Dita nis dhe përfundon me mendimet për gjimnazistët. Janë ata që e frymëzojnë gjatë punës dhe çdo ditë i japin ajër ndryshe. Nuk do ta gjente veten dot larg tyre dhe larg bankave të shkollës. Lidra Meidani, ish-zonja e parë e vendit, bashkëshortja e Presidentit të 3-të të Shqipërisë, në vitet 1997-2002, në këtë rrëfim ekskluziv për revistën ‘Shije’, jep copëza detajesh nga ajo kohë, si një nga oponentet më të mëdha të vetë Presidentit dhe qeverisë, tregon se si fëmijët nuk e tregonin që e kishin babain President dhe momente të tjera familjare. Një rikthim në të shkuarën, por edhe angazhimet e saj prej rreth 40 vitesh karrierë në arsim, sot nën drejtimin e 'New York High School', bashkë me arritjet e këtij gjimnazi, përgjatë këtyre dy viteve shkollore. Si një prej aktivisteve që i ka mbështetur fort gratë dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, Lidra Meidani shprehet e zhgënjyer nga aksioni i munguar i grave në politikë, në Parlament, në qeveri dhe në jetën publike. Por në këtë rrëfim ka edhe shumë detaje të vogla, si gatimet e preferuara, shija e ëmbël e frutave që i lënë festat e fundvitit, si dhe ku do t’i kalojë ato familja Meidani…
Si nis dita për ju, me një kafe apo çaj?
Problemin me kafen e kam shumë të madh. Më pëlqen kafja, por nuk e pi dot. Mund ta pi shumë rrallë. Dita nis me një lëng portokalli dhe një çaj kamomil, me disa nga koleget e mia,diku afër shkollës.
Cilat janë mendimet e para të mëngjesit, apo pritshmëritë për ditën, kur niseni për në shkollë?
Në këtë “mbledhje të vogël” jemi tre ose katër veta dhe gjithçka kemi akumuluar nga dita e mëparshme, gjithë reflektimet për punën që kemi bërë dhe për ato që na presin, i diskutojmë atje. Edhe kur nuk jam në shkollë, pa e kuptuar, mendimet e mia shkojnë po aty dhe zgjidhjet e problemeve vijnë papritur… Mësuesit e kanë një veçori që, kur mblidhen bashkë, nuk shpëtojnë pa biseduar për mësimin e problemet e shkollës.
Nuk jeni ndarë nga profesioni juaj në asnjë moment. Sa vite investim personal mund të rendisni në arsimimin e brezave?
Rreth 39 vjet në arsim: 34 vite në shkollën “Ismail Qemali”, 3 vjet në gjimnaze të tjera dhe prej më shumë se  dy vite në “New York High School”. Janë shumë vite. Madje, kudo që shkoj, qoftë kur dal për blerje në ndonjë qendër tregtare, apo edhe kur dal jashtë shtetit, do të gjej gjithnjë njerëz që më përshëndesin duke më thënë  “Zysh si je?”.
Ndodh që ish-nxënësit ju risjellin grimca të së kaluarës. Çfarë emocionesh ndjeni?
Janë shumë vite në arsim dhe shumë kënaqësi  merr nga ky profesion, që mbase pak profesione e kanë. Kur i takon ish – nxënësit  e tu, pas shumë vitesh, kënaqësia është shumë e madhe, sidomos kur të përshëndesin me respekt.
Keni një histori të veçantë që mund ta ndani me lexuesit e revistës “Shije”?
Historitë janë të shumta. Në verë ishim në Pogradec duke ngrënë drekë. Erdhi kamarieri dhe na tha: “Kjo shishja e verës është për zyshën”.
Ishte nga një ish-nxënësi im, që jetonte në Angli dhe kishte ardhur me pushime. Kujtuam kohët kur ai kishte qenë nxënës te “Ismail Qemali”, punët që bënte dhe sukseset që kishte arritur.
Për ta, është rikujtimi i një kohe, ndërsa për mua është një mënyrë të jetuari që e bëj përditë. Jo të gjithë i njoh menjëherë. Ata më rikujtojnë ngjarje të ndryshme nga jeta e tyre shkollore, ndërsa unë mendoj se sa shumë kanë ndryshuar ata dhe unë si mësuese, nga viti në vit. Vë re ndonjëherë që, disa përshtypje mund t’i kem pasur edhe të gabuara.
