Largimi i infermierëve, apo mjekëve, për të punuar jashtë Shqipërisë, do të jetë një gangrenë për brezat e ardhshëm. Një prej kryeinfermiereve në Tiranë, tregon eksperiencën e saj për revistën “Shije”. Në këtë intervistë, Margarita Nikolla, kryeinfermiere e Qendrës Shëndetësore Nr. 1 tregon se po të kishte qenë më e re në moshë, edhe ajo do të ishte larguar për të punuar jashtë.
Arsyeja? Ky profesion, sipas saj, është ende i papaguar mirë, në vendin tonë. Çelësi që këta infermierë të rinj të mos largohen nga Shqipëria, do të ishte rritja e pagave. Ajo është ndalur gjtihashtu edhe tek eksperienca e infermierëve të rinj, që sipas saj, duhet të jenë shumë më të përkushtuar në praktikë.
Margarita Nikolla është kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, me një eksperiencë 35 – vjeçare në mjekësi.
Cila është pjesa më e bukur e të qënit (krye)infermiere?
Pjesa më e bukur e të qënit (krye) infermiere është se duke qenë këtu, i ndihmoj më shumë pacientët. Jam më afër tyre për çfarëdolloj reparti që kërkon ndihmë. Është një profesion shumë human.
Çfarë ju motivon në këtë profesion human?
Ashtu si edhe nga vetë fjala ‘profesion human’, mendoj se ndjenja që t’ju qëndroj njerëzve pranë dhe t’u zgjidh problemet për të cilat ata kërkojnë ndihmë dhe kanë më shumë nevojë të asistohen, është ajo çfarë më motivon dhe më bën të ndihem mirë në këtë profesion.
Nëse do të kishit zgjedhur të bënit një tjetër punë, cila do të ishte ajo?
Në fakt, të them të vërtetën nuk e di nëse do të kisha zgjedhur ndonjë profesion tjetër. Është diçka që nuk e kam menduar më parë. Kjo ka qenë gjithnjë dëshira ime dhe nuk e di nëse do të zgjidhja të bëja apo te merresha në përditshmërinë time me një tjetër profesion ndryshe nga ai i infermieres.
Është puna e kryeinfermieres e vështirë? Cilët faktorë ju shkaktojnë juve më shumë stres?
Puna e kryeinfermieres është një punë shumë e vështirë. Stresi në këtë punë vjen për arsye të ndryshme, që lidhen kryesisht me marrëdhënien që duhet të kesh me njerëzit, se si duhet t’u përgjigjesh dhe t’u ofrosh shërbimin që kërkojnë. Për shembull, kur pacientëve nuk u jepet ndihma e duhur në momentin që ata e kërkojnë, defektet e aparaturave apo aparaturat e prishura, mungesa e ndonjë reagenti për shkak të buxhetit apo shkaqeve të tjera.
Kur nuk ndodhem afër dhe nuk kam mundësi t’i ndihmoj pacientët e mi, pavarësisht dëshirës time, më bën të ndjehem e stresuar. Këta janë vetëm disa nga faktorët të cilët më ndikojnë dhe shpesh herë më bëjnë të ndjehem e stresuar në punën që bëj dhe që do të doja t’i bëja ndryshe, sepse asnjë infermiere nuk dëshiron që të mos i japë një pacienti një ndihmë urgjente në momentin kur ai e kërkon.
Në punën tuaj të përditshme, ju ndodh të përballeni me njerëz të ndryshëm, që reagojnë në mënyra të ndryshme, kur nuk marrin shërbimin e nevojshëm. Si reagoni?
Më ndodh të përballem me njerëz të ndryshëm që kërkojnë ndonjëherë edhe gjëra kot, që bërtasin apo që duan të krijojnë rrëmujë, ose shpesh përpiqen të bëjnë atë që në fakt nuk janë. Nuk duan të zbatojnë rregullat dhe udhëzimet e vendosura, pra i kërkojnë gjërat pikërisht siç i duan ata. Për shembull, edhe me datën e vizitave është një tjetër problem, sepse ata kërkojnë datën më të afërt, por unë nuk mund t’i lë të gjithë për vizitë në të njëjtën datë, por përpiqem me aq sa mundem t’u caktoj datën më të afërt. I ndihmoj me aq sa mundem deri aty ku më lejon rregullorja e punës. 
Si do ta vlerësonit komunikimin me pacientët dhe me familjarët e tyre?
