Ndërsa rrufit kafen e nxehtë në një prej lokaleve gjithë stil aty pranë Kryeministrisë, jo shumë larg zyrës së saj, Zana Guxholli u kthehet edhe njëherë atyre kohëve të dikurshme dhe e nis rrëfimin tamam me kafe. “Ishte gjëja më e rrallë për atë kohë. Edhe atë pak kafe turke që mund të gjeje me zor të madh, ishte e përzier me elb. E çfarë nuk sajonim që të pinim një filxhan kafe. Bashkë me koleget e mia pedagoge, kishim zënë miqësi me banakieren e Bibliotekës Kombëtare. Shkonim tek bari i bibliotekës dhe na e sillnin kafenë në filxhanë çaji, që të mos kuptohej që ishte kafe. Kam pasur ca studentë që jetonin në Bllok dhe ata na sillnin ndonjëherë “Nescafe”. Ishte gjëja më e çmuar për ne. E rrihnim sa na këputej krahu”. Sikur krahu t’i këputej vetëm duke rrahur kafenë, nuk do kishte gojë të ankohej, por ja që sapo shkelte në derën e shtëpisë, duhej të përvishte mëngët dhe të bënte gjithçka: që nga pastrimi në kushte aspak të thjeshta dhe deri tek gatimi, që ishte pjesa më e vështirë. Sajimi i vakteve për të gjitha familjen, në atë kohë nuk kishte asgjë të përbashkët me kohën kur Zana, nëntë vjeçe, gatuante thjesht për dëshirë, dhe si kurioze e madhe që ishte mësonte nga gjyshja e saj në Pogradec, se si bëhej byreku me kulaçka. “Nuk ishte i thjeshtë, por unë e mbaj mend shumë mirë byrekun tim të parë të pjekur në saç, që doli me të vërtetë shumë i mirë.

E gjithë familja tha fjalët më të mira kur e shijoi”. Kështu bënin edhe më pas në familjen e saj të re, ku jetonte edhe me vjehrrën dhe vjehrrin. I shijonin gatimet e nuses së re. Vetëm se prej duarve të saj vështirë se mund të dilnin receta të sofistikuara. Edhe sikur të donte,nuk do arrinte kurrë të gjente të paktën gjysmën e përbërësve që kërkonte receta. “Më kujtohet si tani kur lexoja në një libër kuzhine që kisha në shtëpi, një recetë që do më pëlqente ta gatuaja: pulë me arra. Mirë një pulë e vogël edhe mund të gjendej. Po të tjerat? Ku t’i gjeja arrat, që edhe për Vitin e Ri me zor e sajonim një kile, po gjalpin, që na e jepnin me racion? Ç’të bëja me 100 gr në javë, t’u jepja fëmijëve, të lyeja bukën apo t’i jepja vjehrrës diabetike? Realizimi i një recete të tillë ishte njëlloj si të doje të udhëtoje në Hënë”. Ndaj edhe tryeza mbushej me ato gatimet e thjeshta të kohës, por që Zana i gatuante me mjeshtëri. Edhe sot fëmijët e saj i pëlqejnë ende. “Kur shkoj në Kanada tek vajza, gatuaj për të dhe miqtë e saj recetat e saj të preferuara: qofte me lëng, kimë me vezë, byrek, birjan e madje edhe trahana. Më kujtohet si tani kur jetonim në Budapest, e zgjoja vajzën çdo mëngjes me aromën e trahanasë”.

Po nëse tani gatuan thjesht për dëshirë, vite më parë e gjithë pjesa e gatimit u kthye në një stres më vete, aq sa i zbehu gjithë dëshirën për të gatuar. Sepse nuk ishte thjesht ajo tenxherja që duhej mbushur, belaja më e madhe. Pa ishin radhët që pa zbardhur dita, pa ishte bidoni i vajgurit që duhej ngritur nëpër shkallë, pa ishin fitilat e furnelës që duheshin ndërruar dhe enët e sterrosura që duheshin kruar me rërë. Mes gjithë problemeve, njëri më i bezdisshëm se tjetri, Zana i kishte gjetur ca zgjidhje të vogla shpëtimtare. Për shembull, në auditorët ku jepte mësim rastiste ndonjë student që të ishte furnitor zarzavatesh apo mishi. Edhe në mos ishte në klasën e saj, do ishte tek ndonjë kolege. “Me radhët fatmirësisht merrej babai, me larjen e enëve që nxiheshin nga flaka, e kisha zgjidhur disi: kisha lënë disa enë gjithmonë të zeza që nuk i kruaja më, kurse me furnelën e kisha punën pisk. Më bëheshin duart sterrë të zeza. A mund të shkoja të jepja mësim me ato duar?