Për ndonjë nxënës mund të kem pasur idenë se ka qenë pak dembel dhe nuk punonte sa duhet, por, më vonë, kur e kam parë që ka arritur suksese në jetë, mendoj që e kam pasur gabim.
Një gjykim për një njeri të caktuar, në një fazë të jetës, nuk duhet ta marrësh  si përfundimtar, sepse vjen një kohë që njerëzit rriten, sidomos adoleshentët. Kushtet e jetesës i bëjnë që të reflektojnë ndryshe nga sa kanë menduar dhe vepruar në atë moment kur kanë qenë nxënës. Aty është kënaqësia më e madhe. Të vjen keq që e ke gjykuar gabim dhe nuk ke vënë re atë potencial që ai ka patur.
Mësuesi i do të gjithë nxënësit, pavarësisht se kur je në shkollë mendon ndonjëherë që ky mësues nuk më do, apo ka ndonjë tendencë të veçantë.
Në fakt, mësuesit që janë profesionistë i duan të gjithë nxënësit njëlloj. Edhe kur i kritikojnë apo i ngarkojnë me detyra, e bëjnë që ata të rriten.
Keni dashur të largoheni apo distancoheni në momente të veçanta?
Jo, i kam pasur mundësitë, por nuk e kam bërë asnjëherë. Është profesioni që më përshtatet më mirë. Edhe ardhja në “New York High School”, më ka bërë që ta ndiej më shumë kënaqësinë e profesionit.
Është një shkollë ku kushtet janë shumë të mira për të zhvilluar mësim, qoftë nga ana e infrastrukturës, apo edhe  e mësuesve  të përzgjedhur që punojnë me mua.
Vërej se ato gjëra që nuk ke pasur mundësinë t’i bësh në një shkollë shtetërore, me shumë klasa dhe me një numër shumë të madh nxënësish, me klasa të mbipopulluara, është më e mundur t’i bësh këtu dhe ndien një kënaqësi shumë më të madhe në profesion.
Jeni drejtuesja e një institucioni arsimor mjaft prestigjioz, por edhe me eksperiencë relativisht të re. Pse duhet një prind t’ua besojë edukimin e fëmijës së tij?
Pse prindërit duhet të zgjedhin NYHS?

“New York High School” funksionon si institucion jopublik, nën administrimin e “New York University” në Tiranë.
Duke zbatuar programet e parashikuara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, për arsimin e mesëm të lartë, kjo shkollë ofron infrastrukturën e duhur sipas niveleve bashkëkohore evropiane. Nxënësit tanë zhvillojnë provimet e maturës, sipas standardeve kombëtare të hartuara nga kjo ministri, si dhe janë pjesëmarrës në projekte e module të parashikuara për të gjitha gjimnazet e tjera, në vend, psh: Projektet Ndërlëndore (tema të përzgjedhura kanë qenë “Shqipëria dhe regjimi komunist” dhe “Metoda të kërkimit shkencor”) si dhe Bashkëpunimi me Kryqin e Kuq Shqiptar.
Në ndihmë të mbarëvajtjes së procesit mësimor – edukativ, ne kemi zhvilluar modelin “Shkolla e Prindërimit”, një cikël i përmuajshëm, bashkëbisedimi e dialogu, mes psikologut të shkollës dhe komunitetit të prindërve.
Këto takime na shërbejnë për të forcuar marrëdhëniet me prindërit, si grupe interesi, për një mësimdhënie më të mirë. Mësuesit që punojnë me mua, vijnë pas një përvoje të gjatë, si profesionistë, në arsimin shqiptar.
Përkushtimi në mësimdhënie dhe bashkëpunimi me nxënësit, janë pika jonë e fortë. Puna individuale, për të nxitur vetëbesimin e vetëvlerësimin e nxënësve si dhe puna në grup, për të krijuar një ekip të suksesshëm, përbëjnë filozofinë e shkollës sonë.
Institucioni që ju drejtoni është i pozicionuar në një vend shumë piktoresk. Është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e nxënësve se ky institucion është më shumë se një shkollë?
Shkolla gjendet mes një pllaje me mimoza, në zonën e Linzës në Dajt. Është një nga pikat e forta, sepse ne, gjatë 7 orëve, që rrimë këtu, jo vetëm që kemi një mjedis me pamje shumë të bukur, por edhe me ajër shumë të pastër. Kemi edhe mundësinë që nxënësit të bëjnë ecje në natyrë. Vitin e pare, kur u hap shkolla, aktiviteti që bëmë me nxënësit ishte një shëtitje në fshatin Surrel, por edhe në lëndinat rreth e rrotull shkollës.
