Për të thënë të vërtetën, duhet pak durim për të gatuar. Eneisa gatuan shumëllojshmëri pjatash, kërpudha të mbushura, tava në furrë e së fundmi edhe ca specialitete gjithë shije e dashuri, për më të voglën e familjes, Frankën sykaltër. 
Duhet akoma më shumë durim për të mësuar se si gatuhet një recetë. Se jo çdokush ka fatin e Eneidës, që çdo ditë të mësojë dhe të ndjekë se si realizohet një recetë nga fillimi deri në fund. Dhe çfarë recetash se! Nga ato më të vështirat. Si të ishte duke ndjekur një kurs specializimi për kuzhiniere, Eneida Xhelili bën një rrugë e dy punë: edhe prezanton emisionin, edhe mëson se si gatuhet nga Zonja Tefta, me të cilën ndan minutazhin e emisionit të përditshëm fillimisht në “News 24” dhe tani në kanalin e ri informativ “A1 Report”. Ama me gjithë fatin e madh që ka për të qenë një amvisë e shkëlqyer, që mund të gatuajë çdo gjë, kur emisioni filloi këtu e gjashtë vjet të shkuar, nuk është se Eneida ishte nga ato vajzat bukuroshe të ekranit që nuk dinë të skuqin një vezë. Sepse mamaja dhe gjyshet e saj janë kujdesur që ajo të fillojë të mësojë ABC-në e kuzhinës që kur ishte e vogël fare. “Kam mësuar të gatuaj fillimisht nga mamaja dhe gjyshet. Ishte kurioziteti prej fëmije që më shtynte të shihja se ç’bëhej në kuzhinë. Derisa një ditë, gjyshja më la një copë brumi teksa përgatiste byrekun dhe unë u mundova ta hapja. Kështu e mbaj mend fillimin. Kam qenë në 8-vjeçare”. E megjithëse i pari fare ka qenë byreku, Eneida nuk mësoi që nuk mësoi të tëhollë petë siç i tëhollin ato nikoqiret që i qajnë brumërat. Po t’i hyjë serizoisht edhe mund t’ia dalë, vetëm se vështirë të gjejë aq kohë të ngeshme. Sidomos tani që minutat i ruan si ujët e pakët për bukuroshen e saj me sy të kaltër. Që kur ajo lindi, para tetë muajsh, ia ka gllabëruar gjithë kohën dhe në fakt mami Eneida ia ka falur me shumë dëshirë, sidomos sapo kur ka mbaruar punën dhe merr “turnin” e pasdites. “Kujdesemi me radhë për vajzën. Paraditeve, kur unë jam në punë e mban Mondi, bashkëshorti, ndërkaq pasditet e mia janë të gjitha për Frankën”.

E megjithatë kur ka pak kohë, Eneida kthehet në amvisën e përkryer, që vendos përparësen e gatimit dhe përvesh mëngët në kuzhinë. Specialiteti i saj? Kërpudhat e mbushura dhe çdo gjë tjetër që gatuhet në furrë. Nuk ka mundur dot të ketë marrëdhënie të mirë me gjellët tradicionale. Përgatit më shumë këto të tjerat, që pastaj i konsumojnë të gjithë bashkë në tryezë, përveç mëngjeseve, që për shkak të punës janë gjithmonë larg familjes së saj të vogël. Është ora e drekës që e gjen përherë në kuzhinë. Mund të gatuajë gjithçka, për shembull një tavë me perime me krem beshamel. Ndërsa darkat, janë gjithmonë më të lehta. Eneida përgatit pjata të lehta si antipasta të ftohta, apo kombinime frutash me shurup e mjaltë ose një sallatë të lehtë. Sallata që ajo preferon më shumë si për ta gatuar, ashtu edhe për ta konsumuar është sallata çezar. Ka mbrëmje që tryezës i shtohet edhe një shishe verë, kur ata të dy e shijojnë në qetësi, duke ndarë biseda të lehta. Në raste të tilla Eneida përveç shijes, i kushton po kaq rëndësi edhe dekorimit të tryezës. Për të ky moment është shumë i veçantë. Sepse ajo i dashuron serviset.

