Një baba shumë i kujdesshëm dhe një familjar i përkushtuar. Ky është Gentian Zenelaj në thelb, ish pjesëtar i grupit “SHBLSH”, i cili vjen me një rrëfim ndryshe për revistën “Shije”, ku tregon marrëdhënien me ushqimin, me dietat e suksesshme, që e kanë bërë të humbasë rreth 10 kilogramë, dhe planet e afërta në teatër.
Si është një ditë e zakonshme për Gentin?
Një ditë e zakonshme për mua është një ditë e ngarkuar pasi zgjohem shumë herët, merremi me fëmijët, i bëjmë gati, i çojmë në shkollë, unë merrem më shumë me djalin. Unë përfshihem në të gjithë rutinën e mëngjesit dhe ndihmoj bashkëshorten për gjithçka duke nisur që nga ndërrimi dhe larja e vajzës, por me djalin unë jam ai që merret më shumë, e shoqëroj në të gjitha aktivitetet e tij.
Publiku është shumë i panjohur me familjen tënde, si quhen fëmijët e tu?
Djali quhet Daniel dhe shumë shpejt bën 9 vjeç, ndërsa vajza quhet Aria dhe është 12 muajshe.
Si arrin t’a menaxhosh kohën që i kushton televizionit dhe atë që i kushton teatrit?
Televizioni është rroga ime e përmuajshme, është mënyra me të cilën unë mbaj familjen. Teatri në Shqipëri për mua si Genti është një mbushje shpirtërore, në Shqipëri nuk jetohet me teatër. Një familjar në këtë vend me dy fëmijë nuk mund t’ja plotësojë dot kushtet me rrogat dhe kushtet që ka teatri.
Çfarë i mungon sipas teje teatrit në Shqipëri?
Teatrit shqiptar i mungon buxheti i mirë, kujdesi specifik nga qeveria siç e ka çdo teatër në botë duke filluar që nga Maqedonia e cila sapo inaguroi një teatër i cilio ka kushtuar dhjetëra miliona euro. Nuk e di pse politika në Shqipëri i largohet artistit, ka frikë nga artistët, ndoshta sepse artisti vetë si natyrë është opozitare. Madje mendoj se është e qëllimtë mungesa e mbështetjes për artin në Shqipëri, e kanë lënë në garë për të siguruar mbijetesën si çdo njeri që lufton për të siguruar mbijetesën e tij.
Je një tip që ecën me një program të mirëpërcaktuar, apo mendon se planet nuk funksionojnë kurrë dhe çdo gjë e lë në dorë të fatit?
Në Shqipëri nuk funksionojnë kurrë planet, madje dhe horoskopi mund të të gënjejë (qesh). Shqipëria nuk është vendi ku duhet të ecësh me program pasi kurrë nuk ecën, këtu funksionon të dalë ku të dalë, kap çfarë të kapësh. E bukura e këtij vendi është se çdo ditë që nis është mister, sepse nuk ke garanci për asgjë, sot bie qeveria ngelesh pa punë, mbyllet televizioni, t’a sekuestron policia dhe mund të ndodhë çdogjë dhe ti ngelesh në vështirësi për të siguruar mbijetesën.
Si janë marrëdhëniet e Gentit me ushqimin?
Duke më parë nuk janë të këqija, por unë kam përshtypjen se kjo vjen, sepse Tirana të ofron gjatë gjithë kohës një kequshqyerje, sepse jemi në punë gjithë ditën dhe detyrohesh të hash ushqime të shpejta. Nuk e ke rehatinë e të ulurit dhe konsumimit të një vakti në tryezë dhe mendoj se kjo mania për të marrë mjet për të lëvizur më ka bërë dëmin më të madh. Por duke u nisur nga fakti se duhet të kap pikat më të largëta, të çoj djalin në shkollë, kjo gjë më pengon lëvizjen e lirë dhe aktivitetin fizik.
Ke menduar të futesh në dietë?