Ky institucion është më shumë se një shkollë. Cilat janë kushtet që ju favorizojnë?
Ne ofrojmë bursat (nga ana e “New York University”) për nxënësit të cilët fitojnë konkursin e zhvilluar, me këtë rast, gjatë muajit prill.
Gjithashtu dua të theksoj mbështetjen e komunitetit mirëkuptues të prindërve, që na kanë besuar, që në vitin e parë, fëmijët e tyre.
Pastaj janë mësuesit e përgatitur dhe me dëshirën për punë, si edukatorë dhe specialistë të lëndës mësimore.
Janë nxënësit e aftë, për t’u përshtatur me kërkesat e kohës dhe për t’u përballur, denjësisht, në çdo kompeticion, me moshatarët e tyre, brenda e jashtë vendit.
Cilat janë avantazhet e kurrikulës suaj në krahasim me shkollat e tjera?
“New York High School” zbaton programet e parashikuara nga MAS, por ka edhe veçoritë e veta. Në ndryshim nga shkollat publike, gjuha angleze zhvillohet në 4 orë mësimore, si lëndë bërthamë dhe 1 orë lëndë me zgjedhje, për klasat XII, “Business and Economics in English”. Gjithashtu për klasat X dhe XI kemi futur si lëndë me zgjedhje, në gjuhën angleze: “Public Speaking”, dhe “Përgatitje për provimet e TOEFL / IELS”.
Nxënësit tanë mund të vijojnë studimet në Universitetin e New Yorkut, ku mësimet bëhen në anglisht.
Çfarë aktivitetesh jashtëshkollore ofron shkolla juaj, për nxënësit, lidhur me aftësimin e tyre në drejtim të arteve, apo sporteve? Cili është synimi juaj?
Në misionin tonë, ne ndihmojmë një individ, të krijojë personalitetin e tij të ardhshëm nëpërmjet dijeve në vazhdimësi, aftësive krijuese dhe dëshirës për të qenë pjesëmarrës në sporte dhe në aktivitete artistike. Aktivitetet artistike parashikojnë edhe vizita në zona arkeologjike e turistike të vendit, si dhe persona publikë, të ftuar çdo muaj, për të bashkëbiseduar me nxënësit. Poetë, gazetarë, studiues, këngëtarë, sportistë, aktorë, e përfaqësues të shoqërisë civile, kanë qenë pjesë e këtyre takimeve.
Shkolla jonë synon qytetarin dhe jo thjesht nxënësin, si produkt i teorive akademike.
Edukimi ynë bazohet tek ideja se çdo individ mbart vlera unike dhe zotëron një potencial shpirtëror e intelektual, i cili nëse nxitet të zhvillohet, gjatë viteve të shkollës, do të japë frytet për të krijuar liderët e së ardhmes.
Dy takimet e fundit ishin, me një profesor që foli për çështjet e klimës dhe  me një studiuese të letërsisë. Përveç kuriozitetit të nxënësve për fusha të ndryshme, një nga synimet tona është që ata të krijojnë një model. Ata marrin njohuri, por personalizojnë edhe modelin e një njeriu të suksesshëm.
Cilat janë disa nga sukseset që shkolla juaj ka arritur gjatë këtyre viteve të para?
Suksesi ynë i parë ishte vendosja e një marrëdhënieje komunikimi, të shkëlqyer, mes mësuesve dhe nxënësve në shkollë. Besimi reciprok tek njëri – tjetri dhe krijimi i një fryme mirëkuptimi ku ndërthuren sëbashku, disiplina me dashamirësinë, për nxënësit. Sukseset e tjera erdhën, në vijimësi, si rezultat i bashkëpunimit të dyanshëm:
fitorja e 25 vendeve (të para, të dyta e të treta) në olimpiadat kombëtare të fizikës, kimisë, biologjisë, letërsisë, historisë dhe gjeografisë; fitorja e kupës, në basketboll, volejboll e futboll, mes gjimnazeve jopublike të Tiranës. Këto janë arritjet tona, përgjatë këtyre dy viteve shkollore.
