E kemi pasur traditë prej shekujsh përdorimin e vajit të ullirit dhe duket se po i rikthehemi këtij zakoni të shëndetshëm. Përdorimi i vajit të ullirit në tryezë, si pjesë e dietës mesdhetare, është rritur ndjeshëm. Për këtë flasin shifrat, më mirë se çdo lloj analize tjetër.
E kush më mirë se sa kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, Silvana Subashi, mund ta bënte një panoramë të tillë. Në krahasim me vitin 2009, kur konsumi vjetor ishte vetëm 2,5 litra për frymë, shqiptarët e kanë 3-fishuar këtë shifër në 2016, duke arritur në 7 - 7.5 litra për frymë.
Konsumi për frymë
Nëse gatuan vetëm me vajin e ullirit, një familje shqiptare konsumon përafërsisht 4 - 5 litra në muaj, ose rreth 50 - 60 litra në vit. Llogaritjet, sipas znj.Subashi, tregojnë se ndërgjegjësimi i konsumatorit shqiptar ka qenë efikas.
“Do ta quaja një rikthim në traditë. Yndyra e vetme që përdorej ndër shekuj në vendin tonë, ishte vaji i ullirit, në gatime, në gjellë, në ëmbëlsira, sidomos në zonat tradicionale ku kultivohej ulliri”, - thotë ajo. Arsyet e rritjes së konsumit për frymë janë disa.
Veç ndërgjegjësimit vit pas viti për vlerat e vajit të ullirit dhe cilësinë e vajit shqiptar, të shumtë janë individët që mbjellin vetë sipërfaqet e tokave të tyre me rrënjë ulliri dhe e nxjerrin vetë vajin, apo blejnë ullirin kokërr dhe e çojnë pranë fabrikave pë përpunim.
Gjithashtu, shumë kompani dhe biznese të ndryshme, edhe për kënaqësinë e tyre e kanë kthyer në modë mbjelljen e ullinjve në sipërfaqet e tokës, ku zhvillojnë aktivitetin, sidomos nëse kjo sipërfaqe është shumë e madhe.
Prodhimi
Viti që lamë pas ka sjellë një rritje me rreth 30 për qind të prodhimit të vajit të ullirit në Shqipëri. Nga 17 tonë vaj ulliri, në 21 mijë tonë gjatë vitit që lamë pas. Arsyet kanë qenë disa. Sipas Silvana Subashit, kryetare e shoqatës së vajit të ullirit aktualisht janë rreth 270 fabrika që funksiojnë të regjistruara për prodhimin e vajit të ullirit. Në vendin tonë janë rreth 10- 11 milionë rrënjë ullinj të mbjella dhe në prodhim janë rreth 6-7 milionë rrënjë. “Duhet të jemi krenarë për varietetet autoktone që ne kemi, plot 22 të tilla, që japin një shije organoleptike, të veçantë dhe të ndryshme nga çdo lloj vaji tjetër.
Edhe pse me një prodhim në rritje, Silvana e cilëson të vështirë 2016 për arritjen e cilësisë. “Shkak ishte dëmtimi që pësuan rrënjët e ullirit nga sëmundjet, sidomos tenja me bisht dhe miza e ullirit. Gjithashtu, varietetet e llojeve të reja të ullirit, që piqen më shpejt, filluan të bien në tokë, brenda tetorit”, - thotë Silvana.
Sezoni këtë vit ishte më i hershëm, për shkak të kushteve klimaterike dhe sëmundjeve, megjithatë shumë ullishte i mbijetuan mizës së ullirit. 
Ku dhe kur ta blini vajin e ullirit
Vaji i ullirit është një produkt që duhet të merret direkt në fabrikë. Kjo është këshilla e Silvana Subashit, sipas së cilës, kjo është garancia më e madhe për konsumatorin. “Vaji i ullirit duhet të konsumohet dhe tregtohet nga prodhuesit brenda vitit.
Shqiptarët e kanë këtë mundësi që të gjejnë vaj ulliri nga fabrika. Mjafton që të gjeni fabrikën më të afërt. Mund të merrni edhe vetë ullirin dhe ta përpunoni në fabrikë. Rreth 60 për qind e cilësisë së vajit të ullirit varet nga fruti, 20 për qind nga makineria e shtrydhjes dhe 20 për qind nga mënyra e ruajtjes së produktit.
Zgjidhni një frut të freskët dhe të padëmtuar, kërkoni një përpunim në të ftohtë, ruajeni në enë qelqi dhe inoks, mbajeni larg dritës dhe nxehtësisë dhe mos e konsumoni më shumë se 18 muaj. Këto janë disa nga këshillat që ju sigurojnë për vajin e ullirit që po konsumoni”, - këshillon znj.Subashi.
Dieta mesdhetare
Shqiptarët duhet të ndihen pjesë e dietës mesdhetare, sipas Silvana Subashit. “Baza e dietës mesdhetare është vaji i ullirit. Dhe vendi ynë nuk ka në dietën bazë as mishin, as peshkun, por perimet, vajin e ullirit dhe brumërat”, - thotë ajo.
Vaji i ullirit ka shumë veti kuruese dhe veçse në gatim përdoret në shumë receta të tjera që ndikojnë te shëndeti i njeriut. “Është i vetmi produkt që edhe në etiketë mund të shkruhet se i bën mirë shëndetit, madje thuhet se 20 ml vaj ulliri në ditë, i bën mirë shëndetit”, - thotë Silvana.
Eksportet
Prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit, veç plotësimit të kërkesave të tregut vendas, eksportojnë edhe në shtete si Zvicër, në Shtetet e Bashkuara apo diku tjetër. Por shifrat janë shumë të ulëta. “Eksportojmë rreth 6 mijë litra/vit. Kjo është shifër e ulët, duke parë që kemi cilësi shumë të mirë të vajit të ullirit.
Ne e kemi etalon matës që vaji shqiptar i ullirit është cilësor, sa për t’u tregtuar në tregjet bio të Zvicrës, apo New Yorkut”, - shprehet Silvana. Kjo shifër, sipas saj, mbetet shumë e ulët dhe tregjet janë të vështira për t’u pushtuar. Edhe pse janë tentuar tregje të reja gjatë 2016, shumë prodhues nuk kanë pasur rezultat.
Përgatiti: Brikena Dervishaj