Eva Huli është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Dëshira dhe pasioni i saj për të pasur flokë të gjatë, të bukur dhe të kuruar, e ka shndërruar në një nga personazhet më të njohur në Instagram, e cila i njeh ndjekësit e saj me maska dhe trajtime për flokët.
Pasioni dhe dëshira për t’u kujdesur në mënyrë natyrale për flokët, ka zhvilluar pasionin e Eva Hulit, e cila tanimë është bërë një eksperte për maskat e flokëve. Gjithçka nisi si nevojë për kujdesin personal dhe tanimë asaj i besojnë shumë mikesha të tjera. Çdo lloj floku ka specifikat e veta, por sipas saj, nuk janë 100 për qind efektive që herën e parë, por e japin efektin nëse aplikohen në vazhdimësi. Ajo tregon në këtë intervistë për revistën “Shije”, gjithë sekretet që ka mësuar duke përgatitur maska natyrale.
Si ka lindur dëshira juaj për të eksperimentuar me lloje të ndryshme maskash natyrale? Prej sa kohësh merreni me këtë hobi?
Dëshira lindi prej nevojës. E thënë më thjesht, përpara tre vitesh unë kisha një problem të madh me rënien e flokut dhe nuk gjeja dot zgjidhje mjekësore, duke qenë se rezultoja të kisha shëndet të plotë. Duke lexuar në internet, duke marrë edhe opinionet e njerëzve të tjerë që kishin të njëjtin problem si unë, vendosa të eksperimentoja pak më shumë. Tani është kthyer në hobi, por dhe në domosdoshmëri, duke qenë se trajtimet duhet të jenë konstante që të kenë rezultat. Po bëhen plot 3 vjet tashmë që i kushtoj një rëndësi të veçantë përkujdesjes së flokut. 
A keni menduar që ta ktheni në fitimprurës, apo thjesht do të mbetet një pasion?
Të them të drejtën, e mendova fillimisht, por sapo u kthye në biznes, u zhduk pasioni. Kjo gjë u bë mekanike dhe nuk më jepte të njëjtën kënaqësi që më jepte përpara se të filloja ta konsideroja si diçka fitimprurëse. Ndaj, e kam vendosur. Jo më biznes me pasionin! 
Në faqen tuaj në Instagram, postoni shpesh foto maskash të shkruara në një bllok. I krijoni vetë ato, apo keni një pikë reference ku mbështeteni?
Sigurisht që unë marr shumë shënime nga grupe të tjera që bëjnë maska flokësh, është e pamundur ti "shpik" të gjitha vetë, por kur mëson kush janë produktet që kryejnë më së miri një funksion për llojin e flokut atëherë ke mundësi të eksperimentosh. 
Si i përzgjidhni produktet e maskave për trajtimin e flokëve?
Unë i përzgjedh në varësi të llojit të maskës që dua të përfitoj. Nëse dua të bëj një maskë ushqyese, përziej produkte si psh banania, mjalti, vajrat e ndryshëm vegjetalë.
Cili është produkti/përbërësi që mund të përdoret nga çfarëdolloj floku?
Ka shumë produkte që mund të përdoren nga cfarëdolloj floku, por ato që gjenden më lehtë, që mjafton të hapësh një sirtar të kuzhinës ose frigoriferin janë mjalti, veza, vaji i ullirit, limoni. 
Cilat janë përfitimet e maskave të flokëve?
Maskat e flokut i japin atij elementët e munguar. Ka flokë që ju mungon uji, pra nuk janë të hidratuar, dhe me anë të maskave hidratuese ne e sjellim flokun në formë. 
Sa shpesh duhen përdorur maskat e flokëve?
Maskat e flokut, ashtu si çdo gjë tjetër, duhen bërë në mënyrë konstante. Pra, e mira është që flokut t’i bëhet të paktën një maskë në javë. Nëse mundeni që të bëni maska sa herë që e lani atë akoma më mirë, por duhet patur parasysh që mos ta stresoni flokun. Edhe sasia e produkteve që përdorni ndikon në cilësinë e maskës. 
A ka një përbërës i cili mund të shkaktojë efekte anësore kur aplikohet në flokë? Nëse po, si mund të rikuperohen efektet e tij?
Çdo përbërës nëse teprohet mund të ketë efekte anësore. Për shembull, rasti i keratines, që kur aplikohet në një maskë floku zëvendëson keratinën e munguar të flokëve tanë. Nëse e teprojmë me të, i japim efektin e kundërt flokut. Pra, në vend që ta rikonstruktojmë, e bëjmë atë akoma më të thatë dhe të ashpër. Idealja është që tek një maskë floku, keratina të përbëjë maksimumi 3/5 për qind të përbërjes. 
Nëse do të ndodhë që do të përdorni më shumë, flokut do t’i duhen trajtime hidratuese dhe ushqyese, por dhe ato me kujdes, sepse nga frika për ti rekuperuar sa më shpejt, mund t’i dëmtojmë më shumë. 
Cilat do të ishin maskat ideale që rekomandoni të përdoren në këto ditë dimri, në mënyrë që flokët të rigjenerohen dhe të jenë të shëndetshëm?