Kemi edhe një nxënës që, para dy javësh, mori medalje të artë dhe të argjendtë në garat e notit. Kemi nxënës që merren me sporte të ndryshme, arte marciale.
Brezi i gjimnazistëve i përket një grupmoshe që kërkon shumë angazhim, si e gjeni veten mes tyre?
Jam marrë gjatë gjithë viteve me këtë grupmoshë por, asnjëherë nuk kam menduar se di gjithçka e mund të zgjidh vetë çdo problem . Ne, në NYHS, i japim shumë rëndësi trajnimit tonë të brendshëm. Për një problematikë të veçantë që vëmë re, një grup mësuesish përgatitet dhe referon për kolegët se si trajtohet kjo problematikë, në vende të ndryshme, nga specialistë të ndryshëm. Këto lloj trajnimesh ne i kemi të përmuajshme, për të qenë të azhornuar me të rejat, metodat që përdorin në vende të ndryshme për një shkollim të suksesshëm.
Si kanë ndryshuar brezat në optikën tuaj?
Në krahasim me vitet e para të karrierës sime, mund të them se nxënësit përgatiteshin më shumë  duke shfrytëzuar librat e shkollës. Tani, me kalimin e viteve, mund të them se nxënësit e shkollës (flas për nxënësit shumë të mirë) librat e shkollës i kanë si një pikënisje. Por, ata kanë shumë mundësi që të gjejnë materiale të ndryshme, të nxitur edhe nga mësuesit, për t’u thelluar në ato që bëjnë në mësim. Por ka edhe diçka tjetër, nxënësit humbasin shumë kohë në  rrjetet sociale. Do të ishte shumë mirë nëse do të harxhohej koha për të kërkuar dhe mësuar diçka, e, jo shumë kohë për gjëra të cilat  nuk kanë impakt në edukimin e tyre. Por kemi shumë nxënës që merren me sport dhe kjo është një gjë shumë më e mirë. Ne përpiqemi që nxënësit t’i bëjmë të ndjeshëm për problematikat e grupeve të veçanta të shoqërisë. Kështu, një nga aktivitetet, ishte pjesëmarrja, për një temë lidhur me dhunën, në bashkëpunim me rrjetin “Sot për të ardhmen”. Nxënësit tanë u angazhuan, me recitimin e poezive të ndryshme, përgatitën edhe bizhu të vogla, që i ekspozuan atë ditë. Bizhutë u shitën dhe të ardhurat shkuan në ndihmë të grave të dhunuara. Po këtë vit, nxënësit tanë shkuan edhe në një shtëpi për të moshuarit, ku ishin të pranishëm edhe disa artistë, për xhirimet e një filmi. Ne nuk duam të edukojmë vetëm nxënës, por  qytetarë të përgatitur për jetën.
Cilët do të ishin disa nga librat që do t’i shërbenin edukimit jashtëshkollor për fëmijët e grupmoshës në institucionin që ju drejtoni dhe që do të duhet të përfshiheshin në planet arsimore?
Ne ua rekomandojmë, gjatë  vitit shkollor, të gjithë librat që duhet të lexojnë. Dhe, më pas, të gjitha mësueset punojnë me ta. Librat janë të ndryshëm: nga letërsia artistike (autorë klasikë e modernë) por edhe nga lëndë të tjera shoqërore (libra psikologjikë e  historikë) ose libra për zgjidhje ushtrimesh suplementare, në lëndët natyrore.
Cili është libri që ju po lexoni aktualisht?
 Mbaj në dorë disa libra njëkohësisht. Libri  që  kam, tani, në tavolinën e punës, në zyrë, është një libër që më ka bërë shumë përshtypje dhe të cilit i kthehem herë pas here, “Të martat me Morin”, nga Mitch Albom.
Është bashkëbisedimi i një profesori (i cili në një fazë të jetës, sëmuret  dhe pret fundin) me një ish – studentin e tij.  Ky libër rrëfen një mënyrë se si ta kuptosh dhe jetosh jetën. Diku në libër, profesori thotë: “Shpesh ju nuk besoni atë që shikoni, por besoni atë që ndieni. Dhe nëse doni që të tjerët t’ju besojnë, duhet të ndieni që edhe ju mund t’u besoni atyre, qoftë edhe kur jeni në errësirë, madje edhe kur jeni duke u rrëzuar”.
Grupet e gjimnazistëve që mbarojnë këtu kanë një mundësi për të vazhduar në Universitetin e New Yorkut dhe mund të përfitojnë edhe shumë bursa….