Jam në dietë momentalisht, jam nën kujdesin e Blerina Bombaj dhe jam shumë i kënaqur, pasi për një hark kohor 4muaj kam humbur 10 kilogramë. Për mua ka rëndësi ky regjim sepse Blerina po më mëson një mënyrë tjetër ushqyerjeje, nëpërmjet recetave dhe vakteve që më sjell kudo që ndodhem unë po ushqehem më “gjelbër” le të themi. Ushqimi është i kontrolluar, dhe më ka bërë shumë mirë pasi e vura re dhe tek shfaqja e fundit Don Kishoti, nuk kisha lodhje, dhe kjo vjen nga ushqimi i kontrolluar dhe pa sheqerna të tepërta.
Cili është ushqimi yt i preferuar?
Ushqimi im i preferuar është çdo ushqim i kombinuar mirë në shije, sepse jam natyrë gjithëpërfshirëse, por ka disa ushqime që nuk i pëlqej.
Mish apo peshk?
Për mishin po dëgjoj gjëra që nuk më pëlqejnë, sidomos për mishin e kuq sepse unë mendoj se ne si qenie nuk jemi krijuar për të ngrënë mish apo për të pirë qumësht.
Cili është ushqimi që ti di të gatuash më mirë?
Unë gatuaj çdo gjë përveç bakllavasë. Unë kam bërë dhe një emision për gatimin, pasi e adhuroj gatimin, është një ndjesi pozitive, më jep qetësi, është një relaks shumë i madh për mua, shikoj pafund emisione me gatim dhe gatuaj çdo gjë, por ndonjë pjatë me makarona dhe gaforre do e gatuaja me gjithë qejf. Gjërat e detit më pëlqejnë shumë.
Cili është ushqimi që nuk do e haje kurrë?
Syltjashin, hasuden, të gjitha ushqimet të cilat janë si pelte nuk i kam ngrënë kurrë. Por ndoshta ndonjë gatim të veçantë megjithëse kam eksperimentuar dhe nuk kam ngelur i pakënaqur.
Cili është sekreti i një ushqyerje të shëndetshme për Gentin?
Unë mendoj se duke njohur veten duhet të dish se çfarë të konsumosh, unë mendoj se njeriu duhet të konsumojë me porcione më të vogla në mënyrë që të dijë sa energji harxhon që të dijë se çfarë të hajë gjatë ditës.
Çfarë ha Genti para, gjatë dhe pas provave?
Më parë haja cfarë të dilte përpara, ndërsa tani falë Blerinës e kam lejuar të ha disa vakte dhe në mes vakteve konsumoj disa bajame, arra, në mënyrë që të më japin fuqi. Tani në këtë fazë vetëm fruta konsumoj në vaktet e vogla, ndërsa para shfaqjeve nuk ha asgjë pasi nuk duhet të kesh stomak plot.
Si ndihesh tani që je pjesë e një emisioni investigativ, ku përveç humorit që të karakterizon në jo pak raste bëhesh pjesë e historive të dhimbshme të shumë shqiptarëve që nuk arrijnë të vetëushqehen?
Unë jam një djalë që nuk jetoj dot në flluskë, nuk jam një djalë që ka blerë një makinë të bukur dhe një shtëpi të bukur diku dhe dal rreth e rrotull dhe bëj sikur nuk shikoj se çfarë ndodh rreth meje. Unë jam një djalë që e kam shtëpinë në një vend mëse normal, kam një shtëpi mëse normale që mund t’a kenë 80% e shqiptarëve, kam një makinë shumë të thjeshtë, kam një motorr shumë të thjeshtë dhe bëj një jetë shumë të thjeshtë. Nuk i kam qejf njerëzit mondanë, unë mendoj se në Shqipëri njerëzit të cilët mendojnë se kanë para dhe i shmangen realitetit bëjnë gabimin më të madh. Ky është ambienti që na rrethon dhe unë jam adaptuar mirë tek ky realitet. Nuk mund të kaloj pa i vënë re problematikat që i sjellin njerëzit tek Stop-i, pasi edhe unë kam një baba që vuajti për të patur një pension dinjitoz, ime më pas pak ditësh del në pension dhe del me një pension shumë të ulët, vëllai im u detyrua të emigronte jashtë Shqipërisë për një jetë më të mirë, prandaj në këtë aspekt unë mendoj që nuk mund të rrish indiferent. Për mua është një koiçidencë e bukur që unë jam tek Stopi pasi nuk ka asgjë më të mirë sesa të ndihmosh njerëz që janë realisht shumë në nevojë. Nuk bëhen dot mrekulli me shkopin magjik por të ndihmosh.
