Ndodh rëndom që nën moton e festave të fundvitit, të qëndrojnë abuzime dhe mungesë respekti ndaj klientëve, duke provokuar edhe ndjesi aspak pozitive.
E këtij mendimi është sociologia Entela Binjaku, e cila në një intervistë për revistën “Shije”, analizon mënyrën se si ka ndryshuar koncepti i shqiptarëve për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, si dhe raportin që shoqëria e sotme shqiptare ka me konceptin e bamirësisë.
“Ajo që ka ndodhur nga viti në vit është se festat i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës, pavarësisht simbolikës që kanë, kjo krijon një lloj humbjeje të entuziazmit të qytetarëve.
Për shkak të shoqërisë konsumeriste çdo ide, çdo produkt është shndërruar në mall për shitje dhe si e tillë kërkon fuqi blerëse”, - thotë ajo.
Shqiptarët dhe Krishtlindja. A është kthyer vërtet në traditë, apo thjesht një festë e radhës për shqiptarët, sipas mendimit tuaj?
Pas viteve ‘90 liria e besimit, e ndaluar që prej vitit 1967, solli me vete edhe të drejtën për të respektuar festat me përmbajte fetare, një ndër to dhe kryesore për besimin e krishterë ishte Krishtlindja.
Për breza të lindur dhe të rritur në ateizëm, kjo festë ishte tërësisht e re dhe kërkonte kohën e vet të konsolidimit, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Për qytetarët e besimit të krishterë, kujtesa nën lëkurë e bëri të natyrshme qasjen ndaj saj.
Ata thjesht festonin lirshëm dhe rimorën besimin e ndaluar, sot 26 vite më vonë tek ata Krishtlindja është festa që respektohet si traditë.
Por nuk munguan edhe të krishterët e rinj, të lindurit pas 90 në radhët e të krishterëve, si të tjerë qytetarë që emigruan në vendet evropiane dhe më gjerë që kanë traditë të kësaj feste.
Sot, 26 vjet më pas, mund të themi se për besimtarët e krishterë kjo festë është traditë, për të tjerët është dëshmi e panoramës multifetare.
Sigurisht në këtë panoramë nuk mungojnë edhe imituesit, tipar i një shoqërie që ka kulturë të pakët të respektit për vetveten, dhe që ende shfaqet e shqetësuar për mënyrën sesi e shohin të tjerët. Në këtë periudhë qytetarët e të katërta besimeve, por edhe ata që nuk janë besimtarë urojnë njeri-tjetrin dhe ndajnë pozitivitet.
A shfrytëzohen këto festa thjesht për komercializëm, për më shumë shpenzime, për të tërhequr vëmendje?
Ekonomia e tregut ishte një nga efektet e ndryshimit të regjimit. Konceptet e reja të ekonomisë kultivuan tipare të reja te konsumatori shqiptar, i cili nga ditë në ditë u edukua dhe pasurua në shije dhe në kërkesa, u vu përballë ofertave të reja.
Por konceptet e reja ekonomike nuk u shoqëruan edhe me rregullat që kërkon një ekonomi e shëndoshë, ku misioni social është një ndër parimet kyçe.
Shpesh tregtarët tregojnë përçmim dhe mungesë solidariteti për të varfërit, tregojnë shpërfillje ndaj nevojave të konsumatorit dhe tregojnë një lloj arrogance duke ju imponuar ofertat e tyre si të vetmet. Sigurisht këtu nuk mungojnë edhe truket, ku pas një oferte qëndron një gjë e paqenë.
Në prag Krishtlindjeje, si dhe në mjaft festa të tjera mbizotëron efekti i marramendjes, i joshjes së konsumatorit me mesazhe dhe produkte që nxisin gëzim pas një blerjeje dhe ndjesinë e optimizmit drejt një viti të ri, por shpesh nën këtë moto qëndrojnë abuzime dhe mungesë respekti ndaj klientëve, duke provokuar edhe ndjesi aspak pozitive.
Festat u përkasin vetëm atyre që mund të shpenzojnë?
Festat, përmes kuptimit simbolik janë një e drejtë e të gjithëve për t’u bashkuar, për të komunikuar, për të ndërvepruar gëzueshëm. Në një shoqëri konsumatore festat marrin tipare materialiste. Por njerëzit kanë festuar edhe pa shpenzuar.
Sot për shkak të shoqërisë konsumeriste çdo ide, çdo produkt është shndërruar në mall për shitje dhe si e tillë kërkon fuqi blerëse.
Në një shoqëri të varfër si jona, fuqia blerëse qëndron në pak duar, por tipari kryesor i Krishtlindjes është solidariteti me më të pamundurit dhe kjo festë është edhe një thirrje që ju bëhet atyre ndaj kësaj vlere atyre që munden.
A bëjnë bamirësi shqiptarët, dhurojnë për më të varfërit?
Bamirësia është vokacion, është thirrje e brendshme të cilën jo gjithëkush e ka pjesë. Por ne jemi një komb që botës i kemi dhënë “shenjtoren e të varfërve”, Shën Terezën një simbol i përulësisë ndaj solidaritetit njerëzor.