Po, nxënësit që mbarojnë këtu, kanë më shumë përparësi, nëse zgjedhin të vazhdojnë këtë universitet.  Por, nga ana tjetër edhe maturantët e shkollave të tjera, mund të përfitojnë nga bursat në një universitet serioz si Universiteti i New Yorkut, në Tiranë.
A ka qenë e vështirë përshtatja me reformat e reja të Ministrisë së Arsimit për përgatitjen e maturantëve?
Ne nuk kemi pasur Maturë Shtetërore vjet, kjo e sivjetshmja  është matura e parë. Kemi punuar me secilin nxënës në veçanti, deri tani. Nuk i kemi ndier problematikat e vitit të kaluar, por duke parë se maturantet patën vështirësi në orientim, punuam për t’i drejtuar ata për zgjedhjen e lëndëve, në mënyrë që të fitojnë në degët ku ata duan të studiojnë.
Po ashtu, një punë informuese u bë me komunitetin e prindërve mbi kurrikulën dhe mënyrën e vlerësimit të nxënësve, në klasat e dhjeta.
Ka kaluar shumë kohë, rreth 14 vjet, por ende ka kuriozitet lidhur me statusin tuaj si ish- zonjë e parë e Presidentit të 3-të të Shqipërisë… Keni ndopak nostalgji për ato vite?
Jo. Në ato vite bëmë atë që duhej bërë, për aq sa mundësi kishim, fituam një mënyrë të të parit të botës ndryshe. Kjo përvojë dhe të qënit në qendër të vëmendjes, të bën të jesh më i përgjegjshëm, më i kujdesshëm.
Lexuesit tanë do të ishin kuriozë të dinin, vazhdimësinë e kontributit tuaj si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve…?
Përpiqem që gjithë atë përvojë, e cila nuk ishte e pakët për mua, ta transmetoj në punën time të përditshme. Ishte me të vërtetë një mundësi e mirë.
Deri në atë kohë e mendoja se kudo në Shqipëri, funksiononte njësoj, si në rrethin tim familjar apo shoqëror. Por, vura re se funksiononte shumë ndryshe.
Shtroheshin shumë nevoja që, çdo hallkë e qeverisjes dhe më gjerë, duhet t’i kishte parasysh, qoftë për familjet në nevojë, apo për gratë e dhunuara, po ashtu edhe në drejtim të barazisë gjinore.
Kam qenë shumë luftarake, që gratë të përfshiheshin në politikë dhe në poste drejtuese, në qeveri dhe Kuvend. Të them të drejtën, jam paksa e zhgënjyer. Nuk e vë re atë cilësi që unë mendoja se do të arrihej, nëse do të kishim me shumë zonja në  poste drejtuese. Kam menduar se modeli që do të sillnin, sidomos gratë që vinin nga shoqëria civile, do të ishte i tillë që, nëse një votues, do të kishte përballë një burrë dhe një grua, nuk do të nguronte që t’ia jepte votën asaj. Kjo nuk ka ndodhur. Shumë here, vë re, me keqardhje, që gratë, pasi bëhen deputete apo ministre, e humbasin atë grintën për të luftuar, që shtresat në nevojë të fitojnë.
Barazia sociale nuk është më, ëndrra e tyre e madhe. Ato duhet të jenë në radhët e para të luftës për të arritur këto objektiva.
Por, shpeshherë, e lënë veten që të mesatarizohen dhe të kërkojnë të njëjtën gjë që kërkon kryetari, që kërkon partia dhe t’i ndrydhin apo harrojnë ato kërkesa, të cilat kanë pasur më parë,  të mos e ngrenë më zërin për mungesat e për  padrejtësitë. Mbase, edhe kjo mënyra e të zgjedhurit të deputetëve me lista të mbyllura, ka bërë që të mos jenë ato gra që duhet të jenë, në këto poste. Kjo është një keqardhje e madhe për mua.
Edhe sjellja e më shumë grave në Parlament nuk ka sjellë zbutjen e debateve mes deputetëve…
Këtë përshtypje besoj se nuk e kam vetëm unë. E kanë të gjithë, sepse nëse ti e lejon që në forume të partisë t’i drejtohen me këtë gjuhë apo sjellje, një ministreje apo një deputeteje  dhe nuk reagon, atëherë nuk mund të presim që, jashtë forumeve, të jesh mbështetëse  p.sh. e kauzës kundër dhunës. Nuk është fundi i botës, të mos jesh ministre dhe deputete, prandaj presim qe reagimi i zonjave të jetë  i fortë e pa kompromis.
