Ka takuar 1 ton me drejtorë në jetën e tij dhe të gjithë bashkë i ka “përmbledhur” në rolin e tij në emisionin e përjavshëm  të Portokallisë duke krijuar një humor të hollë, por të depërtueshëm tek të gjithë.
Erdit Asllani, një ndër personazhet  i cili u pëlqye menjëherë nga publiku vjen në një rrëfim të drejtpërdrejtë në revistën Shije…

 

Lexuesit e revistës do të ishin kuriozë të dinin se si nisi pasioni yt për aktrimin. E keni pasur ëndërr që në fëmijëri, apo u zhvillua me kalimin e viteve dëshira për t’u bërë aktor?
 Mendoj se që fëmijë e kam pasur një dëshirë të brendshme që rruga ime do ishte rruga e artit. Dhe ashtu si instiktivisht, pa kuptuar rruga ime po shtrohej dalëngadalë nga aktivitetet e shkollës fillore, të mesme , e më pas zgjedhja ime të shkoja në Universitetin e Arteve.

A imitonit ndonjë personazh kur ishit i vogël? Keni pasur ndonjë aktor të preferuar, të cilit donit t’i ngjanit?
Nuk është se kam ndonjë aktor që dua t’i ngjaj por unë shikoj, lexoj, analizoj mënyrën si kanë punuar aktorët e mi të preferuar. Çdo artist i madh është i madh për shkak të veprave që ka lënë pas.

Si janë marrëdhëniet me kolegët e Portokallisë? Jeni miq me të gjithë, apo keni ndonjë mik më të veçantë, apo ndonjë koleg me të cilin nuk shkoni mirë?
Portokallia funksionon si ekip. Unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë, por sigurisht që veçoj dhe rri më afër me disa prej tyre.

Me sa “drejtorë” ke pasur të bësh në jetën tënde?
Me një “ton” drejtorë.

Ke pasur ndonjë ofertë, apo ke menduar të marrësh pjesë në ndonjë film?
Kam dhe mendoj se së shpejti do kemi diçka të bukur.

Cili është ai aktor në kinematografinë botërore nga i cili frymëzohesh, apo je frymëzuar në ndonjë moment të veçantë të jetes tënde?
 E lexoj dhe e rilexoj biografinë e Charlie Chaplinit. Ai ishte një përbindësh në punë dhe një gjeni nën dritat e kamerës .

Kemi vënë re se në faqen personale në Facebook dukesh shumë i thjeshtë dhe i afrueshëm me njerëzit që të komentojnë. Si i ke marrëdhëniet me fansat?
Tashmë Facebook është një mundësi e mirë që të jesh më afër me njerëzit. Fakti që ata më ndjekin më ngjall detyrimin t’i respektoj.

Gatuan Erditi?
Si gjithë meshkujt shqiptarë. Vezë dhe unë. Nuk jam krenar për këtë ta dini.

Cila është pjata që ti gatuan më mirë?
Omëleta. As për këtë nuk jam krenar!

Cili është ai ushqim tradicional gjirokastrit që të merr malli dhe sa herë që shkon në vendlindje kërkon që të ta gatuajnë?
Unë shkoj në Gjirokastër edhe vetëm për një supë të thjeshtë nga mamaja ime.

Konsumon alkool?
Kur pi ndonjëherë, rrallë, por në përgjithësi jo.

Më mirë birrë apo verë?
Padiskutim verë.

Mish viçi i pjekur në zgarë apo mish qengji i pjekur në hell?
Mish qengji i pjekur në hell.

Bakllava apo kadaif?
Kadaif ndoshta.

Po preferencat ndaj femrave, bjonde apo brune?
Të turbullt. (qesh)

Më mirë një mbrëmje me partneren afër dritës së qirinjve në një tavolinë të mbushur me krudo apo një mbrëmje me shokët duke ngrënë qofte, salcë kosi dhe birra?
Një përgjigje diplomatike do ishte: Afër qirinjve (qesh)

Cilat janë planet e Erditit për të ardhmen e afërt?
Pakëz pushime pas sezonit të Portokallisë. Dhe me gjithë energjinë e botës nisim 2017-n me gjëra të bukura.
Bisedoi: Fjola Graçi