E fiksuar pas serviseve

Të dish se si t’i vendosësh pozatet në një tryezë nuk është dhe aq e lehtë. Mënyra se si vendoset piruni, thika, pjatat apo gotat është një art më vete. Eneida jo vetëm që i di gjithë këto, por kësaj pjese madje i kushton rëndësinë më të madhe. “Serviset i kam shumë fiksim. Kërkoj gjithnjë supierat, lugët, pirunjtë, pjatat e deri tek setet e çajit më të veçantat. Përgjithësisht i porosis jashtë. Edhe me çmime të kripura”. Kjo është arsyeja se pse në tryezën e ngrënies, në shtëpinë e saj teksa përgatit recetën që gatuan për lexueset e “Shije”-s, ajo vendos disa servise krejt të veçanta. “Nuk i kam qejf punimet në seri. Një pjesë të serviseve i kam të punuara me dorë, janë franceze “Limoges” ndërsa pjesa tjetër janë të Oriana Ferreli-t, të punuara me flori.

Mëngjesi i ndarë

Puna e saj që nis shumë herët e detyron atë të mos e konsumojë mëngjesin kur do dhe me kë do. Eneidës i duhet të dalë nga shtëpia diku rreth orës 07:00 dhe vaktin e parë e konsumon në punë, edhe pse është shumë larg vaktit të saj ideal. Është i vetmi që i ndan. Kurse në drekë dhe darkë Eneida, Mondi dhe Franka ulen të tre bashkë në tryezë. Mami dhe babi në karrige, kurse e vogla në ndenjësen e saj, duke ngrënë papën që mami ka përgatitur enkas për të. Ata i mbledh bashkë edhe mëngjesi i fundjavës. E ai është e ç’është! Më i shijshmi për Eneidën. Familja është e gjitha bashkë. Franka duke shijuar supën nga e ëma, ndërsa Mondi duke provuar krepat e ëmbël apo kekun e bërë vetë nga Eneida, me qumësht e lëng frutash. 

Eneida i gatuan dhe i ha të gjitha

“I preferoj të gjitha ngjyrat e perimeve dhe të frutave. Në shtëpi i konsumojmë të gjithë përbërësit. Mishin më pak. Një ose dy herë në javë marrim peshk. I pëlqejmë shumë edhe gatimet ekzotike dhe përpiqemi gjithnjë që frigoriferi të mos boshatiset kurrë sa të na duhet një pazar i madh”. Eneida gatuan edhe ëmbëlsira shumë të shijshme. Kekun dhe biskotat ajo nuk i ka blerë kurrë: i përgatit vetë. Në të gjitha rastet e ndihmon Mondi. Edhe për pazar, edhe në kuzhinë…

Kuzhina, vendi i ëmbëlsisë

Eneida ka një fat të madh: në punën e saj të përditshme si amvisë, ka në krah gjithnjë të shoqin që e ndihmon për çdo gjë. Paraditeve kur ajo është në punë ai kujdeset, shpesh për Frankën, shoqëruar ndonjëherë edhe mamaja e tij. Edhe në kuzhinë e ndihmon po kaq. Aty, tek sajojnë recetat e ndryshme, tek luajnë me ingredientët. “Përdorim receta të veçanta për momente të veçanta. Kuzhina shërben edhe për këtë: që ne të vazhojmë të jemi interesantë për njëri-tjetrin, pra për jetën në çift”, - tregon Eneida.

E janë kaq bashkëpunues e eksplorues në kuzhinë, sa edhe receta që Eneida servir më poshtë, është e krijuar prej tyre. Duke shtuar dita-ditës përbërësit e tyre të dëshiruar, ata kanë mbërritur në këtë variant, që Eneida e këshillon për të gjitha lexueset.