Unë përgjithësisht përpiqem të jem e komunikueshme me pacientët, mundohem që t’i ul, sa herë bëhen gjaknxehtë dhe të revoltuar. Kur pacientët janë të stresuar, përveçse ju jap ndihmën mjekësore, përpiqem edhe t’i qetësoj, sepse edhe pacientët e tjerë duan qetësi dhe nuk kanë pse të shqetësohen. Ata që bërtasin më shumë, nëse do të ishin aq shumë të sëmurë sa thonë, nuk do të kishin zë të bërtisnin. Por, mua dhe të gjithë të sëmurëve të tjerë që ndodhen në qendër, na intereson qetësia, pavarësisht sa arrihet kjo gjë, sepse shpesh është në dorën e tyre.
Cilat mendoni se janë aspektet më sfiduese të plotësimit të nevojave të pacientëve?
Unë jam shumë e dhënë pas çështjes së etikës, apo mënyrës së sjelljes me pacientët, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Infermierët, mjekët duhet të jenë shumë të përgjegjshëm. Në vendin tonë ndodhin paradokse të tilla, që sigurohet një makinë nga dëmtimet, por jo jeta e individit. Pacientët kanë shumë nevoja dhe kërkesa, ndonjëherë edhe jashtë atyre që parashikohen në rregulloret e spitaleve, por ne përpiqemi t’u gjendemi pranë atyre në çfarëdolloj rasti dhe nevoje që ata kanë.
A është i papaguar profesioni i infermierit, në krahasim me fluksin e vizitave që ndjekin gjatë orarit të punës?
Në të vërtetë, ky profesion është i papaguar për nivelin e përgjegjësisë dhe për gjithë risqet që kemi mbi krye. Bëjmë shumë punë, përballemi me shumë infeksione dhe viruse, jemi të parët madje që rrezikohemi seriozisht, i kemi në kurriz të gjitha, veç stresit të punës. Ju thashë, që vijnë njerëz që kërkojnë nga ne edhe atë që nuk e kemi në dorë.
Shpesh herë dëgjojmë se infermierët janë të korruptuar. Si ndiheni kur dëgjoni të tilla deklarata?
Edhe thonë njerëzit, por unë vetë nuk kam parë asnjëherë që të kërkojnë para. Por, në përgjithësi infermieret nuk kërkojnë para, sepse të kërkosh para është diçka shumë e ulët.
Shumë vende të tjera kërkojnë infermierë, është një profesion që preferohet dhe paguhet më mirë jashtë. Ju jeni tunduar ndonjëherë? Si e shikoni këtë tendencë të infermierëve të rinj për të ikur jashtë?
Mua më vjen shumë keq që po largohen shumë infermierë. E vetmja mënyrë që ata të mos largohen është rritja e pagave. Ky është çelësi për t’i mbajtur ata këtu. Duke rritur pagat, do të ulet dhe korrupsioni. Unë mendoj se me akreditimin e qendrave shëndetësore, korrupsioni do të ulet në maksimum. Nuk mund ta mohoj që më ka tunduar si ide, por mosha është një kriter që nuk më lejon të ndjek rrugën e atyre, të cilët po tentojnë të punojnë jashtë Shqipërisë. Por, e përsëris, nëse do të isha më e re në moshë, do të largohesha sigurisht menjëherë.
Si kryeinfermiere çfarë do të këshillonit për infermierët e rinj?
Infermierët e rinj duhet të jenë më të kualifikuar dhe më të përkushtuar. Të rinjtë që i sjellin nga universitetet, duhet të jenë shumë më të përgatitur në praktikë. Në të vjetërit nuk krahasohemi me ata të rinjtë. Nëse i futen praktikës, ajo kërkon kohën e saj. Ashtu siç e kemi bërë dhe ne, me kalimin e viteve mësohen të gjitha, ndaj duhet më shumë përkushtim. Por, nëse vjen këtu në ambulancë, nëse do të jetë një urgjencë në të vjetërit dalim me vrap, sepse nuk e kemi problem.
Por, ka edhe vajza të cilat e kanë me pasion, janë shumë të përkushtuara dhe shumë të përgatitura.
A është i nevojshëm kualifikimi i vazhdueshëm i infermierëve dhe si mund të ndikojnë këto trajnime për të arritur rezultate të mira në testimet e autoriteteve?
Po, kualifikimi i infermierëve është i vazhdueshëm dhe ne e kryejmë atë rregullisht. Në qendrën tonë për shembull, në të gjitha repartet, secili mjek përgatit një referim çdo muaj. Në fakt, këto kohë kemi pasur mangësi, sepse ambienti ka qenë shumë i vogël dhe punojnë gati 3 deri në 4 mjekë në një dhomë.
Intervistoi: Genta Dobra