FJALOR GASTRONOMIK
I pari fjalor gastronomik në gjuhën shqipe.
Shiko Info

Mbi 1 000 fjalë e shprehje të ndryshmenga bota e ushqimit dhe pijeve, që përdoren posaçërisht në kuzhinë apo kanë lidhje indirekte me gjithë proçesin e përgatitjes dhe servirjes së ushqimit.

Një pjesë e madhe e tyre kanë prejardhje nga gjuhë të huaja dhe njihen ndërkombëtarisht në formën e tyre origjinale, sidomos nga shefat e kuzhinës apo të apasionuarit pas ushqimit dhe pijeve. Ato s’mund të gjenden në fjalorin zyrtar të shqipes së sotme dhe një përkthim literal jo vetëm do të ishte i pamundur, por do t’iu humbiste edhe bukurinë.

Do të zbuloni mjaft fjalë të reja dhe të vjetra që, për arsye të ndryshme, s’iu ka rënë rasti t’i dëgjoni dhe përdorni, por që gjuha shqipe i ka patur gjithmonë aty.

Urojmë që ky fjalor i ri gastronomik t’ju vijë sadopak në ndihmë për të kuptuar më mirë termat e gatimit, por edhe në pasurimin e gjuhës suaj të përditshme.

A
B
C
D
DH
E
F
G
GJ
H
I
J
K
L
LL
M
N
NJ
O
P
Q
R
RR
S
SH
T
TH
U
V
X
XH
Y
Z
ZH
Radhiqe
Barishte që rritet në gjendje të egër nëpër livadhe. Ka gjethe të gjata e të dhëmbëzuara, me kërcell të kuq e të bardhë. Zakonisht përdoret në kuzhinë si sallatë e zierë. Ndihmon shumë në stabilizimin e sheqerit në gjak.
Radikalet e lira
Radikalet e lira janë molekula që prodhohen nga qelizat tona gjatë funksionimit normal të trupit. Kjo quhet, ndryshe, edhe si dukuria e oksidimit. Pra janë mbetjet e aktivitetit fizik të trupit që grumbullohen brenda qelizave. Në praktikë kanë një ngarkesë elektrike negative që nuk gjen pjesën pozitive dhe mbetet “e lirë” duke shkaktuar paqëndrueshmëri të molekulës që bën pjesë. Reagimi zinxhir që shkaktojnë, mund të ndërpritet vetëm me anë të antioksidantëve, substanca që zëvendësojnë elektronin e munguar dhe sjellin ekuilibrin. Ato vijnë nga stresi emotiv apo lodhja e tepërt, ushqyerja e keqe, mjedisi, duhani, alkooli, ilaçet, drogërat, patologji inflamatore dhe rrezet ultraviolet. Ndërsa trupi i prodhon si mbetje të aktivitetit të frymëmarrjes. Radikalet e lira me tepricë mund të shkaktojnë plakjen e parakohshme të qelizave dhe zhvillimin e sëmundjeve të caktuara. Në të vërtetë, është e njëjta dukuri e oksidimit të mollës e cila kalbet në kontakt me ajrin. Luftohen me një ushqim të shëndetshëm, të balancuar dhe me aktivitet fizik. Stërvitja e duhur ndikon në riqëndrueshmërinë dhe mbajtjen e ekuilibrit të duhur mes radikaleve të lira dhe agjentëve antioksidantë. Sigurisht, duhet të braktisni duhanin dhe të kufizoni konsumin e alkoolit dhe superalkoolikëve, që lodhin mëlçinë. E mira është të evitohen dietat me proteina dhe yndyrna ndërsa ushqimet me omgea 3 dhe omega 6 si peshku, salmoni, frutat e thata, farat dhe vaji i linit si dhe perimet e frutat janë të domosdoshme.
Raki
Resheli
Gatim tradicional i krahinës së Përmetit.
Revani
Rigon
Bimë barishtore shumëvjeçare me erë të këndshme, me kërcell të hollë, me gjethe të vogla vezake në ngjyrë të gjelbër të ndezur. Gjen përdorime të shumta në kuzhinë si i freskët, ashtu edhe si erëz e thatë. Rritet në gjendje të egër në toka të thata përgjatë gjithë vitit, por mund të kultivohet edhe në kushtet e shtëpisë.
Rigon i kuq
Rigoni i kuq konsiderohet si rigoni më i rrallë e që i jep shije të mrekullueshme çdo gatimi. Ai shkon mirë me domaten, patëllxhanin, produktet e mishit, vezët e rrahura ose me sallata të ndryshme. Karakteristikë e veçantë e tij është se, gjatë tharjes, ai humbet të gjithë aromën, por kur bie në kontakt me ujin e nxehtë, aroma që lëshon është unike dhe nuk ka të krahasuar me rigonin e zakonshëm. Rigoni i kuq rritet në zonat malore të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Greqinë Veriore dhe në disa zona të Malit të Zi.
Roshnica
Kokrra të vogla brumi që gatuhen me qumësht e me vezë e që, më pas, thahen e thërrmohen për t'i gatuar në receta të ndryshme si: supë me roshnica, pulë me roshnica etj. Në zona të tjera të Shqipërisë njihen me emra të tjerë si thërrime, dromka, dromëza etj.
Rozmarinë
Shkurre përherë e gjelbër e vendeve të ngrohta, me lule të vogla ngjyrë qielli ose të bardha, me gjethe të imëta si hala e me erë të këndshme. Kjo bimë aromatike nuk mund të mungojë në peshkun apo mishin e gatuar në grilë dhe, në disa receta, për gatime në furrë, si pulë me patate. Njësoj si majdanozi, shkon pothuajse me të gjitha.
Rrepë
Bimë barishtore me gjethe si të panxharit, që rrit nën tokë një zhardhok të rrumbullakët me tul e me bisht të zgjatur, me cipë të bardhë, të errët ose të kuqe. Cilësohet si një nga perimet më të shëndetshme, që konsumohet e gjallë ose e kombinuar me perime të tjera nëpër sallata ose si shoqëruese e pjatave të ndryshme. Rrepë e bardhë. Rrepë e kuqe. Rrepë e egër. Sallatë me rrepa.
Top