Maska më ideale, më e thjeshta dhe më e shpejta për mendimin tim, është ajo e aplikimit të vajit të kokosit në maja 30 deri në 40 minuta përpara dushit. Floku do të rezultojë më i butë, më i hidratuar dhe nuk do të elektrizohet, gjë që në dimër na ndodh shumë shpesh. 
A ka ndonjë maskë e cila i ndihmon flokët të qëndrojnë thuajse të shtrira, pa pasur nevojë të përdoret pjaster ose ndonjë mjet tjetër?
Maskat e flokëve zakonisht japin një efekt 50 për qind, por asnjëherë plotësisht të drejta. Gjithsesi, një mënyrë e thjeshtë për të drejtuar flokët, është ajo e rrotës holandeze, të cilën mund ta aplikoni në shtëpi pasi keni bërë dush. 
Cila është maska ideale për flokë të lyer, sipas jush?
Maska ideale për flokë të lyer, që i jep shkëlqim flokut, është ajo me një avokado, banane, mjaltë e vaj ulliri ose bajamesh të ëmbla. 
Përveç bojërave profesionale, të cilat mund të garantojnë më shumë cilësi për femrat, si duhet t’i lexojmë etiketat e bojërave të gatshme në dyqane dhe markete për lyerjen e flokëve?
Në Shqipëri, por edhe kudo jashtë saj, ekziston mendimi që sa më e shtrenjtë të jetë një gjë, aq më e mirë është. Prandaj, ne shpesh marrim bojërat, por edhe produktet e tjera kozmetike më të shtrenjtat, për më të mirat. 
Ndryshimi i bojës profesionale nga ajo e marketeve, është që boja profesionale ka një përbërje më të fortë, e cila bën të mundur që të realizohen ngjyrat që ne duam sa më shpejt. Si rrjedhojë ka më shumë përbërës kimike të dëmshëm. 
Ka ndonjë përbërës që është i dëmshëm, për aq njohuri sa keni ju?
Bojërat kimike janë të gjitha të dëmshme, edhe ato që shiten për 100% bimore. E vetmja bojë ngjyrosëse është kënaja, e cila është bimore. Por, të paktën duhet të keni parasysh që kur zgjidhni nje bojë në market, të evitoni këto përbërës: amoniak (në për qindje sa më të vogël sa më mirë është) , metale, parabene, silikon, formaldeide, nikel.
Në faqen tuaj në Instagram postoni shpesh foto ku thoni ku jepni edhe rezultatet e maskave. I provoni fillimisht të gjitha në flokët tuaj dhe më pas i ndani me ndjekësit e faqes, apo vetëm di sa prej tyre?
Zakonisht, unë mundohem që maskat e reja, ato pak më të çuditshmet t’i provoj vetë. Kjo, edhe sepse jam kurioze, por edhe sepse dua të di më mirë për reagimin që mund të ketë floku nga maska. 
Si mund të shmanget larja e shpeshtë e flokëve, duke qenë se kjo është një dukuri e cila ndikon negativisht tek to?
Flokët që të mos lahen shumë shpesh, duhen trajtuar me kujdes, për shembull duke evituar ti prekim gjatë gjithë kohës. Nëse jeni në punë, një topuz i thjeshtë ose një bisht kali, e zgjidh problemin dhe e shtyn larjen e kokës. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që shampoja që zgjedhim të mos jetë agresive, pra kundër yndyrës, sepse ajo shpesh na jep efektin e kundërt. Duke e luftuar yndyrën në mënyrë të menjëhershme, ne thjeshtë e bëjmë flokun të prodhojë më shumë.
Një sekret i vogël, është edhe pudra e bebeve, niseshteja, ose kakaoja për vajzat me flokë kafe. Hidhni pak nga këto pluhura në kokë kur i keni me yndyrë, dhe krihini pas 5 minutash. Pluhuri i niseshtesë, kakaos do të thithë yndyrën dhe do ta zgjasë edhe me një ditë larjen e kokës.
A ka ndonjë përbërës ose mënyrë që bën që ngjyra e flokëve të qëndrojë më gjatë?
Unë mund të këshilloj disa gjëra të vogla bimore, si për shembull çaji i kamomilit si shpëlarje e fundit për biondet, pluhuri i lëvozhgës së arrës i zier në formë çaji për flokët kafe apo çokollatë dhe çaji i zi për flokët e zeza. Sigurisht nuk janë 100 për qind efektive që herën e parë, por e japin efektin nëse bëhen me qëndrueshmëri. 
Në faqen tuaj në Instagram shkruani se keni një projekt tjetër gati dhe ndjekësit e faqes dhe jo vetëm do të mund t’ju shohin më shpesh. A mund të na thoni se për çfarë projekti bëhet fjalë?
Është një projekt që ende është në përgatitje e sipër dhe nuk është konkretizuar ende. Ka të bëjë me një seri video tutorialesh ku do të mund të jem më shpesh dhe ndoshta më e qartë se në shpjegimet e Instagramit. Është ende për t’u parë, por katër videot e para janë gati dhe është thjesht çështje kohe. 
Intervistoi: Genta Dobra