në politikë, edhe në të gjitha sferat e jetës.
Gjithsesi, familja është e përjetshme dhe kjo është vetëm falë femra shqiptare ushtarake, që janë në radhë të parë femra të mrekullueshme në jetën civile dhe janë për t’u adhuruar.
Tensioni, apo stresi duhet të jetë i lartë për një femër në uniformë. Si e përballoni ju?
Unë do ta quaja përgjegjësi. Varet nga përgjegjësia që ke si individ, nga korrektësia që ke si individ, apo përkushtimi që ke si individ. Nuk do ta quaja tension dhe stres. Zbatimi i detyrave është gjëja më e rëndësishme.
Të kesh një vend pune është fat, një mrekulli dhe kur e bën me pasion, me shpirt dhe me zemër, nuk mendoj se të krijon stres dhe tension.
Përkushtimi ndaj familjes, duhet të jetë i vështirë për një femër në karrierë ushtarake. Çfarë ndjesie është të jesh larg familjes, për një femër ushtarake?
Për të arritur deri këtu ku jam, duhet shumë mund dhe shumë punë. Familja ku jam rritur më ka edukuar kështu, të punoj me vendosmëri. Dëshirën për uniformën dhe disiplinën i kam pasur që në vogëli, pasi pasioni prej ushtraku rrjedh nga familja.
Pra, pa mbështetjen e familjes, nuk mund të bësh asgjë. Familja ime është frymëzimi, është gjithçka për mua. Ka patur momente të vështira, momente dobësie, nuk mund ta mohoj.
Mbaj mend kur kam qenë me një specializim në Francë, dhe më telefononte vajza që ishte shumë e vogël në atë kohë. Fjala e parë ishte ‘kur do të vish’, sepse nuk e kuptonte sa do të qëndroja dhe nuk mund ta fsheh, që ishte shumë e vështirë për mua si nënë.
Por pa sakrifica nuk mund të bësh asgjë. Dhe unë dua të theksoj se pa mbështetjen e bashkëshortit dhe dy fëmijëve të mi, unë jo vetëm s’do të isha këtu ku jam sot, por s’do të kisha karrierë ushtarake.
Megjithatë kanë ndryshuar kohërat dhe nuk e trashëguam dot këtë pasion për uniformën, tek fëmijët.
A ka ndonjë festë të munguar, apo ditë të veçanta, kur ju keni qenë larg familjes?
Kanë qenë shumë festa të munguara, por meqenëse jemi në prag Krishtlindjesh do të veçoja njërën prej tyre. Kam qenë pjesë e një delegacioni të lartë kryesuar nga ish-presidenti Bamir Topi, në dhjetor 2007 në Irak. Ishte prag Krishtlindjesh dhe ne arritëm te Forcat tona të Armatosura, kontigjenti 11, për të festuar me ta Krishlindjet, për t’u lehtësuar dhimbjen e të qënit larg familjes në këtë festë.
Ishte një prej Krishtlindjeve më të bukura të jetës, që unë e kam kaluar larg familjes, por pranë Forcave të Armatosura, që nuk do ta harroj kurrë.
Keni edhe ndonjë hobi tjetër të veçantë, apo disa mënyra se si e kaloni kohën e lirë. A bën pjesë gatimi?
Preferenca ime më e madhe është libri. Dhe po ta shikosh çantën time ka gjithmonë një libër apo diçka për të lexuar. I dyti është sporti dhe i treti, është gatimi, që e kam të trashëguar nga nëna ime.
Ajo ka qenë një nga kuzhinieret më të mira që ka pasur zona ku jam rritur unë, të cilën ma ka trashëguar edhe mua.
Që e vogël, më ka mësuar që të holloj petët dhe pavarësisht momenteve dhe kohëve të gjata që kam kaluar jashtë familjes, gjithnjë në tryezën tonë ka një gatim familjar.
Që e vogël 6-7 vjeç kisha qejf të holloja petët dhe sheqerparen e parë e kam bërë në moshën 10 vjeçare, por nuk mendoj se e rrita përsosmërinë si ajo. Gjithsesi, ruaj traditat e familjes në gatime të ndryshme.
Gatimin e kam art. Gatimi më çlodh. Në kohën e lirë, kur kam, kuptohet, më keni në kuzhinë.
Cilat do të ishin disa prej gatimeve të preferuara për ju dhe familjen?
Zakonisht ne përdorim shumë perimet në familjen tonë dhe gatimet tradicionale shqiptare. Kemi bashkëpunim në familje, zakonisht vendosim bashkarisht atë që do të gatuajmë për të nesërmen.