Unë do ta quaja një gjë shumë të keqe, shumë të dhimbshme për veten time, nëse nuk do të reagoja dhe nuk do të jepja atë imazh dhe të arrija rezultatet që do t’i kisha vënë vetes. Nëse je apo s’je ministre, apo deputete, nuk ka ndonjë ndryshim për mua. Ndryshimi bëhet me atë se si të shikojnë të tjerët dhe çfarë ke arritur.
Dhe për gratë që vijnë nga shoqëria civile, është vërtet për të ardhur keq. Dëgjoj shpesh që thonë: “Jam përfshirë në politikë dhe përpiqem që të mos humbas feminilitetin tim”. Kjo nuk do të thotë asgjë. Mënyra se si e lidhni shallin, nuk është aspak e rëndësishme, në momentin kur jeni futur në politikë, ku debatet janë të ashpra dhe mjedisi është i paedukuar. Feminiliteti duhet parë se si i përafron problemet e ndryshme dhe se si lufton për t’i zgjidhur këto probleme, apo si i detyron, me praninë tënde, që të të respektojnë e të të dëgjojnë mendimin.Unë nuk mund të rri në të njëjtin mjedis, ku të gjithë flasin si të duan, si t’u vijë dhe, nga ana tjetër,  të mos reagoj e të mos u tregoj “vendin”.
Vetëm maja e ajsbergut duket në sytë e publikut. A mund të ndani me lexuesit e revistës ‘Shije’ ndonjë detaj nga mënyra e jetesës si zonjë e parë? Është e vështirë të jesh në qendër të vëmendjes? Kush kujdesej për veshjet, apo ushqimin?
Ishte një periudhë shumë e vështirë, flasim për vitet 1997-2002. Shqipëria ishte shumë e varfër edhe mundësitë, për të gjetur veshje, ishin të pakta. Nuk kam menduar ndonjëherë që të përfaqësohem apo të tërhiqja vëmendjen me atë që vishja. Nuk do të kisha respekt për veten time. Kam pasur kujdesin gjithmonë që të përcjell mesazhe që kanë qenë të vlefshme për atë kohë. Them se këtë mundësi duhet të shfrytëzojnë të gjitha gratë që janë në mjedise politike,  Ç’ka duhet korrigjuar, ta thonë me zë të lartë.
Si i kujtoni ato vite?
Rrallëherë shikojmë ndonjë foto dhe futemi në ato kujtime, por nuk mund të jetoj me të kaluarën. Kur kalon një farë kohe, nuk ke më emocionet që ke pasur dhe shumë personazhe  i gjykon ndryshe, sot.
Ka qenë një fat i madh që kam takuar edhe njerëz të shumtë, të cilët kanë vendosur fatet e kombeve.  Këtë mundësi mund ta shfrytëzoja edhe tani, nëse do të shoqëroja Rexhepin, në aktivitetet e shumta jashtë vendit,  por kam zgjedhur të punoj fort. I jam kushtuar profesionit tim derisa të kem mundësi dhe jam e vendosur që të arrij ato rezultate që i kam caktuar vetes.
Keni qenë ju këshilltare e Presidentit? Në cilat fusha merrte mendimin tuaj?
Unë them se kur dy njerëz kanë jetuar, për shumë kohë bashkë, edhe mënyrën e të parit të botës, apo mendimet për çështje të ndryshme,  thuajse i kanë të njëjta.
Asnjëherë nuk ka përputhje 100 për qind të mendimeve. Megjithatë, President ka qenë Rexhep Meidani dhe vendimet i merrte ai. Unë nuk mund të ndikoja te asgjë.
Unë mund të them që, kam qenë oponentja më e madhe, qoftë e qeverisë, qoftë e Presidentit.
Po fëmijët tuaj si e kanë përjetuar këtë periudhë të jetës?
Fëmijët e mi nuk kanë qenë në Shqipëri. Djali, Denioni, e la Shqipërinë, 15 ditë pasi Rexhepi u zgjodh President dhe për 5 vite me radhë vinte vetëm për pushime.
