Në shtëpinë e tyre gatuhet përditë dhe nuk ka mbizotëruar kurrë rregulli universal: përparësen e vendos vetëm e zonja e shtëpisë. Në këtë pikë Xhoi është gruaja më me fat në botë. Sepse edhe Genti përvesh mëngët po aq shpesh dhe shtron një tryezë për katër që të lëpish thonjtë. Sigurisht që kjo nuk ndodh përditë, ama kur ndodh, në fund, pasi të gjitha pjatat janë zbrazur, Genti merr gjithmonë një dhjetë më yll. “Ai është një mjeshtër në kuzhinë… kur do”. Dhe pasi ka thënë këtë, Xhoi nxiton të shtojë: “Jo vetëm më ndihmon, por edhe më tepër. Sa bashkëshort i mire, është po aq edhe bashkëpunëtor në kuzhinë”. Sa herë që Genti është në orë të mira për të gatuar, Xhoi, Ami dhe Igeni e dinë që tryeza do kthehet në festë. Madje ka vend edhe për të tjerë, veç atyre të katërve, sepse babi Genti është vërtet dorëlëshuar. Nuk llogarit kurrë një vakt për katër vetë “Shpesh na duhet të ftojmë miq edhe sepse gatuan për më shumë veta nga sa kemi familjen!”. Dhe nëse i duhet të zgjedhë mes atyre pjatave që ai di të gatuajë, e sigurt që specialiteti që do të serviret prej Gentit është gjithmonë me bazë mishi, për shembull, mish derri në furrë ose eskallop me pana dhe kërpudha. Kur vjen puna te disa perime të stinës, Genti i bën ca naze, siç edhe Xhoi na rrëfen: “Përveç disa perimeve, të cilat Genti nuk i ha, si mashurkat, bamjet dhe spinaqin (kurse unë i preferoj të gjitha gatimet me bazë spinaqi), na përputhen të gjitha shijet”. Dhe në fakt në marrëdhënien e tyre nuk përputhen vetëm shijet e të ngrënit, por edhe ca zakone të veçanta të të ushqyerit, që ata të dy i kanë shijuar përherë me shumë dëshirë. Asnjëherë një pjata që ata e pëlqejnë të dy nuk ka qenë thjesht proces ushqyerjeje. Mbi të gjitha u ka shërbyer si një moment i veçantë, që i lidh me ca fije edhe më të forta. Ndaj edhe atyre emocioneve që kanë përjetuar dikur në udhëtime të çmendura dhe pjata të shijshme që nuk u shlyen nga kujtesa, u kthehen sërish me po aq dëshirë, edhe në qofshin larg. Sidomos nëse ai që i thërret është pak det dhe pjata që presin të shijojnë ka gjithmonë në bazë prodhimet e tij. “Na pëlqen deti dhe udhëtimet. Kemi bërë shpesh qindra kilometra për të shkuar në restorantet ku kemi kaluar edhe vite më parë emocione dhe kujtime të veçanta”. Dhe sa herë u janë rikthyer, qoftë edhe duke shkuar shumë larg, ato vende u kanë rezervuar përherë të njëjtat surpriza dhe të njëjtat shije të papërsëritshme, që sekretin e kanë gjithmonë tek ata të dy. Por edhe në mos mundshin të arratisen përherë andej nga do donin, e diela është programuar që të sjellë gjithmonë në tryezën e shtëpisë së tyre shije dhe freski deti. Menuja e të dielës në familjen Bejko nuk sjell të papritura, dihet që është me bazë peshku dhe frutash deti, ama sjell përherë pjata të gatuara me shumë dashuri nga Xhoi ose Genti, e në pjesën më të madhe të rasteve nga të dy bashkë. Një arsye më shumë për të kaluar së bashku kohë pak në një tjetër mënyrë. Edhe nëse është vetëm ai që gatuan, Genti nuk është nga ata që çon si surprizë recetën e përzgjedhur në tryezë. E do gjithmonë një çikë ndihmë nga Xhoi, sidomos pasi procesi i gatimit ka mbaruar dhe kuzhina është mbuluar nga enët, që i takojnë ndihmëskuzhinieres t’i lajë e t’i vendosë nëpër vende. “Përveç asistencës që kërkon gjatë kohës që gatuan, pasi mbaron Genti sillet si një kuzhinier i vërtetë. Malin me enë kuzhine ia lë gjithmonë ndihmëskuzhinieres!”. Tamam atë punë që ajo urren ta bëjë, të lajë enët. Ndërkaq, kur kuzhina është në duart e mami Xhoit, ata të tre, Genti Ami dhe Igeni mirëpresin të gjitha pjatat e saj. Qofshin këto edhe eksperimentale apo receta të sajuara aty për aty. Por edhe nëse shija nuk del sipas pritshmërive, nazet dhe tekat nuk zëvendësojnë fjalinë “të lumshin duart”.  “Genti nuk ka naze. Ami deri diku ka tekat e saj, të cilat shuhen me premtime për një ëmbëlsirë më pas, ndërsa Igen është më shembullori për momentin”. Dhe nëse themi që ushqimi në familjen e tyre dhe sidomos në marrëdhënien e Xhoit dhe Gentit është një fije shumë e fuqishme që i bashkon, nuk e teprojmë aspak kur themi që luan edhe rolin e pajtuesit në ato rastet kur ndonjë zënkë e vogël ua ka prishur një çikë qejfin dhe marrëdhënia nuk u shkon dhe aq vaj. Në raste të tilla është Genti ai që merr në dorë situatën. Dhe në vend të flamurit të bardhë të paqes, shpalos gjithë talentin e tij në përgatitjen e pjatës shpëtimtare: antipasta shumë të mira me fruta (që janë të preferuarat e Xhoit), djathra të ndryshme dhe proshuta të shijshme. Në ato ditë të veçanta antipastat janë me bazë pikante. Dhe ja ku Genti e ka gjetur çelësin që e çarmatos Xhoin menjëherë. Por këto nuk janë kurrsesi të vetmet momente për të shijuar specialitetet e Gentit. Në pjesën më të madhe të rasteve, pasi mbrëmja ka rënë dhe fëmijët kanë fjetur, një gotë verë dhe një antipastë kthehet në mbrëmjen me shije më të mirë për të mos kaluar darka monotone. Sepse ata të dy e kanë kuptuar me kohë se ushqimi është terapia më e mirë që e lidh një çift. E dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është ta bësh të veçantë ritualin e të ushqyerit. Prandaj edhe në shtëpinë e tyre gatuhet përditë dhe nuk ka mbizotëruar kurrë rregulli universal: përparësen e vendos vetëm e zonja e shtëpisë