Si mendon a jemi të ndërgjegjësuar si popull për problemet që kemi?
Jemi të pandërgjegjësuar pasi nuk kemi kuptuar akoma problemet, duke nisur nga dhuna tek fëmijët, korrupsioni, pasiguria etj. Ne vërtetë vendosim gishtin mbi një ministër por harrojmë që gishtin duhet t’a kthejmë nga vetja se atë ministër e votuam ne që shkoi në atë post. Prandaj mendoj që ne si popull duhet të bëhemi më pragmatist, më të zgjuar, të votojmë për njeriun dhe jo për partinë.
Banka Botërore deklaroi se pas 10 vitesh mjerimi në Shqipëri do të jetë zbutur, në këndvështrimin tënd duke u nisur nga fakti se je çdo ditë në kontakt me njerëz të cilët nuk sigurojnë dot as nevojat më bazike, mendon se ky parashikim do të rezultojë i saktë?
Shqipëria ka probleme shumë të mëdha, ka drama të mëdha. Na duhet shumë kohë dhe shumë punë, BB për mua ia ka futur kot, dhe nuk e kuptoj realisht se ku do shkojë kjo gjë, pasi BB vazhdon na jep borxh, duke na e çuar në tavan nivelin e borxhit. Nuk e di me çfarë gërshëre i pret gjërat, por gjërat këtu nuk janë fare mirë, nëse sot ngelesh të përballesh me administratën shtetërore atëherë je në mes të katër rrugëve, mua gati-gati më ka kaluar në urrejtje kur i shikoj në televizor. Unë e shoh Shqipërinë me sytë e mi, jo me sytë e Kryeministrit apo atyre me quka që vijnë këtu.
Ka pasur ndonjë moment që ke dashur të heqësh dorë nga aktrimi?
Jo unë aktrimin e dashuroj, për mua aktrimi është puna më e bukur në botë, megjithëse e gjitha bëhet për ato 5 minuta duartrokitje në fund por nuk duhet të harrojmë se aktrimi të jep një mbushje emocionale të jashtëzakonshme. Që nga fundi i vitit ’97 që i jam futur kësaj pune nuk jam bërë kurrë pishman.
Nëse nuk do të ishe bërë aktor, cili mendon se është profesioni që do të të përshtatej më shumë?
Ëndrra ime ka qenë për t’u bërë shef kuzhine, por për fat të keq në atë kohë për shkak të biografisë nuk m’a dhanë atë bursë. Dhe atë bursë e mori shoqja ime e klasës e cila nuk e vazhdoi gatimin. Por mendoj se do të isha bërë diçka që ka lidhje me mekanikën, pasi gjithë meshkujt e fisit tim janë bërë mekanikë, vetëm unë kam dalë jashtë këtij rrethi.
Publiku di shumë pak për jetën personale. Cila është jeta e Gentit prapa kamerave?
Jam njeri familjar, kam një familje që e kam mbi çdo gjë, kam njerëzit e mi më të dashur larg dhe përpiqem t’i mbledh sa më afër vetes, jam natyrë magnetike që dua t’i kem të gjithë njerëzit afër. Kujdesem për prindërit e mi, i kam marrë nga Lezha i kam sjellë në Tiranë. Bëj një jetë shumë të thjeshtë. E dua familjen, i dua fëmijët. Megjithëse në Shqipëri është shumë e vështirë të rritësh më shumë se 1 fëmijë. Por unë ndryshe nga shumë njerëz kam bërë një zgjedhje që djalin t’a dërgoj në shkollë shtetërore, pasi mendoj se një njeri që është i zoti, e nxjerr veten në dritë kudo.
Cilat janë planet më të afërta në jetën profesionale?
Kam shumë projekte që janë në pritje, Don Kishoti ishte një sukses i paparë. Njerëzit mendojnë se unë iu riktheva teatrit por në fakt unë nuk e kam lënë kurrë teatrin. Gjithmonë kam bërë shfaqje, çdo vit. Por nuk mund të jetohet me teatër. Përsa i përket kinematografisë në Shqipëri kinematografia është në grahmën e fundit, është në një lëngatë të madhe. As fonde, as ide, asgjë.
Bisedoi: Fjola Graçi