Të varfërit në Shqipëri janë të shumtë, të pasurit janë të paktë, mes tyre ka një hendek gjithmonë e më shumë në rritje. Polarizimi në rritje i shoqërisë dhe shtresa e mesme gjithmonë e më pak e dendur ka bërë që këto shtresa të komunikojnë gjithmonë e më pak.
Duke u shkëputur mbeten të paplotësuara në shprehjen e humanizmit, mirënjohjes, vëmendjes, mbështetjes, vlera të cilat i kanë lënë vend indiferencës, shpërfilljes, izolimit, mosbesimit etj.
Shpesh organizata dhe shoqata të ndryshme jofitimprurëse, në këtë periudhë të vitit, bëjnë thirrje që njerëzit të dhurojnë sende apo veshjet që nuk u duhen më. Si përgjigjen shqiptarët?
Në misionin dhe vizionin e organizatave qëndron angazhimi shoqëror dhe mjaft prej tyre e shtojnë këtë angazhim gjatë festave.
Mënyra se si reagojnë qytetarët është e ndryshme. Tek ata qytetarë ku altruizmi është vokacion, reagimi pozitiv është i menjëhershëm, ata nuk hezitojnë dhe bëjnë të pamundurën. Shpesh ata që dhurojnë janë edhe vetë të varfër, por humanizmi qëndron mbi të gjitha.
Tek të tjerë ka një lloj skepticizmi dhe mosbesimi se ku shkojnë kontributet e tyre, ka të tjerë që mendojnë se çfarë ata janë në gjendje të dhurojnë sërish nuk plotëson nevojat dhe ky perceptim i lë jashtë angazhimit.
Por ka zona të vendit, ku varfëria është aq e madhe sa mezi ç'pritet kjo periudhë dhe shpesh ato as nuk arrijnë ta ndjejnë afrimin e festës.
Pikërisht këtu përballemi me mosnjohjen e realitetit nga ana e atyre që mund të kontibuojnë, por kjo shton detyrimin dhe nxit organizatat të punojnë më shumë dhe të shtojnë besimin tek qytetarët.
A bëjnë shqiptarët bamirësi? Si ka ndryshuar ky koncept?
Filantropia nuk është e panjohur në kulturën tonë. Ka personazhe dhe familje shqiptarësh që kanë ofruar përherë strehë, ushqim, shkollim dhe mundësi për të varfërit. Por bamirësia ka nevojë të kultivohet tek brezat.
Përmes bamirësisë qytetarët ndërveprojnë, mund të japin e të marrin me njëri- tjetrin, të shkëmbejnë besim, ngrohtësi, mirënjohje dhe të plotësojnë nevojën shpirtërore për të qenë i përfillur dhe i vlerësuar nga të tjerët.
Këtë mund ta bëjë familja, mund ta bëjë shkolla, mund ta bëjnë organizatat vullnetare, mund ta bëjnë bizneset duke kryer misionin social, por këtë duhet ta bëjë fare mirë edhe shteti me organizmat qendrorë dhe vendorë, kryesisht.
A ka ndryshuar perceptimi i shqiptarëve për festat e fundvitit dhe mënyrën se si i festojnë ato?
Me kalimin e viteve të lindurit në vitet ‘90 e këtej, janë duke u mësuar me festën e Krishterë, po konsolidojnë tiparet e saj, një pjesë prej tyre janë bërë prindër ose pritet të bëhen të tillë dhe në celulat e reja familjare edukojnë ritualin e kësaj feste, por varfëria përveçse privim është edhe një presion ndaj dëshirave.
Ndaj dhe në këtë periudhe i bëhet thirrje humanizmit, empatisë, solidaritetit, përkrahjes etj. që qëndrojnë edhe në themel të besimit të krishterë.
Ajo që ka ndodhur nga viti në vit është se festat i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës, pavarësisht simbolikës që kanë, kjo krijon një lloj humbjeje të entuziazmit të qytetarëve. Por fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët janë gjithmonë aty!
Ka shqiptarë më të pasur apo më të varfër këtë fundvit?
Varfëria shprehet bazuar në treguesit e të ardhurave për frymë dhe në aftësinë që kanë qytetarë për të plotësuar nevojat bazë. Shqipëria është ndër vendet me varësi më të lartë nga remitancat e emigrantëve të cilat kanë ardhur në rënie nga viti në vit.
Varfëria është e lidhur ngushtë me punësimin dhe kjo është një lidhje e zhdrejtë. Sa më shumë shqiptarë të punësohen, aq më pak të varfër mund të kemi. Kur punësimi rritet, varfëria bie ndjeshëm. Këtu është rasti të shohim sesa është rritur punësimi në vend.
Për të ditur a janë më të varfër apo më të pasur këtë vit, duhen pyetur qytetarët sesa prej tyre janë punësuar gjatë 2016, sa prej tyre kanë dalë nga asistenca, sa prej tyre kanë përftuar rritje të pagash dhe pensionesh dhe në ç’shkallë.
Jam e bindur që bilanci nuk është siç e dëshironim apo siç është pritur dhe besuar.
Bisedoi: Brikena Dervishaj