Një mbrëmje tërësisht shqiptare, ku me superlativa për gatimet tradicionale tonat nuk është folur vetëm shqip. Data 29 janari ka mbledhur së bashku shqiptarë dhe jo vetëm, nga e gjitha bota në një restorant të mrekullueshëm të quajtur “La Perla” në Graz të Austrisë. E gjitha si një finalizim i nismës “Shije Shqiptare.”
Kjo e fundit erdhi si një bashkëpunim i shefave të kuzhinës Sokol Prenga (Tiranë), Përparim Babalija (Gjakovë)
Faruk Neziri (Gostivar, tani shef i restorantit “La Perla”) dhe
Naser Gashi (Lubjanë) si një mënyrë për të promovuar kuzhinën shqiptare në hapësirën ndërkombëtare.
Projekti “Shije shqiptare” u finalizua pikërisht në 29 janar në Graz të Austrisë, ndërsa “udhëtimi” do të vijojë në qytetet më të njohur të botës për të prezantuar kuzhinën tradicionale shqiptare. Si një dokument për brezat e ardhshëm dhe si një dëshmi për botën e qytetëruar e cila na njeh aq pak.

Në Austri, një tryezë që “flet” vetëm shqip
Darka e cila u përgatit nën kujdesin e shefave shqiptarë të mbledhur nga të gjithë trevat shqiptare u bazua në një menu me receta shqiptare, të gatuara me shumë kujdes dhe të sjella në kohë. Nëpërmjet saj, shefat e kuzhinës u përpoqën t’i mëshonin faktit se kuzhina shqiptare është e larmishme dhe më e rëndësishmja, shumë e shëndetshme.
Nëpërmjet kësaj iniciative risi për kulinarinë shqiptare, këto shefa kuzhine çuan pakëz shije shqiptare për klientët besnikë të “La Perla-s”. Sipas shefit Përparim Babaliaj të shumtë qenë dhe klientë amerikanë, anglezë, maqedonas e zviceranë. Nuk mund të mungonin dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës në Vienë, Roland Bimo dhe Sami Ukelli.
“Të huajt tashmë janë familjarizuar deri diku me kuzhinën shqiptare, pjesë e traditës ballkanike, por interesi i tyre për t’u njohur me kulturën dhe kulinarinë shqiptare është jashtëzakonisht i madh. Ata kishin dëgjuar për tavën e Elbasanit dhe flinë, por asnjëherë për Fasulen e Gjakovës, koranin e Pogradecit apo lepurin çomlek”, thotë për Shije Përparim Babalija.
“Shije shqiptare” në faqen e tyre në facebook e kanë cilësuar këtë darkë si një nisje historike, e cila do të pasohet me një organizim tjetër në Gjermani, në Londër dhe më pas edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Të gjithë ata synojnë që nëpërmjet gatimeve dhe përvojave të tyre profesionale të paraqesin Shqipërinë si një vend i cili përveç mrekullive natyrore, ofron dhe një nga kuzhinat më trendy të momentit.
Vetëm pak ditë më parë, Huffington Post kishte një shkrim dedikuar tërësisht kuzhinës maqedonase duke e cilësuar si një diamant të fshehur në Ballkan…
Sarma, lakrori, rakija, tullumbat, ushqime që duhet t’i provoni me patjetër, pasi sipas blogeres së famshme të ushqimit: “Do të bisedojnë me stomakun tuaj dhe do të jenë këngë për shpirtin”. Me siguri, të gjithë i keni provuar këto ushqime nga duart e nënave tuaja, në kuzhinat modeste shqiptare. Ndaj, për të mos mbetur si një thesar i pazbuluar, 4 shefa kuzhine po e çojnë “Shijen Shqiptare” tek adhuruesit e shijes së mirë…
Përgatiti: Genta Dobra