Çmimi i sallatës, trangujve, kungujve ka kapërcyaer parashikimet. Shkak moti i keq që ka sjellë mungesa në treg. “The Guardian” shkruan se këtë dimër u dëmtua e gjithë “shporta” dimërore e Evropës.

Dëmet dhe çmimet në Shqipëri
Në vendin tonë, sipas Ministrisë së Bujqësisë, i ftohti i këtij dimri ka dëmtuar mbi 200 hektarë sera, kryesisht me perimet e stinës, por edhe kultura të tjera. Çmimet e produkteve në shumë sera bujqësore janë rritur, kryesisht për zarzavatet, por edhe perimet, deri në 50 për qind brenda pak ditëve.
Sipas çmimeve të publikuara sot më 23 janar nga Tregu Agro- Ushqimor i Tiranës, produkte të tilla bujqësore nga Lushnja, si speci i kuq dhe ai jeshil tregtohen përkatësisht me 200 lekë/kg dhe 150 lekë/kg. Edhe sallata e Tiranës aktualisht tregtohet me 220 lekë/kg.
“Sallata e spinaqi janë rritur. Sallata ka qenë 100-150 lekë, tani është 250 lekë kilogrami. Me 220 e merr atje në burim, si pasojë e ngricave”, - thotë Arif Dafku, tregtar. Sipas tregtarëve, prodhimi vendas është ulur në mënyrë drastike, duke bërë që çmimet për një sërë artikujsh të rriten me ritme të shpejta.
Ndërsa brokoli i Lushnjës me 350 lekë/kg, vijon të jetë më i shtrenjtë edhe se ai që importohet nga Greqia, i cili kushton 300 lekë/kg. Pjesa më e madhe e zarzavateve vijnë nga Greqia në tregun vendas, por edhe nga Turqia. Specat jeshilë nga Greqia tregtohen me 240 lekë/ kg në Tregun Agro – Ushqimor të Tiranës, selino sërish nga Greqia, tregtohet me 250 lekë/kg, patëllxhani grek me 350 lekë/kg, brokoli grek me 300 lekë/kg, trangulli nga Turqia shitet me 200 lekë/kg.

Dëmtohet e gjitha "shporta" e Evropës

Konsumatorët në të gjithë Evropën janë duke u përballur me çmime katastrofike për prodhimet bujqësore. Dëbora e këtij dimri ka shkaktuar dëme të mëdha në zonat bujqësore. Çmimet për produkte të tilla në Spanjë, si domatja, marulja, specat, brokoli dhe selino pothuajse janë katërfishuar. Këto probleme mund të zgjasin deri në pranverë, sipas “The Guardian”. Spanja konsiderohet si “shporta” e Evropës për shkak se është furnizuesja më e madhe me këto produkte, në stinën e dimrit. Sipas “The Guardian”, pjesa më e madhe e perimeve dimërore vjen nga Murcia dhe Valencia në jug të Spanjës, që janë goditur nga përmbytjet, acari dhe bora. Një furnizues tha se kamionët që transportojnë perime kanë kryer më pak furnizime në Britaninë e Madhe, e cila ka qenë e mbërthyer nga dëbora. Çmimet e kungujve të njomë janë rritur 4 herë dy javët e fundit. “Spanja e Jugut është shporta e bukës për Evropën në dimër", - tha Anthony Gardiner, furnizues i një prej supermarketeve më të mëdhenj, në Britaninë e Madhe. “E gjithë Evropa Jugore është goditur rëndë dhe furnizimi është absolutisht i vështirë për një numër të madh produktesh, si sallatë, fruta dhe perime të serrave. Kjo situatë ka gjasa të vijojë deri në fillim të majit, kur të fillojnë të korrat e para vendase”.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut, sipas tij, çdo njeri duhet të jetë i shqetësuar. Ky mot me probleme të tilla, shira deri në mes të dhjetorit, dhe ngrica e dëborë gjatë gjithë këtij muaji, nuk është parë edhe në Spanjë që prej fillimit të viteve ‘80.
Shifrat e qeverisë spanjolle tregojnë se çmimi i një kilogram kungulli të njomë është rritur me 132 për qind në datat 8 -15 janar. Po kështu edhe çmimi i domates u rrit me 45 për qind gjatë të njëjtës periudhë.
Shoqata më e madhe Bujqësore në Spanjës, Asaja, thotë se çmimi mesatar për 1 kilogram kungull në Almería u rrit nga 1.10 euro, në 4.02 euro në mes të javës së parë dhe të dytë të janarit. Rritje kanë pësuar edhe patëllxhanët, trangujt, specat dhe fasulet.
Sipas zëdhënëses së Asaja-s, Estrella Larrazabal, dëme janë shënuar edhe në serra. Nick Mattheës, drejtor rajonal për prodhimin tha se kishte marrë vetëm 20 deri 30% të vëllimit të të zakonshëm me kunguj dhe patëllxhanë, nga një prej furnizuesve më të mëdhenj të prodhimeve të freskëta.
"Është një situatë e pashembullt dhe unë kam 28 vjet që merrem me këtë biznes”, - tha ai. “Ndodh zakonisht që ka tendencë të reduktohen një apo dy produkte, si rezultat i motit të keq, por ne po shohim mungesa në kunguj, patëllxhanë, të gjitha sallatat, trangujt, selinoja, specat, domatet dhe brokoli”.
Furnizuesit janë të shqetësuar se fermerët spanjolle nuk mund të jenë në gjendje të mbulojnë situatën e krijuar, për shkak se moti i keq ka dëmtuar edhe bimët e reja. Kjo do të sjellë veç mangësi në raftet e supermarketeve.
“Moti me shi në Greqi, Itali dhe Francën jugore do të thotë dështime dhe të planeve rezervë të ndihmës nga këto vende”, - tha një zyrtar i lartë. Furnizuesit janë duke kërkuar tregje më të largëta për të importuar, veçanërisht nga Amerika, ku mund të ndihmojë zhvlerësimi i dollarit dhe paundit.
Por natyrshëm çmimet do të rriten për produktet nëpër rafte, ose do të ketë boshllëqe.