Ndonjëherë marrim mendimin e atij që është më i vogël, apo atij që mund të jetë paqejf, sipas rrethanave.
A ka ndonjë dietë të veçantë për ushqimin e një ushtaraku, a ka kufizime për femrat?
Nuk ka ndonjë rregull të veçantë ushqimi në ushtri. Gjithsesi, gjithë brezi i kursantëve, ka një normë të ushtarit në bazë të kalorive që duhet të marrë për të përballuar ditën. Dieta është e pasur me tre elementët bazë të ushqimit, karbohidratet, sheqernat dhe yndyrnat.
Ajo varion edhe në bazë të armëve dhe sipas shërbimeve që kryejnë, por nuk ka kufizime të veçanta për femrat.
Edhe personalisht, nuk mbaj ndonjë dietë të veçantë, por kujdesem që të konsumoj të gjitha vaktet e nevojshme, që për shkak të angazhimeve, ndodh të jetë një mision i pamundur.
Ushtria ka edhe aspektin e saj social. Kur ju keni qenë Drejtoreshë e Bashkëpunimit Civil dhe Ushtarak, është hapur edhe qendra për fëmijët autikë të ushtarëve. Si do ta vlerësonit këtë nismë?
Me nismën e zonjës Kodheli ndodhi edhe kjo mrekulli do ta quaja, që u hap kjo qendër për personelin civil dhe ushtarak. Kjo është ndihma më e madhe sociale, që nuk e ka parë ndonjëherë historia e Forcave të Armatosura dhe që mund t’ju ofrohet këtyre prindërve fatkeqë.
Ata mund të marrin programe mësimore në këtë qendër, e cila qëndron e hapur për t’u ardhur në ndihmë gjatë gjithë ditës. Unë e para dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura falenderojmë ministren dhe stafin e saj, që e realizuan hapjen e kësaj qendre.
Forcat e Armatosura, si pjesë e NATO-s, marrin pjesë në misione të përbashkëta dhe 2 femra janë nisur në Herat, nën komandën italiane. A është shprehje e besimit nga misionet e huaja, për të cilën duhet të ndihemi krenarë?
Është një fat i madh. Ato janë dy ushtare profesioniste të batalionit të 2 të këmbësorisë të Forcës Tokësore, janë profesionistet e para që kanë shkuar në mision. Kanë qenë edhe femra të tjera më parë në misione, por asnjëherë ushtare profesioniste.
Ministrja Kodheli, e cila është një zonjë e nderuar dhe një politikane e zonja, do ta quaja me plot gojën ‘një zonjë e hekurt’, ishte ajo që bëri të mundur që çdo femër të ketë mundësinë dhe mbështetjen sipas meritokracisë.
Ajo u ka dhënë shansin të gjitha femrave në ushtri për t’u përfshirë, që nga grada më e ulët, e deri te grada më e lartë, në rastin tim, me promovimin si gjenerale brigade, për të treguar vlerat e tyre.
Tanimë u është hapur rruga të gjitha femrave të tjera profesioniste ushtarake që të shkojnë në misione të tilla.
Në rastin konkret, këtu ushtare profesioniste shërbejnë në misione paqeruajtëse për të cilat ne jemi rreshtuar denjësisht përkrah vendeve të tjera të NATO-s si dhe shkojnë në vijën e parë të fronit, me detyra shumë të vështira.
Ndaj edhe ju uroj shumë suksese. Kemi edhe gra shërbejnë në misionet në afganistan, në Kosovë dhe në NATO, ndaj i përshëndes dhe ju uroj “Gëzuar festat”.
Do t’ia uronit këtë fat femrave të tjera në Forcat e Armatosura, apo atyre vajzave që aspirojnë të ngjisin shkallët e karrierës njësoj si ju? Apo kur e prek nga afër është një detyrë shumë e vështirë?
Jam shumë krenare dhe ndjehem shumë e lumtur, për faktin që u hap rruga që femrat të reshtohen përkrah burrave dhe të marrin gradat më të larta. Ua uroj të gjitha femrave në Forcat e Armatosura.
Më lejo të citoj Napoleon Bonapartin që thotë se ‘ëndrra e çdo ushtaraku është që të bëhet gjeneral’. Ndaj shpresoj që kjo ëndërr të bëhet realitet edhe për femrat e tjera ushtarake.
Ndërsa Maria Tereza, mbretëresha e Austrisë thoshte: “Kur një grua ka ambicie, nuk ka asgjë të pamundur”. Ndaj do t’u thosha të gjitha femrave, se është pasioni ai që të bën të kapërcesh çdo lloj vështirësie.
Bisedoi: Brikena Dervishaj