Por me kalimin e kohës fillova të angazhoj edhe fëmijët kur u rritën”. Dhe ata i mësuan pikë për pikë leksionet e mamit. Madje i biri, që tani është i martuar, di të gatuajë shumë mirë edhe receta të vështira, edhe pse kur ishte i vogël kërkonte edhe lëkurat e mollës, që t’ia çonte gjyshes. “Shkova për vizitë tek një shoqe bashkë me djalin dhe mamaja e shoqes sime i dha një mollë të qëruar, pasi e hëngri, kërkoi edhe “lëturat” (nuk e shqiptonte dot gërmën k), që t’ia çonte gjyshes. Ngaqë gjyshes i mbeteshin vetëm lëkurat e mollëve, ai kujtonte se ajo hante vetëm “lëtura”. Pak a shumë e njëjta gjë më ka ndodhur edhe me vajzën, që pasi hëngri pjeprin e gjeta duke kafshuar edhe lëkurat e forta. Në kohët e atëhershme gjëra të tilla nuk çudisnin askënd”. Siç nuk çudisnin as historitë me mishin që çohej tek ai komshiu që kishte frigorifer në pallat. Në të sajin i kishte rënë për pjesë Zanës, që detyrohej të rrinte roje sa herë që njëra nga komshijet vinte për të marrë mishin e saj. “Më ndodhi njëherë që dikush e ngatërroi dhe u bë nami. Kështu që herët e tjera u rrija te koka që mos ngatërronin ngjyrat e fjongove që u lidhnin qeseve për t’u dalluar”. Duken për të qeshur tani. Por atëherë vështirë të vije buzën në gaz. Aq sa në shumë raste Zana e kujton gatimin thjesht një mundim të madh, që nuk i gjente dot pikën e kënaqësisë, që e detyronte të rrinte shumë herë pa gjumë, bashkë me pyetjen e përditshme: “Ç’të bëj sot për drekë?, që edhe sot e kësaj dite duket se ia ka zbehur njëherë e mirë dëshirën për të ndenjur çdo ditë mbi sobë. “Preferoj të ha në restorant edhe për lehtësi, edhe sepse më pëlqen të shijoj kuzhina të ndryshme,por dhe në ato ditët kur gatuaj në shtëpi, tanimë asgjë nuk është si dikur. Për pesë minuta mund të sajosh një drekë të tërë”.

Si Zana dikur

Sallam çokollate

Ka qenë një nga ëmbëlsirat e preferuara të Zana Guxhollit, që e gatuante sa herë që arrinte t’i gjente përbërësit. “Më pëlqente shumë, ndonëse e bëja rrallë. Dhe sa herë që e përgatisja, thoja: si s’kam mundësi një herë të vetme ta gatuaj dhe ta ha vetë të tërën. Gjithmonë ndahej. Gjashtë vetë prisnin nga duart e mia”.

Fajancat

I ka mbetur zakon sot e kësaj dite: fajancat e shtrenjta i blen kudo që i gjen. “Doja të haja me pjata të bukura, por atëherë i kishim vetëm për miqtë dhe nxirreshin shumë rrallë nga rafti. Tani blej shumë fajanca, sidomos markat e njohura, që i gjurmoj në çdo vend ku shkoj”.

Bakllavaja

Bëhej vetëm njëherë në vit, e megjithatë Zana e shijonte atë momentin hapjes të petëve për bakllavanë. “Mblidheshim me mamin dhe hallën dhe e bënim bakllavanë në kolektiv. Tregonim histori dhe bënim muhabet. Ishte shumë bukur”.

Një picë e ngrirë e një e shkrirë

Ishte viti 1991 kur Zana Guxholli kapërceu për herë të parë kufirin e Shqipërisë. Një udhëtim në Angli bashkë me koleget e punës ishte sa mrekulli aq edhe tronditje. “U futëm në një supermarket gjigant. Ç’të blinim? Mendimi i parë që na erdhi në kokë ishte: këtu qenka si në bibliotekë, nuk merrnim vesh asgjë. Thjesht kuti të renditura. I kemi lexuar si libra. U ndamë në grupe dhe mbushëm karrocën me gjëra që as i njihnim as dinim t’i gatuanim. Një picë provuam ta hanim ashtu siç ishte dhe më kujtohet reagimi në kor: iiiii, ku hahet kjo?!”. Vetëm se të nesërmen shkuan të gjitha në piceri dhe mësuan ç’do të thotë picë!