Vajza Adea, po ashtu jetoi dy vjet me ne dhe shkoi në Francë, ku vazhdon të jetë akoma. Ajo vinte më shpesh, meqë ishte në Evropë. Do t’ju tregoj një ngjarje me vajzën.
Ajo nuk e thoshte që ishte vajza e Presidentit të Shqipërise. Një ditë profesori u thotë që të shkruanin emrin dhe profesionin e prindërve.
Dhe ajo shkroi vetëm ‘fizikan’ përbri emrit. Profesori i shkencave politike, e pa emrin dhe e pyeti: “Po, Presidentin e Shqipërisë e ke të afërt? – Po – i  tha ajo. – Sa  të afërt? Është babai? – Po  i tha ajo, më në fund”.
U mërzit shumë, sepse shoqëria u distancua. Kur i pyeti per arsyen, ata ju përgjigjën se, ndoshta, nuk do të donte të rrinte më, me ta. “Unë prandaj nuk ju thashë që jam vajza e Presidentit, sepse dua që të rri me ju”, - ishte përgjigjur Adea.
Si është marrëdhënia juaj me ta aktualisht? Vajzat janë më të lidhura me babanë, zakonisht dhe nënat me djemtë. Ndodh kjo edhe në familjen tuaj?
Lidhen me babanë, por deri në një farë moshe, pastaj lidhen me mamanë më shumë. E duan dhe e respektojnë të atin, por vajza bisedon më shumë me mua, sepse Rexhepi, edhe pasditeve vazhdon punon, apo nuk ndodhet shpesh në Shqipëri. Me babanë bisedojnë për çështje të tjera, në fushën e politikës apo ekonomisë, apo çështje shumë madhore, sepse ajo është avokate në profesion.
Ndërsa për gjërat më të vogla, bisedojmë shumë mirë bashkë. Unë  di shumë mirë se çfarë gatimesh i pëlqejnë, apo ç’stilist preferon p.sh. Nëse e pyet Rexhepin, ai nuk i di këto detaje.
Do t’ju gjejnë së bashku Krishtlindjet dhe Viti i Ri?
Po. Adea, do të vijë për Vitin e Ri. Nga mosha 3 deri 14 vjeç, ka jetuar pjesën më të madhe të kohës me prindërit e mi. Ajo është shumë e lidhur me mamanë time dhe ato  flasin në telefon çdo dy  javë, nga 20 minuta. Pushimet e verës i bëjmë bashkë dhe ne shkojmë në Paris, ndërsa për Vitin e Ri, ajo vjen për ‘nonën’. Ajo i thotë fjalët e duhura, di ta qetësojë.
Cila është marrëdhënia juaj me gatimin?
Kam pasur shumë qejf të gatuaj. Çdo ditë kam gatuar dhe vazhdoj të gatuaj vetë. Madje, kam edhe shumë receta që shoqet e mia i kanë marrë dhe i kanë shënuar ‘recetat e Lidrës’.
Por tani, për shkak të alergjisë që unë kam, i kam futur edhe pjesëtarët e familjes, në një lloj diete, sepse duhet që të hanë ato ushqime që nuk më bëjnë mua alergji, në përgjithësi.
Madje, ka raste kur harroj të blej edhe bukë. Përdor disa receta që janë më të shëndetshme e të përshtatshme për mua, madje kur i gatuaja në fillim, im bir, thoshte: “kjo shije është e turpshme”.
Preferoni të hani jashtë?
Po, dalim, por preferencat janë të ndryshme. Për mua, hahet më mirë dhe më shëndetshëm në shtëpi. Por, nuk mund të kufizoj të tjerët.
Cilat janë pjatat e preferuara?
Unë kam parimin që i ndryshoj shpesh recetat. Më pëlqen  të eksperimentoj dhe këto diskutime i bëjmë edhe bashkë me motrën, Sonilën, e cila më ndihmon p.sh.  çdo vit  me receta gatimi per gjelin e detit.
Pjatat e mia duhet të jenë me quinoa, peshk, qiqra dhe duhet të jenë me sa më pak kombinime. Janë të shëndetshme dhe marr kaloritë e duhura.
Shijen e cilit frut ju sjellin ndër mend festat e fundvitit?
Molla. E përdor edhe në shumë receta. Është fruti që më pëlqen më shumë. Nuk do të lija pa përmendur edhe shegën, që e përdor në receta të ndryshme.
Ju faleminderit për intervistën!
Bisedoi: Brikena Dervishaj